Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e mosshkarkimit të Presidentit Meta. Vendimi është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese. Sipas vendimit, shkeljet lidhen me rendin dhe sigurinë publike, ku Kuvendi ka pretenduar se në shumë nga daljet e veta publike Presidenti ka zgjedhur të përdorë retorikë dhune dhe ta favorizojë haptazi atë në sytë e publikut si mjet për zgjidhjen e problemeve në vend të mjeteve që ofron shteti i së drejtës.
“Shkeljet që lidhen me rendin dhe sigurinë publike. Kuvendi ka pretenduar se në shumë nga daljet e veta publike Presidenti ka zgjedhur të përdorë retorikë dhune dhe ta favorizojë haptazi atë në sytë e publikut si mjet për zgjidhjen e problemeve në vend të mjeteve që ofron shteti i së drejtës. Kjo retorikë, e justifikuar sipas tij si e nevojshme për mbrojtjen e votës nga vjedhja, ka pasur përshkallëzim të fortë deri në fund të fushatës. Kjo shkelje provohet edhe nga reagimi i përfaqësuesve të shteteve të huaja në vend, të cilët publikisht bënë thirrje për të ndaluar gjuhën dhe thirrjet për dhunë. Në prag të datës të zgjedhjeve në Elbasan ndodhi një përplasje midis dy grupe simpatizantësh, me pasoja të rënda, dhe mënyra e veprimit të tyre përputhet plotësisht me thirrjen publike të Presidentit. Thirrjet për dhunë reflektohen në përdorimin e shprehjeve, të tilla si: “ngrehuni dhe bjeruni, vdekje tradhtarëve, t`i mprehin sfurqet” ose deklarimet se “struktura për mbrojtjen e votës është një e drejtë legjitime e opozitës, pasi shteti është i kapur nga krimi” (shih paragrafët 46, 124 dhe 126 të vendimit nr. 55/2021 të Kuvendit)” – thuhet në vendim.
Sipas Kuvendit pse Presidenti ka përkrahur nismën e opozitës për ngritjen dhe funksionimin e “Strukturës për mbrojtjen e votës”, kjo çështje i takon për hetim organeve kompetente.
“Sipas Kuvendit, edhe pse Presidenti ka përkrahur nismën e opozitës për ngritjen dhe funksionimin e “Strukturës për mbrojtjen e votës”, kjo çështje i takon për hetim organeve kompetente. Megjithatë, ai nuk është distancuar dhe nuk ka dënuar jo vetëm ngjarjen e rëndë të Elbasanit, por as modelin e kundërligjshëm që përfaqësonte kjo strukturë. Aktet dhe sjelljet e Presidentit kanë frymëzuar dhunë dhe ndasi sociale, nuk kanë kontribuar për uljen e konflikteve dhe pasqyrojnë gjuhë përçarjeje dhe urrejtjeje. Kjo nxitje dhune dhe ndasie shfaqet jo vetëm në deklaratat publike të Presidentit, por edhe në sjelljen e tij në situata konkrete (konflikti midis FRD-së dhe bashkisë së Tiranës), nuk ndikuan për qetësimin e situatave, përkundrazi i përshkallëzuan ato dhe përbëjnë shembuj negativë që nxisin vetëgjyqësinë” – thuhet në vendim.
Më tej thuhet se deklaratat dhe denoncimet publike e shkresore të Presidentit kanë qenë plotësisht në proporcion të drejtë me situatën shumë të rëndë parazgjedhore, si dhe në funksion të parandalimit të përshkallëzimit dhe daljes jashtë kontrollit të saj.
“Presidenti ka prapësuar se fushata e zgjedhjeve të përgjithshme u tensionua në nivele ekstreme për shkak të aktorëve politikë, duke kulmuar edhe me humbje jete (në qytetin e Elbasanit), sulme të armatosura (siç është rasti në qytetin e Kavajës), apo ngjarje e situata të tjera të rënda provokuese (ngjarjet në qytetin e Fierit). Deklaratat dhe denoncimet publike e shkresore të Presidentit kanë qenë plotësisht në proporcion të drejtë me situatën shumë të rëndë parazgjedhore, si dhe në funksion të parandalimit të përshkallëzimit dhe daljes jashtë kontrollit të saj. Në rastin e Fierit, të nxitur nga veprimet e paligjshme e provokuese të bashkisë dhe të përfaqësuesve të shumicës qeverisëse, Presidenti u kërkoi publikisht kandidatëve të një force politike (LSI) të mos binin pre e provokimeve dhe ta tejkalonin atë situatë me urtësi. Në lidhje me termin “sfurqet”, ai është përdorur në kontekstin e një konflikti konkret të ndodhur në Fier, ku Presidenti ka qenë dëshmitar okular, dhe në këtë deklaratë “sfurqet” janë përmendur në mënyrë metaforike, si mjete pune të banorëve të zonës dhe në kontekstin e vënies në rrezik të interesit publik.
Gjykata, bazuar në analizën e kritereve të shkeljes së rëndë, nuk identifikon ndonjë normë kushtetuese të cenuar, pasi në lidhje me këto fakte Kuvendi nuk ka arritur të provojë ardhjen e pasojave në drejtim të cenimit të rendit dhe sigurisë publike. Edhe në këtë rast Presidenti nuk ka ushtruar veprimtari vendimmarrëse, nuk ka marrë ose ushtruar kompetenca të institucioneve të tjera dhe nuk është provuar ndonjë qëllim i tij për ndërhyrje në rendin dhe sigurinë publike.
Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me rendin dhe sigurinë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
Për sa më sipër, për sa kohë që Gjykata nuk arriti në përfundimin se Presidenti ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës në drejtim të ushtrimit të funksionit si Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit, sipas neneve 86, pika 1 dhe 89 të Kushtetutës, e lidhur edhe me të drejtat në procesin zgjedhor, të shqyrtuara më sipër, dhe as shkelje në veprimtarinë e tij që lidhet me marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe marrëdhëniet me jashtë, pavarësinë e organeve të shtetit dhe rendin e sigurinë në vend, çmon se është i pabazuar pretendimi i Kuvendit për shkeljen e detyrimeve që burojnë nga neni 88, pika 3, i Kushtetutës si rezultat i shkaqeve të parashtruara prej tij.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 90, pika 2, dhe 131, pika 1, shkronja “dh”, të Kushtetutës, si dhe neneve 63, pika 2, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash” – thuhet në vendim.
Discussion about this post