Prej tetorit të viti të shkuar në vendin tonë është shpallur kriza e energjisë elektrike dhe faturat vazhdojnë të rriten. Ndërkohë që qeveria kërkon të mbulojë shkaqet e vërteta të kësaj krizë, institucionet përgjegjëse për sigurimin e energjisë tregojnë çdo ditë se jemi në këtë situatë për shkak të abuzimeve nga vetë ata. Në një ankesë të dërguar pranë KPP, evidentohet qartë se OSHEE dhe KESH vazhdojnë të blejnë energjie me zarfe, pra me vlerë të patreguar duke shkelur hapur ligjin.
Kujtojmë se neni 7 i rregullores së publikuar nga ERE thotë se blerja e energjisë duhet të bëhet në mënyrë elektrike, ku sasia, vlera dhe çmimet duhet të jenë transparente. Ky rregull është në fuqi prej kohës, por KESH dhe OSHEE nuk e zbatojnë, duke abuzuar kështu me energjinë dhe fondet që shkojnë për blerjen e saj, pasi nuk kanë në funksion një platformë elektronike për shit-blerjen e energjisë. Këtë shqetësim e ka ngritur një kompani e cila ka marrë pjesë në një garë të hapur nga KESH. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Platforma për menaxhimin e shit – blerjes së energjisë si dhe modulet. Mbështetëse”, i cili kap vlerat e 155,000,000 lekëve. Kompania “Communication Progress” SHPK ankohet se KESH ka shfaqur kontratë të parregullt të tenderit dhe për këtë arsye ai ka kërkuar anulimin e këtij tenderi nga KPP.
Dështon tenderi
Pas shqyrtimit të kërkesës, KPP ka marrë për bazë atë dhe kështu procedurat e tenderit kanë ngecur, pasi KESH është e detyruara të vërtetojë korrektësinë e dokumentacionit. “Referuar shkresës të sipërcituar të autoritetit kontraktor rezulton se, ky i fundit ka trajtuar ankesën e operatorit ekonomik ankimues “Communication Progress” SHPK dhe e ka njoftuar atë me anë të shkresës nr. 1136/3 prot., datë 08.03.2022, se ka vendosur pranimin pjesërisht të ankesës”, thuhet në vendimin e KPP. Ndërsa bëhet me dije se Komisioni i ka kërkuar autoritetit kontraktor të dërgojë, informacion të hollësishëm mbi procedurën e mësipërme të prokurimit, ku të pasqyrohet procesi i hartimit dhe miratimit të dokumenteve standarde të tenderit, procesi i hartimit dhe miratimit të kritereve të veçanta për kualifikim dhe specifikimeve teknike të pasqyruara në procesverbalin përkatës. Ky vendim bënë që tenderi të pezullohet, platforma elektronike për shit-blerjen e energjisë të mos funksionojë. Kështu KESH do vazhdojë të blej energji në shkelje të ligjit dhe në mungesë të plotë transparence.
Platforma online për shit-blerje
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka kërkuar të ndërtojë një sistem online që do t’i shërbejë për shit-blerjen e energjisë. Kompania publike ka vendosur në dispozicion një fond limit prej 155 milionë lekësh apo rreth 1.3 milionë euro për operatorët ekonomikë të cilët do të duhet të japin ofertat e tyre nën këtë vlerë. Sipas dokumenteve të KESH nevoja për ngritjen e kësaj platforme vjen në kushtet kur kompania ka një licencë për furnizim të energjisë dhe detyrimin për zhvillimin në platforma elektronike të procedurave.
“Qëllimi i këtij projekti është ndërtimi i një sistemi i cili do të bëjë të mundur publikimin e tenderëve të shitjes dhe blerjes së energjisë elektrike nga ana e KESH, ku më pas të gjithë operatorët vendas apo të huaj të cilët dëshirojnë të japin ofertat e tyre për këto tendera të kenë mundësinë të ofertojnë online në këtë sistem. Sistemi gjithashtu do të bëjë të mundur sugjerimin në mënyrë automatike të ofertave më të favorshme për KESH për të maksimizuar të ardhurat dhe për të ulur shpenzimet. Në kushtet ku KESH sh.a. është pajisur me licencë në aktivitetin e furnizimit me energji elektrike si dhe ku parashikohet që procedurat e shit-blerjes së energjisë elektrike do të kryhen me mjete elektronike/platforme, lind nevoja për hartimin e rregullave të reja të tregtimit të energjisë elektrike” thuhet në dokument/ Esmeralda Hida/ Gijotina.com
Discussion about this post