Ish-kryeministri i Kosovës, tashmë deputet i Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti ka propozuar tri masa për tejkalimin e krizës ekonomike në Kosovë. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se për tejkalimin e krizës së rritjes së çmimeve në tre muajt e fundit janë ndarë 230 milionë euro.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka prezantuar tri masa në seancën e sotme, të cilat sipas tij, do ta ndihmonin Kosovën.
Ai tha se jeta e qytetarëve është vështirësuar nga kriza energjetike, kriza e çmimeve dhe pasiguria e përgjithshme globale që u krijua nga lufta në Ukrainë.
Tutje Hoti, tha se këto masa duhet të dizajnohen me kujdes dhe të ndërmerren sa më parë.
“Ngritja e çmimeve. Të gjithë indikatorët tregojnë se jeta e shumë familjeve është vështirësuar. Ne vlerësojmë që është e pashmangshme pakoja për të ndihmuar sikur në kohën e pandemisë. Vonesat në këtë drejtim shtojnë barrën e familjeve. Ne kemi 3 propozime, masa e parë dhe e menjëhershme është të bëhet indeksimi i të gjitha skemave pensionale e sociale me inflacionin. Së paku për të mbuluar produktet bazike”, tha Hoti.
Sipas deputetit të LDK-së, zgjidhje e dytë është subvencionimi në bujqësi.
“Rritja e kostove të imputeve bujqësore shkon edhe qind për qind. Ftoj Qeverinë që të ketë rritje të menjëhershme të subvencionimit në bujqësi. E treta është t’i kthehemi debatit për pagën minimale. Duhet të behet indeksimi i pagave në sektorin publik, te gjitha këto masat janë të përballueshme për buxhetin e shtetit”.
Kurse, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se për tejkalimin e krizës së rritjes së çmimeve në tre muajt e fundit janë ndarë 230 milionë euro.
Murati gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, po ashtu ka njoftuar se fondet e Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) janë riorientuar.
“Fondet e MCC-së nuk kanë humbur, përkundrazi kemi rifilluar negocimin. Këto fonde janë riorientuar me kapacitete akumuluese të energjisë elektrike që është më tepër për agjendën e gjelbër dhe në anën tjetër për ngritjen e burimeve njerëzore”, tha Murati.
Ai ka shtuar se rritja e çmimeve në import dhe manipulimet e mundshme të tregtareve janë dy faktorët për rritjen e kostos së shportës së qytetarëve.
“Për sa i përket rritjes së çmimeve, janë dy faktorë. Rritja e çmimeve në import, që është fenomen botëror, jashtë çdo kontrolli të çfarëdo qeverie dhe e dyta është nga manipulimet që mund të bëhen në emër të këtij inflacioni nga tregtarët. Vazhdimisht kamë dëgjuar se te Qeveria është problemi e jo tregtarët kanë faj”.
I pari i financave, ka përmendur disa nga vlerat që Qeveria e Kosovës ka ndarë për tejkalimin e krizës ekonomike në vend.
“Deri më tani kemi marr disa masa, pikë së pari subvencionimi i rrymës që mos të ketë rritje të çmimit për prodhuesit dhe amvisëritë që konsumojnë nën 800kËh. Janë 45 milionë euro për subvencionimin e familjeve dhe janë 25 milionë euro shtesë që shkojnë për pensionistët për këtë vit. Janë 10 milionë euro për subvencionimin e skemave të asistencës sociale, gjithashtu janë 10 milionë euro për rritjen e rezervave shtetërore. Po ashtu, janë rreth 20 milionë euro për t’i shtuar subvencionet në bujqësi. Pra, gjithsej janë 230 milionë euro në këto tre-katër muajt e fundit për t’i mbështetur qytetarët karshi rritjes së çmimeve”.
Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se muaji mars i rikthen gjithmonë kujtimet e kohës së luftës por edhe të krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai deklaroi se veteranët e UÇK-së duhet të përfshihen në ligjin për Paga që të mos ofendohen.
“Përball të gjithë atyre që iu mungojnë të dashurit e vetë, atëherë ata e meritojnë një lajm të mirë prej nesh. Ata nuk e kanë lajmin e mirë që t’u rriten pensionet, por ata nuk i pranojnë as diskutimet se kush është veteranë i vërtetë e kush jo. E dimë që ligji i Pagave është në proces por mos të harrojmë që të fillojmë nga kategoritë më meritore, ato të lirisë. Të paktën të përfshihen në këtë rritje e të mos i ofendojmë këta njerëz”.
Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi potencoi se janë shqetësuese shifrat e të rinjve që duan të largohen nga Kosova.
“Ngritja e çmimit të naftës, produkteve të tjera, janë bërë të padurueshme. E tani kur po debatojmë, janë qindra qytetarë që po presin para ambasadave që të ikin nga vendi, e zemërimi i qytetarëve është i madh me këtë Qeveri”.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, tha se mbrojtja e vendit fillon nga jashtë, derisa theksoi se Qeveria duhet ta vizitojë NATO-n dhe t’i shohë pritjet që janë për anëtarësimin e Kosovës.
“Aplikimi do të mund të bëhej dhe të përmbushej brenda një kohe të shkurtër, sikurse edhe një koordinim me partnerët tanë. Nëse ne kemi pasur prirje se një marrëveshje Kosovë-Serbi, duhet ta sjellë një njohje të ndërsjellë, kjo është shumë e largët duke parë situatën në Ukrainë, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të duhej të ishte prioritet mbi prioritete gjatë 2022”.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, potencoi se Qeveria po punon në adresimin e kërkesave.
“Ne si Qeveri po bëjmë që këto kohë t’i adresojmë kërkesat tona edhe të paraqesim situatën. Po bëjmë gjithçka që është e mundur, pajtohem edhe me një thënie të deputetit Hoxhaj se duhet të dëgjojmë e jo vetëm të flasim. Tek rritja e çmimeve është importi që është fenomen global, dhe e dyta manipulimet qe mund të bëhen në emër të këtij inflacioni. Asnjëherë nuk e dëgjova që opozita nuk e tregon problemin ku është aty, por e kemi parë kur në pakot për pandeminë kanë përfituar tregtarët”. MONITOR
Discussion about this post