Tenderi i fundit i organizuar nga Drejtoria e Pergjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve në varësi të bashkisë Tiranë që është fituar nga kompania “M.C Catering” shpk na zbulon historinë e errët e Erion Veliaj me një njeri të dënuar për abuzim me tenderat nga gjykata e Krujës, Njazi Prençi.
Erion Veliaj përpiqet të krijojë imazhin e një politikani europian por procedurat e prokurimeve të cilat nuk bazohen tek propaganda por tek faktet, na zbulojnë një tjetër Erion Veliaj, i nxituar me procedurat e prokurimit i cili ngjan shumë me homologët e tij shqiptarë.
Nga kërkimet tona, bashkimi i tre kompanive “M.C. Catering”, ”Eglenti” dhe “Regli” shpk ka marrë rreth 2,2 milionë euro me TVSH vetëm nga bashkia Tiranë. Por të treja kompanitë janë një dinasti sepse “M.C. Catering” ka qënë në pronësi të Njazi Prençit dhe ka kaluar në emër të të birit Gentjan Prençi. “Eglenti” shpk është në pronësi të së bijës Eglantina Prençi ndërsa “Regli” shpk në emër të Njazi Prençit.
Në shkurt 2018, kompania “M.C Cathering” shpk ka marrë tendera me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit, procedurë e kritikuar ashpër nga kryeministri Rama në mbledhjen e 9 korrikut të vitit të kaluar me kryetarët e bashkive duke e ndaluar në mënyrë kategorike si procedurë pasi po shpërdorohen fondet publike.
Në buletinin numër 6, në 19 shkurt 2018 Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve ose DPÇK-ja sot, ka organizuar 5 tendera me procedurë me negocim pa shpallje paraprake nga të cilët 4 janë fituar nga kompania “M.C Catering” shpk kurse tenderi tjetër është fituar nga “A G S” shpk me numër REF-42216-01-25-2018 me vlerë 170 milionë lekë të vjetra me TVSH. Këta tendera mbartin rrezik të lartë për korrupsion dhe klientelizëm sipas Open Data, aq më pak për faktin se janë të vështirë për tu verifikuar nga media apo institucione audituese pasi nuk ka transparencë.
Konkretisht loti I me numër REF-42212-01-25-2018 me vlerë 110 milionë lekë të vjetra me TVSH parashikon në kontratë sipas buletinit të APP-së blerje mish vici, mish pule dhe vezë. Loti III me numër REF-42218-01-25-2018 me vlerë 22 milionë lekë të vjetra me TVSH parashikon blerje bukë thekre dhe integrale. Loti IV me numër REF-42220-01-25-2018 me vlerë 82 milionë lekë të vjetra me TVSH përfshin blerje artikujsh ushqimorë. Loti V me numër REF-42222-01-25-2018 me vlerë 97 milionë lekë të vjetra me TVSH përfshin blerje frutash dhe zarzavate për Qendrën Ekonomike e cila nga dhjetori 2019 quhet Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve.
Rast flagrant të kësaj procedure kemi në buletinin numër 7, në datë 22 Shkurt 2016 me të njëjtin pronar por me firmë tjetër “Eglenti” shpk ku kompania ka marrë 4 tendera me negocim pa shpallje me vlerë 320 mijë euro me TVSH për të njëjtat produkte si tek tenderat e 2018.
Disa raste paraqiten dhe nga bashkimi i kompanive “M.C. CATERING” dhe “Regli” shpk të cilat kanë marrë disa tendera me procedurë me negocim pa shpallje nga e njëjta drejtori në bashkinë e Tiranës. Përveç kësaj, këto kompani kanë fituar të 14 tenderat ku kanë marrë pjesë bashkë duke u skualifikuar të gjithë konkurrentët e tjerë pjesëmarrës nga institucioni prokurues. Vlera e këtyre tenderave përllogaritet rreth 2,5 milionë euro pa TVSH të cilat kanë dyshime të forta për korrupsion sipas Open Data.
Sipas ligjit, procedura me negocim, pa shpallje paraprake parashikon që autoriteti kontraktor në këtë rast bashkia e Tiranës, të përzgjedh vetë operatorët ekonomikë dhe të negociojë kushtet e kontratës me një ose më shumë prej tyre.Por kjo lloj procedure mund të përdoret vetëm në disa raste, kur në dy procedura të njëpasnjëshme nuk është siguruar konkurrenca minimale, kur për arsye që lidhen me të drejtat ekskluzive, kontrata nuk mund të ekzekutohet përveçse nga një operator i vetëm ekonomik ose kur për arsye të nevojës ekstreme, të shkaktuar nga ngjarje të paparashikueshme nga autoriteti kontraktor, afati kohor për procedura normale nuk mund të respektohet.
Shembull konkret mund të jetë tërmeti ose pandemia por dhe ky rast kur kërkesat e tenderit lidhen me nevoja të lidhura me situatën e vështirë. Pra, këto procedura zhvillohen vetëm në situata emergjence por vitet 2016 dhe 2018 për Shqipërinë kanë qënë të qeta sepse Tirana nuk u godit nga ndonjë epidemi apo pandemi dhe tregu ushqimor nuk ka patur alarm për rezerva.
Megjithatë rasti më flagrant është në 20 Prill 2016, ku bashkimi i të tre kompanive “M.C. Catering”, ”Eglentin” dhe “Regli” shpk fiton tenderin me vlerë rreth 814 mijë euro. Ajo që e bën me ekspozim më të lartë këtë rast, është fakti se ky tender sipas datave të afishuara në Open Data nuk figuron në Buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike.
Historia e Njazi Prençit me abuzimin me tendera lidhet me vitin 2015 me tenderin e fituar nga bashkia e Krujës për sistemimin e përroit i cili ishte parashikuar të përfundonte brenda dy muajve, në maj të atij viti. Projekti sipas dokumentave, të nënshkruar nga ish-kryebashkiaku, Shkëlzen Hoxha kishte përfunduar brenda parametrave, por rezultoi më pas nga hetimi i Prokurorisë, se kishte mangësi të theksuara, shmangie nga projekti fillestar dhe ulje të ndjeshme të kostove.
Gjykata vendosi t’i pezullojë dënimin me burg ish-kryetarit Hoxha duke e lënë në shërbim prove për një periudhë 4-vjeçare. Njazi Prençi është gjetur fajtor dhe dënuar me dy vite burg, por si për ish-kryebashkiakun, treshja gjykuese me kryesues Ded Miri dhe Alfred Gjoni e Marçela Shehu vendosi t’i pezullojë burgun për një afat 4-vjeçar si dhe dënoi me 5 milionë lekë të reja gjobë kompaninë “Regli” shpk.
Pas vendimit të gjykatës, tenderat për “Regli” shpk janë ndalur por jo për dy kompanitë e tjera “M.C Catering” dhe “Eglenti” shpk. Të treja kompanitë së bashku kanë fituar rreth 6,1 milionë euro pa TVSH vetëm nga bashkia e Tiranës ku aktiviteti i tyre ekonomik ka ardhur në rritje nga viti 2013 në mënyrë progresive sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
Discussion about this post