Nga Armand Kullau
Në lëmin e ideve që rreh mendjen e një shqiptari padyshim rreh në heshtje ideja për të patur një parti politike normale, pa individë të korruptuar e të dënuar nga SPAK dhe pa individë të shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion. Arsyeja është e thjeshtë, njerëzit kërkojnë që i gjithë mundi i një viti në formë taksash dhe kontributesh t’i kthehet mbrapsht në formë shërbimesh dhe jo të kujdesen për një një fik që e hanë vazhdimisht krimbat.
Njerëzit kërkojnë atë që kanë dhënë dhe jo një bandë hajdutësh që t’i persekutojë për sa kohë jetojnë në këtë vend dhe natyrshëm kërkojnë alternativa të tjera, nuk po flasim për organizata politike por për emigracion.
Disa mendojnë me zë e thonë, pse mos të rrimë këtu e të ngremë një organizatë politike, të anëtarësojmë të rinjtë dhe të rinjtë të anëtarësojnë familjet e tyre?
E bukur është por është thjesht poezi e errët që ushqen me pushtet dhe ndikim kryetarët e këtyre sekteve, të cilët historikisht kanë qënë të lidhur me eksponentë të fuqishëm brenda strukturave shtetërore.
Njeriu shikon për alternativa qeverisëse por ndër pak alternativa që e huton gjithmonë është ekzistenca e Organizatës Politike (OP) që vetëm dreqi e di se kujt i bën punë sepse deri më sot ka zero çështje të fituara për qytetarët shqiptarë.
Organizata Politike e Arlind Qorrit me shokë, mund të quhet pa frikë lëmsh politik sepse e vetmja gjë që bëjnë janë sulme fizike dhe verbale guximtare kundra qeverisë, kundra biznesmenëve më të mëdhenj në vend që konsiderohen oligarkë nga opozita dhe gjithmonë e çuditërisht sulme obsesive kundra kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duke mos ofruar alternativa por shfryrje publike për turmën e tensionuar nga hallet e pafundme.
Madje hera-herës këtij të fundit sikur i bëjnë nder sepse episodet e tyre me kryebashkiakun i bëjnë publicitet dhe reklamë duke e sjellë në qendër të vëmendjes, madje këta duhen paguar për PR-in falas ndaj Erion Veliaj.
Deri më sot kjo Organizatë Politike nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, nuk ka kërkuar të futet në zgjedhje ta provojë veten ku me gushëkuqat dhe gushëkuqet që ka (gushëkuqa/e sepse ai është simboli i OP-së) mund ta rrëmbejë pa frikë një deputet në Tiranë me anë të studentëve dhe mbrojtjes heroike që do i bënin votave të tyre. Të paktën do kishin një zë në parlament për minatorët, një zë që zgjon njerëzit nga letargjia politike, një zë që ushton në parlament.
Por nuk duan dhe ky qendrim i Organizatës Politike ngre dyshime se ndoshta qëllimi i saj është të kontrollojë shpresën e fundit që gjendet në zemrën e çdo njeriu, ajo shpresë iracionale që buron me forcë dhe dhunë nga instiktet primitive ku rasti më i pastër është vitin 1996 kur njerëzit ngelen pa lekë, pa bukë dhe pa shtëpi prej Firmave Piramidale, u çmendën dhe iu turrën qeverisë me tërbim jo vetëm për ta rrëzuar por edhe për të shfryrë inatin.
Është e qartë, OP-ja kërkon të kontrollojë ishullin e fundit të ndërgjegjjes njerëzore të papushtuar nga politika dhe korrupsioni, ajo kërkon të kontrollojë anarkinë duke e krijuar dhe ushqyer vetë atë.
Këtij ishulli që nxjerr udhëheqës turmash surprizë në periudha histerie kolektive, i druhen të gjithë dhe për këtë punë janë krijuar mekanizma si partitë politike apo shoqëria civile për të kontrolluar situatën nëse del jashtë kontrollit, për mos ta humbur kurrë pushtetin ashtu si priftërinjtë e pushtetit tek “1984” e George Orwell.
Ata duan ta kontrollojnë këtë shpresë të çmendur sepse dëmi i madh social, ekonomik dhe historik i tranzicionit nuk është harruar, ai fle i heshtur në memorien e shqiptarëve dhe nëse vjen pika zero, ai shpërthen duke rrëzuar dhe shkatërruar çdo pushtet politik. Protestat e ngritjes së çmimit ishin një shembull pavarësisht se u mbyllën, ato ishin të pastra pasi fakti që u munduan t’ua mveshin OJF-ve apo partive të degraduara, na rrëfejnë frikën e kamufluar të politikës në media.
Natyrisht, qeveria e zvogëloi protestën sepse u zbyth, përpiloi ca shkresa dhe si gjithmonë ia riktheu kusurin popullit ku humori i zi vjen nga kryeministri Edi Rama që thotë “Barrën e mban qeveria”. Jo zoti kryeministër, barrën po e mbajnë dhe do ta mbajnë qytetarët me tarifa energjie të shtrenjta dhe çmime stratosferike, madje nuk ka asnjë reagim për 180 milionë euro ekstra që janë fituar nga qeveria për Janar-Mars 2022 nga TVSH-ja dhe çmimet e shtrenjta.
Organizata Politike në vend që të futet dhe të rivitalizojë këto protesta që i bëjnë dëm korrupsionit, çuditërisht i nxit për t’i fishkur si ato lulet e brishta që iu priten rrënjët në heshtje, OP-ja është element i huaj në protesta pasi ato vdesin kur shfaqet organizata e cila vazhdon e vjen vërdallë për protestën e radhës.
OP-në nuk e kemi parë një ditë në rrugë të anëtarësojë individë të rinj apo të tjerë, ashtu siç do të bënte një parti e re, që ti merrte dhe t’i organizonte njerëzit por rri e izoluar si një agjensi inteligjence ose sekt fetar i cili i zgjedh vetë agjentët e saj dhe jo anasjelltas.
Sa herë që sheh nëpër protesta Organizatën Politike dhe nëpër shkrime betoni, lindin natyrshëm disa pyetje. Këta e kanë seriozisht apo thjesht duan të koleksionojnë dhe të mbajnë nën tutelë personazhe karizmatikë që mund të marrin turmat nën kontroll nëse rikthehet anarkia në Shqipëri?
“Barazi gjinore, në punë, në shtëpi dhe në Shoqëri”-shkruhet në betonin që ndan një nga autostradat e kryeqytetit ku poshtë shkrimit është sigla me të kuqe “Organizata Politike”.
A e kanë idenë e punës fizike nën trysninë e ambientit këta njerëz që shkruajnë këto gjëra? Ai beton është bërë nga burra, nën diellin e Shqipërisë që në asfaltin në stinën e verës shkon pa frikë 40 gradë celsius dhe lëkurën e lëmuar të një gruaje do e kthente në një shuall këpuce. Dehidratohesh, djersitesh, pluhuri përzihet me djersën dhe është një punë që gratë nuk do e preferonin duke dëmtuar konceptin e barazisë gjinore. Këta flasin për punëtorët por nuk e kanë idenë dhe aq shumë të punës por si brigadierët njëherë e një kohë janë aleatët më besnikë të pushtetit dhe varrmihësit e ardhshëm të shpresave pranverore që sjell gjaku rinor.
Gratë janë të afta në shumë fusha, burrat po ashtu por janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Nëse i qendrojmë logjikës së kësaj shprehjeje edhe gratë duhet të punojnë me burrat në ndërtim, të qendrojnë në majë të çatisë duke vendosur pllakat, të marrin pjesë në pastrim pusetash dhe grumbullim plehrash. Na duhen edhe gra në miniera sipas shprehjes, madje gratë duhet të shkojnë në luftë, ashtu si burrat. Koha po tregon që termi barazi është i paqartë për njerëzimin dhe kallëzon se ata që e kanë shkruajtur nuk kanë një destinacion por janë beduinë politikë, të aftë të mbijetojnë në shkretëtirat ekonomike dhe kulturore që krijon komunizmi.
Ajo që të vjen në mendje kur kujton fjalën “barazi”, është gjuha universale për të kontrolluar turmat.
Ata e dinë që barazia është fjala më e dashur nga njeriu e sidomos nga shqiptari sepse në zemër të barazisë qendrojnë dy burime, dashuria dhe drejtësia. Qendron dashuria sepse individë më të fuqishëm, më të fortë, më të zgjuar sakrifikojnë dhe i shërbejnë shoqërisë me modesti para individëve që natyra i bëri më të dobët, duke mos kërkuar dominim por rregull dhe paqe vetëm dhe në mënyrë ekskluzive prej dashurisë spontane. Drejtësi sepse çdo njeri që shkel ligjin, pavarësisht pasurisë apo përkatësisë politike dhe racore dënohet në bazë të shkeljes që ka bërë.
E para është një ndjenjë që do kohë të kultivohet dhe qindra vite që njerëzimi ta përvetësojë kolektivisht. E dyta, e vetmja rrugë serioze drejt barazisë sipas Trasimakut tek “Republika” e Platonit në debatin me Sokratin, është ligji i më të fortit, shiko parlamentin shqiptar, asnjë kryeministër i arrestuar në 31 vite tranzicion.
OP-ja është thjesht romantizëm i shfrenuar që ka një sjellje guerrile politike me çdo gjë që cënon pushtetin në Shqipëri. OP-ja është gjithmonë aty, nuk është më e forta apo më e zgjuara por sipas teorisë Darviniste ajo është më e përshtatshmja.
Është e qartë që kjo organizatë nuk ka një ide të qartë se si ta marrë pushtetin nëse dëshiron vërtet të vijë në pushtet, nuk ka një ide të qartë për qeverisjen por ka një ide të qartë se si të jetë gjithmonë aty në sheshe dhe nëpër media kur situata përkeqësohet, një ide brilante e përpunuar nga librat dhe e testuar nëpër auditoret e studentëve.
Nëse ideja e OP-së është barazia, pse nuk vepron?
Nëse ideja e OP-së nuk përputhet me pushtetin, pse nuk lufton?
Organizata Politike mund të përgjigjet nëpër shkrimet e saj dhe të thuajë se ka luftuar, po ka luftuar, është e vërtetë. Do përgjigjet dhe do thuajë se ka vepruar, po ka vepruar, është e vërtetë. Por sa serioze kanë qënë këto përpjekje? Pse nuk ndryshohet strategjia, pse nuk shtohet anëtarësia, pse qendron kjo strukturë politike në hije? Pse gjithmonë merr vëmendje nga media kur i duhet? Pse është kapur kaq keq me Erion Veliaj kur nuk mbarohen politikanë që kanë bërë skandale pa fund dhe fshihen në parlament?
Shumë pyetje, pak përgjigje.
Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për “1 Majin” për protesta, për “5 Majin”, për “21 Janarin” dhe për “8 Dhjetorin” por për gjithë vitin sepse Shqipëria ka padrejtësira pa fund. Protestat nuk janë ditëlindje, qoka apo përkujtimore, protestat janë mishërimi i të gjallit që kërkon me ngulm që padrejtësia të marri fund, jo me lutje por me ide që ushtojnë nga humnerat e shpirtit njerëzor drejt qytetarëve që janë duke e dëgjuar, jo sepse gjeti një mënyrë se si të dalë por sepse plehrat e hedhura nga politika e kanë mbushur plot shpirtin e masës. Tani nuk ka më vend për plehra por për ide, ide se si ta nxjerrin nga bataku këtë shoqëri të vjedhur. Është turp për ne, politika na ndan dhe nuk na lejon të bashkohemi nëpër sheshe, duhet të presim ndeshjet e kombëtares që të bëhemi bashkë dhe të gëzojmë praninë e njëri-tjetrit.
Discussion about this post