Po shtohen nga ditë në ditë spekulimet se më 9 maj, presidenti rus Vladimir Putin do të bëjë një njoftim të rëndësishëm në lidhje me pushtimin e Ukrainës, duke përfshirë potencialisht edhe një deklaratë zyrtare të luftës kundër popullit të Ukrainës. Përgjigja e botës ndaj komenteve të tij duhet të jetë e qëndrueshme dhe e vendosur.
Tani nuk ka më kohë për të humbur. Ne duhet ta etiketojmë Rusinë e Putinit një sponsor shtetëror të terrorizmit sipas ligjit të SHBA-së. Po ashtu duhet t’i inkurajojmë vendet e tjera që të ndjekin shembullin tonë, dhe të bëjnë cilësime të ngjashme.
Pushtimi i Ukrainës nga Putin, është një nga aktet më brutale të shekullit XXI-të. Ai nuk është gjë tjetër veçse produkt i një megalomani që dëshiron të rishkruajë hartën e Evropës, dhe të rikrijojë ish-Perandorinë Ruse. Ne gjendemi sot në një moment kyç të historisë botërore, ku duhet të ngrihemi në këmbë dhe ta ndalim këtë çmenduri.
Faktet për ta shpallur Rusinë e Putinit si një sponsor shtetëror të terrorizmit janë të shumta. Nën udhëheqjen e tij brutale, Rusia e Putinit ka terrorizuar civilët e pafajshëm në mbarë botën. Në Çeçeni, forcat ruse e rrafshuan qytetin e Groznit, duke vrarë pa dallim mijëra burra, gra dhe fëmijë.
Në Siri, Putin ka mbështetur Assad, “Kasapin e Damaskut”, në përpjekjet e tij për të vrarë çdokënd vetëm për të mbajtur pushtetin. Ai e furnizoi këtë të fundit me armët e nevojshme për të kryer akte mizore të papërshkrueshme. Ushtarët rusë në drejtimin e Putinit janë përfshirë drejtpërdrejt në akte të tilla.
Vrasja në masë e civilëve të pafajshëm është një fushatë terrori. Terrori i Putinit pasqyron veprimet që pamë gati 80 vjet më parë me Gjermaninë naziste të Hitlerit. Madje Rusia e Putinit ka krijuar “kampe përqendrimi” ku po çohen ukrainasit nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.
Në këto kampe, të burgosurit merren në pyetje dhe keqtrajtohen nga rusët, që kërkojnë të gjejnë “nazistët ukrainas”, të cilët Putini u përpoq t’i përdorte si një justifikimi për nisjen
e pushtimit. Po ashtu i tillë është edhe përdorimi i milicive private nga Putin, përveç ushtrisë së tij, për të kryer akte terrori në mbarë botën.
“Wagner Group”, një kompani ushtarake private pro Putinit, e identifikuar nga Departamenti i Thesarit si një forcë përfaqësuese e Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, është përfshirë në akte mizore në të gjithë globin, nga Libia në Siri dhe tani në Ukrainë.
Kohët e fundit u raportua se “Wagner Group” dërgoi më shumë se 400 mercenarë në Kiev me urdhrin për të vrarë presidentin Volodymyr Zelensky dhe anëtarët e qeverisë së tij. Ky grup është i njohur për sjelljet e tij brutale, dhe Putin i ka përdorur në mënyrë të përsëritur këta banditë për të kryer punët e tij të pista anembanë globit.
Përcaktimi i Rusisë si një sponsor shtetëror i terrorizmit, do t’i jepte mundësinë Shteteve të Bashkuara që të vendosinin ndaj Rusisë 4 kategori sanksionesh. Së pari, do të kufizonte ndihmën e huaj të SHBA-së për Rusinë. Së dyti, do të ndalonte shitjet e armëve dhe eksportet e SHBA-së në Rusi. Së treti, do të vendoste kontrolle të caktuara mbi eksportet amerikane të artikujve me përdorim të dyfishtë.
Së fundmi, do t’i jepte mundësi SHBA-së që të vendoste kufizime financiare shtesë dhe jo vetëm ndaj Rusisë. Më e rëndësishmja: ky hap do të ishte një mesazh i qartë për pjesën tjetër të botës, se të bësh biznes me Rusinë është një ide e keqe, dhe se kjo gjë do të ketë pasoja të rënda.
Nëse ndodh kjo, Rusia do të vendosej në të njëjtën kategori si shtetet e tjera sponsorizuese të terrorizmit: Kuba, Siria, Koreja e Veriut dhe Irani. Këtë javë, parlamenti ukrainas e inkurajoi zyrtarisht Kongresin e Shteteve të Bashkuara që t’i kërkonte Departamentit të Shtetit ta shpallë Rusinë si një shtet sponsorizues të caktuar të terrorizmit, një veprim të cilin presidenti Zelenskyy e ka kërkuar që nga mesi i muajit prill.
Unë kam bashkëpunuar si me republikanët po ashtu edhe me demokratët, duke i kërkuar administratës Biden të bëjë një deklaratë zyrtare se Rusia e Putinit është një sponsor shtetëror i terrorizmit. Shpresojmë që administrata ta mbështesë thirrjen tonë drejtuar Sekretarit tonë të Shtetit, dhe ta përcaktojë zyrtarisht Rusinë si të tillë.
Shpallja e Rusisë së Putinit si një shtet sponsorizues i terrorizmit, është vetëm një nga shumë elementët e fuqisë kombëtare të disponueshme që duhet përdorur si një reagim ndaj përshkallëzimeve të tij të vazhdueshme. Unë kam frikë se do të shohim më shumë përshkallëzime dhe më shumë mizori nga Putin.
Ndërsa ai e bën këtë, bota liridashëse duhet të jetë gati të përshkallëzojë reagimin tonë në përputhje me rrethanat. Në rast se Putin do të përdorë armët kimike për të nënshtruar popullin e guximshëm të Ukrainës, unë shpresoj se anëtarët e NATO-s do të shpallin menjëherë një zonë të ndalim-fluturimit për të mbrojtur rendin ndërkombëtar.
Nëse Putini do të hidhte në Ukrainë një pajisje bërthamore taktike, do të shpresoja që aleanca ta konsideronte këtë një sulm ndaj vetë NATO-s. Pasojat radioaktive nuk do të kufizoheshin vetëm në Ukrainë, ato do të ndikonin tek miliona civilë të pafajshëm anembanë globit. Një akt i tillë nuk mund të mbetet kurrsesi pa një kundërpërgjigje.
Ne duhet t’i marrim parasysh këta skenarë, në mënyrë që Putin ta dijë paraprakisht se çdo hap përshkallëzues që ndërmerr, do të përballet me një kundërpërgjigje po aq të fuqishme. Edhe populli rus duhet ta ketë shumë të qartë se për sa kohë që Putin është udhëheqësi i tyre, e ardhmja e tyre është shumë e zbehtë.
Koha është shumë thelbësore jo vetëm për të ofruar më shumë ndihmë ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën, por edhe për të vendosur dhe zbatuar sanksione të forta ndaj Vladimir Putin dhe miqve të tij. Ruajtja e presionit mbi Rusinë e Putinit është në këto momente jetike.
Përcaktimi zyrtar i Rusisë së Putinit si një sponsor shtetëror i terrorizmit, do të vazhdojë ta dëmtojë Putinin ekonomikisht, si dhe do të sigurojë qartësi morale në skenën botërore. Unë shpresoj që me kalimin e kohës veprime të tilla të shkaktojnë një rebelim të rusëve kundër regjimit autokratik dhe vrastar të Vladimir Putinit.
Shënim:Republikani Lindsey Graham përfaqëson Karolinën e Jugut në Senatin e Shteteve të Bashkuara./abcnews
Discussion about this post