Finalja e Conference League do ta vendosë Tiranën në shtetrrethim. Justifikimi se Tiranës do t’i shtohen 25 mijë vetë gjatë asaj dite është qesharak. Në një qytet, që sipas Veliajt ka të paktën 5 vite që zhvillohet për të strehuar një milion e gjysëm banorë, 25 mijë vetë më shumë janë një pikë uji në oqean. Hotelet mund të jenë të zëna plotësisht, më shumë klientë mund të kenë restorantet dhe baret tona. Por të ndrysh qytetin me këto justifikime është tregues i një krize tjetër: kriza e zhvillimit urban të Tiranës.
Që kur nisi hartimin e një plani të ri urban në vitin 2016, Erion Veliaj dhe arkitekti i tij Boeri shpallën si një ndër objektivat strategjike shndërrimin e Tiranës në një qendër rajonale (regional hub) për sa i përket kapaciteteve për të mikpritur ngjarje të rëndësishme në rajon. Në 5 vite, Tirana është mbindërtuar. Kullat kanë mbytur qendrën historike. Për ironi, edhe vetë stadium ku do të luhet finalja europiane ka kullën e tij. Por aftësia e qytetit për të mbajtur peshën e një ngjarjeje të tillë duket e gjymtuar.
Por nuk është hera e parë që në Tiranë dynden dhjetëra mijëra tifozë nga jashtë. Këtu përfshijmë edhe tifozerinë e zjarrtë kuqezi nga Kosova, trojet shqiptare dhe diaspora. Asnjëherë nuk ka qenë e nevojshme t’i vihet dryni qytetit. Pse tani? Diçka ka ndryshuar. Ajo që ka ndryshuar në Tiranë shihet me sy të lirë. Vetëm janë shtuar ndërtimet. Tiranës i është rritur densiteti i ndërtimeve, veçanërisht ndërtimeve të larta në qendër. Rrjedhimisht është ngushtuar apo zhdukur çdo hapësirë e gjelbërt.
Pjesa tjetër e qytetit ka mbetur krejt e pandryshuar. Rrugët nuk janë zgjeruar. Rrugë të reja nuk janë ndërtuar. Infrastruktura e nëndheshme nuk është përmirësuar, me përjashtim të pak hapësirave për parking që janë shtuar në qendër dhe tek stadiumi. Një pjesë e mirë e akseve kryesore janë ngushtuar me korsitë e biçikletave që nuk përdoren në masë sepse ajri i qelbur i qytetit e dekurajon përdorimin e biçikletës. Rrjedhimisht, trafiku është përkeqësuar. Pra, Tirana është paaftësuar.
Arsyeja përse për të pritur të huajt, Tirana mbyll pas mureve qytetarët, taksapaguesit dhe jetëdhënësit e saj, është e qartë. Për kryetarin e saj, Erion Veliaj, qytetarët e Tiranës nuk janë të denjë për vëmendje dhe përgjegjshmëri. Qytetarët e Tiranës nuk ekzistojnë për Veliajn. Për të ekziston vetëm një audiencë: të huajt. Ai e ka marrë shumë mirë mësimin e tij: nëse ke të huajt me vete, shqiptarët nuk bëjnë pesë pare.
Në rast se do t’i duhet të menaxhojë një krizë me qytetarët e Tiranës, ai e ka të thjeshtë: boton një shkrim në The Guardian apo në New York Times mbi transformimin epokal të qytetit dhe e mbyll hesapin. Dy javë mediat në Tiranë do t’i bëjnë jehonë këtij suksesi ndërkombëtar të Tiranës. Prandaj, ai nuk ka pse shqetësohet për atë që është Tirana për qytetarët e saj. Ai duhet të merakoset vetëm për atë që është Tirana për të huajt.
Të huajve gjuhën ua ka gjetur. Tirana për ta është kryeqyteti i inovacionit mjedisor. Qyteti ku hidhet më shumë beton për frymë se kudo në Europë, ndërton kullat më të shëmtuara dhe i lyen me bojë jeshile. Tek-tuk ndonjë prej tyre, si Pylli Vertikal i Boerit, mbjell disa pemë në ballkon apo në taracë dhe kaq mjafton që ai të kapë titujt e disa gazetave europiane. Nuk ka aspak rëndësi se çfarë mendojnë, provojnë dhe pësojnë shqiptarët kokëgdhë me të cilët Veliajt i ka rënë shorti të merret.
Nëse këta “katundarë” të Europës i rezistojnë më shumë se ç’duhet projekteve të tij, ai u dërgon policinë, bombat me gaz, shkopinjtë e gomës dhe i shkel me këmbë. Kaq meritojnë banorët e Tiranës nga vëmendja e Veliajt. Disa prej tyre, veçanërisht burrat, janë zdromsa të paaftë që nuk dinë të qullosin asgjë, përveç se të vënë skedina, të pinë e të rrahin gratë. Disa të tjerë, kryesisht gratë, janë viktima të sistemit shoqëror katundaresk që me dhunën dhe me patriarkalizmin, nuk i lejon të kuptojnë dhe dashurojnë vizionin europianizues të tij.
E pse ta mendojë dy herë ndryrjen e Tiranës, ai që nuk mendoi dy herë as prishjen e Teatrit Kombëtar, as shembjen e shtëpive tek Astiri, Bregu i Lumit, Ura e Shkozës apo tek 5 Maji, as kontratat e dyshimta të pastrimit të qytetit? Qytetarët e Tiranës nuk janë askund në gjëegjëzën e tij për këtë qytet.
Discussion about this post