Rreth 130 mijë persona të punësuar në administratën shtetërore, si ministri, ndërmarrje, drejtori e fonde të ndryshme shtetërore, ndihen të mashtruar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e cila u kishte premtuar rritje të pagave në vlerë prej 2,806 denarësh, apo rreth 45 euro. Bëhet fjalë për të punësuar në pozita të ndryshme, paga e disa prej të cilëve sillet prej 18,000 deri 24,000 denarë (300 deri 400 euro). Ivan Pesheski, punonjës në administratë, thotë se me pagën prej 18,000 denarësh nuk arrin të sigurojë gjërat elementare për familjen e tij katër anëtarëshe për shkak të shtrenjtimeve të produkteve ushqimore bazë, por edhe të shërbimeve tjera, në veçanti të energjisë elektrike.
“Ejani, futuni në lëkurën e punëtorit dhe do të shihni nëse do të arrini të mbijetoni në krizën në të cilën ndodheni. Ne kërkonim rritje prej 2,806 denarësh apo rreth 45 euro. Këtë rritje e kërkonim para një muaji, por tani edhe kjo ka humbur vlerën duke marrë parasysh rritjen e çmimeve pas heqjes së masave për mbrojtjen e qytetarëve. Të gjitha çmimet shënuan rritje deri në 20 për qind”. “Ne, me pagën që marrin, nuk arrijmë të mbulojnë as gjërat më elementare për një jetë normale. Nëse nuk ndërmerren masa urgjente nuk do të arrijmë ta sigurojmë as bukën”, thotë Ivan Pesheski, punonjës i administratës.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut, ka paralajmëruar grevë të përgjithshme pas bisedimeve që përfunduan pa një rezultat konkrete, të enjten në mbrëmje. “Marrëveshje për pagat me Qeverinë nuk ka, por do të ketë vendim për grevë të përgjithshme. Nuk u kuptuan seriozisht kërkesat tona për një rritje të përgjithshme të pagave prej 2,806 denarësh. Ne, si Lidhje e Sindikatave, jemi për reforma, për një metodologji të re, por gjithashtu kërkojmë një rritje të përnjëhershme të pagave pasi gjendja është e papërballueshme duke marrë parasysh shtrenjtimet që janë bërë përditshmëri. Por, fatkeqësisht përveç kafesë dhe ujit asgjë nuk na ofruan në Qeveri”, ka deklaruar Darko Dimovski, kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut.
Qeveria ka njoftuar se dialogu do të vazhdojë, por se ndihmat, përfshirë edhe pagat, nuk do t’i përfshijnë të gjitha kategoritë. Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyçi, ka thënë se Qeveria kujdes të veçantë do t’u kushtojë kategorive më të rrezikuara nga kriza ekonomike.
Sipas tij, gjitha masat do të dihen pas miratimit të buxhetit të ri nga Kuvendi, që është ridestinuar bazuar në zhvillimet e fundit ekonomike. “Masat kundër krizës janë të lidhura me rishikimin e buxhetit. Ne kemi thënë se masat kundër krizës më nuk mund të jenë siç ishin edhe në periudhën e COVID-it. Nuk mund të jenë të përgjithshme. Ne kemi ndarë rreth 73 milionë euro për masat kundër krizës, të cilat do të jenë të dedikuara për qytetarët më në nevojë dhe për bizneset që janë të goditura nga kriza ekonomike”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka paralajmëruar masa ndëshkuese për të gjitha kompanitë që kanë rritur çmimet deri në 20 për qind në dy ditët e fundit. “Një porosi për të gjitha bizneset dhe atyre që operojnë në tregun e lirë, se duhet të kenë kujdes se sjellja e tyre joetike, do të sjellë pasoja ndaj mënyrës se si ata funksionojnë, sepse është e pamundur të pranojmë se vetëm brenda dy ditëve mund të ketë rritje të çmimeve prej 20 për qind”, ka deklaruar Bytyçi.
Rritja e çmimeve në Maqedoninë e Veriut ka ardhur pasi më 31 maj skaduan masat e Qeverisë për produktet ushqimore bazë, të cilat shiteshin pa Tatimin e Vlerës së Shtuar, ndërsa kishte kufizime edhe në marzhën tregtare. Mbi 80 për qind e produkteve ushqimore janë shtrenjtuar brenda dy ditëve deri në masën e 20 për qind. Kjo ka shkaktuar kaos nëpër markete, por edhe paralajmërime për protesta dhe grevë të përgjithshme nga Lidhja e Sindikatës që kërkon rritjen e pagave./REL
Discussion about this post