Vdekshmëria foshnjore qëndroi edhe vitin e kaluar në nivele të larta, duke konfirmuar se Shqipëria vijon të ketë nivelet më të larta në Europë të këtij fenomeni, që ndër të tjera reflekton përhapjen e gjerë të varfërisë dhe mungesën e shërbimeve mjekësore. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021 humbën betejën me jetën 228 foshnja nën moshën 1 vjeç nga 281 në vitin 2020 me një rënie 18.8%. Ndryshe nga vitet e tjera, INSTAT këtë vit nuk publikoi koficentin e vdekshmërisë foshnjore (një humbje jetë nën një vjeç në raport me 1000 lindje të gjalla) për shkak të një ndryshimi metodologjik.
“Të dhënat mbi vdekshmërinë foshnjore nuk mund të krahasohen me vitet e mëparshme si pasojë e një ndryshimi metodologjik në 2021. Seria kohore para vitit 2021 do të jetë objekt rishikimi pas Censit të Popullsisë dhe Banesave 2022” sqaroi INSTAT.
Sipas metodologjisë së vjetër koeficienti i vdekshmërisë foshnjore ishte 8.3 me 2021. Më herët Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik që mbledhin dhe përpunojnë statistikat rreth shëndetit kanë pohuar se ka disa problematika në raportimin e treguesit.
Sipas shifrave zyrtare të INSTAT, në vitin 2021 shkaktari më i madh i fataliteteve te bebet ishin sëmundje që shfaqen në periudhën rreth lindjes ose rreth 44 % e të gjitha fataliteteve foshnjore.
Shkaktari i dytë më i madhe ishin “ndërlikimet në barrë, të lindjes dhe të periudhës së paslindjes”. Nga kjo diagnozë kanë humbur jetën 21 % e të gjitha fataliteteve, ndërsa 19 % ishin nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, 9.2 % ishin anomali të bashkëlidhura, 3.5 % probleme të aparatit të frymëmarrjes dhe 3.5% sëmundje të tjera.
Sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një grua shtatzënë duhet të ketë të paktën katër vizita para lindjes për të zvogëluar rrezikun e lindjeve të vdekura dhe ndërlikimet e shtatzënisë, dhe vizita e parë duhet ndodhë 8 deri në 12 javët e para të shtatzënisë.
Anketa Demografike e Shëndetit, 2017-‘18 (ADHS) që jep informacion të detajuar në lidhje me shëndetin e popullatës, gjeti se pjesa më e madhe e nënave shqiptare i respektojnë këto udhëzime, pasi 78% e tyre kishin katër ose më shumë vizita para lindjes, dhe 82% e tyre kishin vizitën e parë në tremujorin e parë të shtatzënisë.
Të dy treguesit janë më të lartë në zonat urbane. Përqindja që kishte të paktën katër vizitat para lindjes është 82% në zonat urbane, krahasuar me 73% në zonat rurale. Anketa gjeti se varfëria dhe niveli i arsimit ishte një element thelbësor për shërbimet shëndetësore te gratë shtatzëna. Rezultatet e anketës tregojnë ndryshime të mëdha në qarqe te gratë që morën hekur dhe vitamina gjatë shtatzënisë. Vetëm 13% e grave para lindjes në Kukës morën suplemente dhe hekur më 2018, krahasuar me 80% të shtatzënave në Gjirokastër.
Studime më të hershme të institutit të Shëndetit Publik kanë gjetur se, pjesa më e madhe e vdekjeve te foshnjat ndodh në zonat rurale në prindër me arsim të ulët. Kjo gjetje është reale edhe sot, madje është përkeqësuar, pasi shërbimi mjekësor për moshat pediatrike mungon në rrethe, ose është shumë i dobët dhe nga ana tjetër, varfëria në rritje në zonat urbane pengon nënat e reja të kenë akses te shërbimet mjekësore.
Në maternitetet rajonale dhe bashkiake mungojnë kirurgët. Nënave të reja që u duhet të lindin me operacion, u duhet të udhëtojnë drejt Tiranës, por disa lloje ndërlikimesh në barrë si “rezusi negativ” kërkojnë ndërhyrje urgjente. Punonjës në shërbimet publike pohojnë se mungesa e shërbimeve kirurgjikale në rrethe e ka rritur vdekshmërinë foshnjore. Edhe mungesa e mjekëve në rrethe që asistojnë nënën gjatë barrës dhe ndjekin shëndetin e foshnjës pas lindjes është bërë shkak për rritjen e fataliteteve te foshnjat. Në shumicën e rretheve, mjekët kirurgë janë nga Tirana dhe punojnë me orar të kufizuar, ndërkohë që në fundjavë shërbimet nuk janë të mbuluara.
Eurostat në një raport përmbledhës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë vërejti se, Shqipëria e kishte vdekshmërinë foshnjore 10.3 për 1000 lindje të gjalla, fenomen, i cili mbeti i lartë edhe më 2020 me 10 foshnje për 1000 lindje. Kjo normë ishte më shumë se dyfishi i mesatares rajonale, raportoi Eurostat.
Pas Shqipërisë, Kosova renditet me normën më të lartë në Rajon me 8.7 foshnje të vdekura për 100 lindje, Maqedonia e Veriut me 5.6, Serbia me 4.8 dhe Mali i Zi me 2.4. Në BE norma mesatare e vdekshmërisë foshnjore për vitin 2019 ishte 3.4. /Monitor/
Discussion about this post