Plagosja e efektivëve të Policisë në Skënderaj e ka çuar në komisariat ish-nënkryetarin e kësaj komune, Nuredin Lushtaku. Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dyshohet se u përfshi në një sulm me armë ndaj dy zyrtarëve policorë gjatë një kontrolli nga organet e rendit. Dy policët u dërguan për trajtim në spital, ndërsa Lushtaku u mor në pyetje. Ai i mohoi akuzat për plagosje, duke shtuar se efektivët janë përleshur me njëri-tjetrin e se dëshmitarë kishte vëllezërit dhe djemtë e tij.
Por, kush është Nuredin Lushtaku?
Gazeta Ekspress shkruan se Komandant i Gardës së Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ishte puna e parë publike e Nuredin Lushtakut pas luftës. Për këtë punë ai nuk do të njihej shumë, deri në vitin 2006, kur vdiq presidenti Ibrahim Rugova. Me vendim të Lushtakut, garda ceremoniale e TMK-së nuk u lejua të merrte pjesë në varrimin e Rugovës. Për këtë, ai nuk u bë pishman kurrë dhe e rikonfirmoi sërish sivjet, në 16-vjetorin e vdekjes së Rugovës. Ai tha se njëra ndër arsyet se pse kishte refuzuar që në varrimin e Rugovës të marrë pjesë garda ceremoniale janë, sipas tij, deklaratat që Rugova i ka bërë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për komandantin Adem Jashari e shokët e tij.
As komandanti i TMK-së, Agim Çeku, e as paralajmërimet se KFOR-i mund të merrte masa për shkak të këtij veprimi, s’e kishin bindur Lushtakun ta dërgonte gardën ceremoniale në atë varrim.
Probleme në Ministri e në Kuvend
Në vitin 2012, sa ishte zëvendësministër i Diasporës, Nuredin Lushtaku nuk i kishte kursyer as grushtet dhe shpullat në një përplasje për ta sqaruar një mosmarrëveshje me atëherë drejtorin e Departamentit për Politika të Diasporës në këtë dikaster, Mustafë Xhemajlin. “Koha Ditore” raportonte se Lushtaku e kishte goditur Xhemajlin pasi ky i fundit kishte refuzuar ta punësonte një person të afërt të tij. Rasti nuk ishte raportuar në polici dhe gazeta raportonte se konflikti kishte nisur të zgjidhej sipas kanunit.
Si deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Lushtaku për pak sa nuk ishte protagonist i një sulmi të pa parë më herët në Kuvendin e Kosovës, në një seancë ku po diskutohej për vlerat e luftës.
Më 27 dhjetor të vitit 2016, Lushtaku iu sul deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje në atë kohë, Glauk Konjufca duke bërtitur, teksa ky i fundit po e lexonte një letër të ish-kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku. Në atë letër, Sami Lushtaku akuzonte bashkëpartiakët e tij për dënimin që i ishte dhënë në procesin gjyqësor Drenica 1. Nuredin Lushtaku kishte vendosur t’i përgjigjej fizikisht Glauk Konjufcës.
Një vit më pas, Nuredin Lushtaku vendosi të dilte kundër Sami Lushtakut, pasi ky, si kryetar i degës së PDK-së në Skënderaj, i kishte përjashtuar disa zyrtarë, përfshirë deputetin Bekim Haxhiu. Nuredin Lushtaku ishte pozicionuar qartë kur një debat në distancë kishte nisur mes ish-kryetarit të Skënderajt, Bekim Jasharit dhe Sami Lushtaku. Në përplasjet mes këtyre, Nuredin Lushtaku në dhjetor të vitit 2020 i dha plotësisht të drejtë akuzave të Bekim Jasharit. Ai thoshte po ashtu se Sami Lushtaku kishte blerë tokë gjatë luftës.
Nuredin Lushtaku aktualisht përballet me një proces gjyqësor. Ai është një nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Veteranët”. Në janar të vitit të kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dhënë verdiktin e saj në rastin e njohur si “Veteranët”, ku për shpërdorim detyre janë akuzuar ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari. Themelorja kishte vendosur për lirimin e 12 të akuzuarve, të cilët dyshohen për shpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishin pjesë e Komisionit. Gjykata e Apelit më 26 prill e kthue këtë rast në rigjykim. Sipas aktakuzës, ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.
Discussion about this post