Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen të ndërsjellë”.
Kjo është hera e parë që në një dokument të institucioneve evropiane përmendet njohja reciproke. Pesë shtete të BE-së nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet.
Megjithatë, rezolutat e miratuara nuk janë dokumente obliguese për shtetet e BE-së.
Në seancën e PE-së u miratuan raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Në tri raportet u bë thirrje për mbështetje të perspektivës evropiane të këtyre vendeve.
“Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, tha deputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila ka hartuar raportin për Kosovën.
Në raportin për Kosovën sërish bëhet thirrje për liberalizimin e vizave.
“Vota e sotme dëshmon përkushtimin e Parlamentit për integrimin e Kosovës në BE dhe jep një udhëzime se si mund të zbatohen standardet evropiane në Kosovë. Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi përkushtimin për të avancuar në reformat e lidhura me BE-në dhe është pozicionuar qartë si një partner i besueshëm, i fuqishëm i lidhur me aleancën evropiane dhe transatlantike. Për fat të keq, BE-ja ka dështuar që të sigurojë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj vërtetë se ky është raporti i fundit ku përmendet dështimi i liberalizimit të vizave”, tha Viola von Cramon.
Edhe sa shkallë deri te liberalizimi i vizave?
Me përjashtim të disa deputetëve nga radhës e të djathtës ekstreme, shumica e ligjvënësve evropianë kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në raportin për Kosovën po ashtu përsëriten thirrjet që Kosova të vazhdojë procesin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Votimi i raporteve për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën pason debatin e mbajtur një ditë më parë për këto dokumente.
Serbisë i kërkohet të sanksionojë Rusinë
Me rezolutën e miratuar, përfaqësuesit evropianë u bëjnë thirrje autoriteteve në Serbi “të tregojnë përkushtim real ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohen me vendimet dhe qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe politikat e sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”.
Serbia është i vetmi shtet në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.
Autoriteteve të Beogradit u kujtohet se progresi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të përcaktojë ritmin e negociatave për anëtarësim.
Ndërkaq, përsëritet mbështetja për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe rëndësia e angazhimit konstruktiv të autoriteteve serbe dhe të Kosovës për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin, e cila është thelbësore për të dy vendet që të avancojnë në rrugët e tyre evropiane. Raporti gjithashtu bën thirrje për respektimin dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë Asociacioni e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Parlamenti Evropian përmes rezolutës i bën thirrje autoriteteve serbe që të veprojnë kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe të ndalojnë çdo retorikë dhe veprim që cenon integritetin e vendeve fqinje dhe kërcënon stabilitetin dhe pajtimin rajonal. Aty po ashtu shprehet keqardhje për presionin e vazhdueshëm ndaj gjyqësorit dhe mohimin publik të vendimeve ndërkombëtare për krime lufte dhe i bëhet thirrje shumicës së sapozgjedhur që të forcojë garancitë për pavarësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit si prioritet./REL
Discussion about this post