Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë i kërkon qeverisë të pezullojë përkohësisht vendimmarrjen për miratimin e vendimit të Kolegjit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore. Rishpërndarja e gjykatave kundërshtohet nga avokatët, pasi rrit kostot për ta dhe qytetarët, duke çuar drejt privimit për akses në drejtësi. Për KLGJ, harta gjyqësore ekuilibron ngarkesën e punës së gjyqtarëve, pasi modeli aktual ka krijuar padrejtësi në drejtësi. Sistemi aktualisht ka mungesa drastike në gjyqtarë dhe prokurorë, për shkak të vetingut dhe bojkotit pa afat të avokatëve.
Denis Mekolli, i cili prej 8 vitesh ushtron profesionin e avokatit në qytetin e Pogradecit, është i shqetësuar për shkrirjen e Gjykatës së Shkallës së Parë në Pogradec dhe largimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë nga Korça në Tiranë, pasi do të rriten kostot e qytetarëve për të ndjekur çështjet e vjetërsisë në punë, të gjobave, madje dhe privohet aksesi në drejtësi për çështje penale.
Avokat Mekolli parashikon se largësia fizike e gjykatave do të shtojë rastet e vetëgjyqësisë, kryesisht në zonat rurale ku banorët nuk kanë mundësi financiare.
“Duke marrë rastin e një qytetari, që ka problematikë për vjetërsinë në punë dhe njohjen e një periudhe të caktuar vjetërsie në punë, ku interesi dhe përfitimi i qytetarit do të jetë rreth 1,000 lekë në muaj pas përfundimit të procesit gjyqësor, kostoja e tij për një avokat në qytetin e Tiranës do të jetë mbi 60,000 lekë për përfaqësimin me avokat dhe përfundimin e procesit gjyqësor. Në këto kushte jemi para faktit që qytetari humbet interesin për ndjekjen e këtij procesi gjyqësor”.
Miratimi i vendimit për hartën e re gjyqësore nga KLGJ më 10 Qershor është shoqëruar me protesta dhe bojkot të seancave gjyqësore nga avokatët.
Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, pas mbledhjes së 29 qershorit, vendosi bojkotin pa afat për çështjet administrative dhe penale, si dhe bojkotin për 10 ditë të masave të sigurisë, kur afati për vendimin e marrjes së tyre është 72 orë pas arrestimit. Vendimi erdhi pas zbatimit të bojkotit të parë më 14 deri më 17 qershor.
Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Prof. Dr. Maksim Haxhia, tha për “Monitor” se shkaku i vërtetë që kërkohet të zbatohet rishpërndarja e gjykatave është mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve që krijoi procesi i vetingut.
Haxhia thotë se përballë vendimit të KLGJ-së duhet të jetë qeveria që të marrë në konsideratë kërkesat e tyre për pezullim të përkohshëm të vendimmarrjes, pasi rishpërndarja e gjykatave do të rrisë kostot e qytetarëve për të ndjekur çështjet gjyqësore, do t’i privojë ata nga e drejta për akses në drejtësi dhe do të dëmtojë profesionin e avokatit.
“Nga ana e KLGJ-së, në diskutimet e mëparshme në tryezat e rrumbullakëta është mohuar kategorikisht se harta e re gjyqësore është diktuar nga situata që solli procesi i vetingut. Para 10 ditësh, KLGJ e pranoi se kjo situatë është shkaktuar nga mungesa e gjyqtarëve.
Duhet të theksoj se avokatët nuk janë kundër reformës në drejtësi, as kundër qeverisë. Shqetësimi ynë është që qeveria nuk duhet të miratojë çdo lloj harte që sjell gjyqësori.
Kjo ndodh pasi politika në Shqipëri, gjithmonë është akuzuar për pengesa të reformës së drejtësisë dhe për të qenë jashtë çdo pozicionimi të kompromentuar në të ardhmen, kanë deklaruar që çfarë të sjellë KLGJ do ta miratojë. Por fatura financiare bie mbi qytetarët dhe avokatët”.
Haxhia ngre shqetësimin se me hartën e re gjyqësore, KLGJ bën kapërcime ekstreme për mënyrën se si do të funksionojnë gjykatat, që pritet të shkaktojë kaos në sistemin gjyqësor. Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë nënvizon se nuk janë marrë në konsideratë propozimet e tyre.
“Aktualisht në Shqipëri, janë 6 gjykata Apeli, të cilat do të shkrihen në një të vetme. Së pari, që të kalosh në këto kuota, nga 6 në 1 gjykatë nga shteti, duhej të ishte ndërtuar infrastruktura e duhur 5 vite më parë, duke përfshirë ambientet për të burgosurit, shërbimi i arkivës, protokollit, ndihmësit, sallat gjyqësore. Për të realizuar këtë shërbim gjyqësor, së paku nevojitet një godinë gjigante.
Së dyti, shkrirja e gjykatave të Apelit në rrethe domosdoshmërisht do të sjellë në Tiranë gjyqtarët dhe çështjet gjyqësore që janë duke ndjekur. Kjo do të sjellë shtimin e numrit të dosjeve, duke marrë në konsideratë edhe dosjet aktuale në Apelin e Tiranës.
Pra kjo nuk do t’i shërbejë shpejtësisë për shqyrtimin e dosjeve gjyqësore. Në këto kushte rrezikohet të krijohet kaos. Në këtë situatë është e domosdoshme të gjendet një model që mundëson edhe aksesin e avokatit në çështjet gjyqësore, por shpejtësinë në shqyrtimin e tyre.
Së treti, për shkak të largësisë fizike të gjykatave, shpenzimet e qytetarëve për avokatët do të rriten, çka pritet të indimidojë aksesin e qytetarëve në drejtësi. Shumë prej tyre, për shkak të rritjes së shpenzimeve, mund të heqin dorë nga gjykimi i çështjeve.
Kjo prek po ashtu edhe shumë zyra të avokatëve në rrethe, të cilët duhet të ndjekin çështjet në Tiranë. P.sh., një avokat në qytetin e Gjirokastrës ka investuar prej vitesh për zyrën në qytetin e tij, pranë së cilës ka edhe familjen.
Harta e re gjyqësore, jo vetëm e ‘çorodit’ profesionin e avokatit, i cili duhet ta nisë gjithçka nga e para, por në të tilla kushte, kufizohet edhe aksesi i avokatit për të ushtruar profesionin. Për këto arsye është e domosdoshme të gjendet një skemë, ku të gjithë të kenë akses në drejtësi që nga qytetarët deri tek avokati dhe në kohë sa më të shpejtë, pasi ‘një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar’”.
KLGJ argumenton se me hartën e re gjyqësore për rishpërndarjen e gjykatave synon të ekuilibrojë ngarkesën e punës dhe shpërndarjes së gjyqtarëve ndërmjet gjykatave. Në raportin e grupit të punës së KLGJ-së theksohet se mosvendosja e këtij ekuilibri, p.sh., kur disa gjykata kanë ngarkesë më të madhe pune për gjyqtar se disa të tjera, është tregues i mungesës së efikasitetit dhe mund të sjellë për pasojë pabarazi në drejtësi.
Ndër të tjera, në raport theksohet se ndarja e re baraspeshon burimet e disponueshme me kohën e udhëtimit dhe popullsinë. “Treguesit paraqesin se koha maksimale e udhëtimit për qytetarët për të mbërritur në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë të Tiranës dhe Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë të Lushnjës do të ishte përkatësisht 3 orë e 41 minuta nga Peshkopia dhe 3 orë e 42 minuta nga Saranda (Konispol).
Koha maksimale e udhëtimit është e njëjtë me kohën maksimale të udhëtimit në kompetencat ekzistuese tokësore të Gjykatës Administrative të Vlorës, dhe më e ulët me kohën e udhëtimit për qytetarët e Bajram Currit (Margegaj) në Gjykatën aktuale Administrative të Shkallës së Parë të Shkodrës ose Gjykatën e re Administrative të Tiranës”, thuhet në raportin e KLGJ-së.
Rishpërndarja e re e gjykatave parashikon 12 gjykata të shkallës së parë nga 22 aktualisht. Gjykatat e propozuara të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm janë, si: Berat, Elbasan, Tiranë, Vlorë, Dibër (bashkuar me Gjykatën e Matit), Durrës (bashkuar me gjykatat e Kavajës dhe Krujës), Fier (bashkuar me Gjykatën e Lushnjës), Gjirokastër (bashkuar me gjykatat e Sarandës dhe Përmetit), Kukës (bashkuar me Gjykatën e Tropojës), Korçë (bashkuar me Gjykatën e Pogradecit), Lezhë (bashkuar me Gjykatën e Kurbinit) dhe Shkodër (bashkuar me Gjykatën e Pukës).
Po ashtu, duke qenë se 4 gjykata apeli nga 6 kanë ngarkesë pune të mjaftueshme për të justifikuar minimumin prej 10 gjyqtarësh të kërkuar nga ligji, rrethanat aktuale, sipas raportit të grupit të punës, nxjerrin në pah nevojën për shkrirjen e të gjitha gjykatave dhe propozimin e një Gjykate Kombëtare Apeli në Tiranë.
Mbështetur në të dhënat e ngarkesës së punës, Grupi i Punës gjithashtu propozon mbajtjen e vetëm dy Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë për të ruajtur aksesin e duhur në drejtësi.
Propozimi bëhet për dy gjykata, një në Lushnjë, që të mbulojë të gjithë zonën jugore dhe jugperëndimore të Shqipërisë, dhe një në Tiranë, që do të mbulojë të gjithë zonën veriore dhe juglindore, përkatësisht Korçën, e cila nuk ka akses të lehtë në Lushnjë.
Harta e re gjyqësore
Baza ligjore për krijimin e hartës se re gjyqësore është ligji 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” ku neni 15.3 parashikon se gjykatat e rretheve gjyqësore dhe gjykatat administrative të shkallës së parë duhet të kenë të paktën 7 gjyqtarë, ndërsa gjykatat e apelit të paktën 10 gjyqtarë.
Pas vlerësimit nga KLGJ të ngarkesës së punës së gjykatave të shkallës së parë rezultoi 11 gjykata, si: Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Lezhë, Berat, Fier, Gjirokastër, Lushnjë kanë aq ngarkesë të konsiderueshme sa të justifikojnë 7 gjyqtarë. Numri i qëndrueshëm i gjyqtarëve është 7 ose më shumë.
Për rrethet si: Kavajë, Përmet, Pukë, Tropojë, Kukës, Mat, Pogradec, Dibër, Krujë, Kurbin, Sarandë nuk përmbushej kushti. Për gjykatat e apeleve në Tiranë, Vlorë, Durrës, Shkodër rezultoi se numri i gjyqtarëve ishte më shumë se 10, ndërsa në Korçë dhe Gjirokastër më pak se ky numër.
Ndërkohë, 5 nga 6 gjykatat administrative nuk e përmbushin këtë kriter. “E thënë ndryshe, në shumë prej rretheve gjyqësore aktuale, ngarkesa e përgjithshme e punës nuk është e mjaftueshme aq sa për të justifikuar numrin minimal të gjyqtarëve”, citohet në raportin e KLGJ-së.
Me qëllim vlerësimin e ngarkesës së gjykatave ekzistuese, Grupi i Punës u kërkoi gjykatave një kategorizim të numrit të çështjeve të reja për periudhën 2016-2020. Kategoritë e çështjeve u strukturuan për t’i ndarë çështjet që ishin më komplekse dhe kërkonin më shumë kohë gjyqësore e burime të gjykatës, kundrejt atyre që ishin të një natyre më të thjeshtë, që kërkonin më pak kohë dhe burime.
Rezultoi se për gjykatat e rretheve gjyqësore, numri total i raportuar i çështjeve të reja të depozituara në periudhën 2018 – 2020 ishte 303,249. Duke marrë parasysh 235 pozicionet e gjyqtarëve të gjykatave të rretheve, kjo jepte një ngarkesë teorike mesatare të çështjeve (ngarkesa mesatare e ponderuar) prej rreth 429 çështjesh në vit për gjyqtar.
Nga analiza rezultoi se nga 22 gjykata, në 10 prej tyre, ngarkesa për gjyqtar ishte mbi 429 çështje. Për gjykatat e apelit, ngarkesa mesatare teorike (e paponderuar) është 217 çështje për gjyqtar dhe tejkalohej nga 4 gjykata apeli, ajo e Tiranës, Durrësit, Vlorës dhe Shkodrës. Për gjykatat administrative, ngarkesa mesatare teorike (e paponderuar) është 378 çështje për gjyqtar dhe rezultoi se tejkalohej vetëm nga Gjykata e Tiranës.
Pushteti gjyqësor në Republikën e Shqipërisë është i organizuar në gjykata të juridiksionit të përgjithshëm, gjykata administrative, gjykata të posaçme si dhe në Gjykatën e Lartë. Aktualisht kemi 22 gjykata rrethesh gjyqësore (gjykata me juridiksion të përgjithshëm) 6 gjykata administrative të shkallës së parë, 1 gjykatë të posaçme të shkallës së parë, 6 gjykata apelesh me juridiksion të përgjithshëm, një Gjykatë Administrative Apeli dhe një gjykatë të posaçme apeli, pra gjithsej 38 gjykata, për një numër tërësor prej afërsisht 400 gjyqtarësh, referuar organikës së miratuar dhe jo gjendjes aktuale.
Engert Pëllumbi, gjyqtar në Gjykatën e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njëkohësisht dhe nënkryetar i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, tha për “Monitor” se fragmentimi i tillë i pushtetit gjyqësor solli dhe një ndarje të pabarabartë të ngarkesës në punë të gjyqtarëve dhe si pasojë, shpejtësi të ndryshme gjykimi, por edhe kritere të pabarabarta në vlerësimin e gjyqtarëve.
“Një organizim i tillë, me një numër të madh gjykatash, ka ardhur si pasojë e kritereve minimale për numër gjyqtarësh në gjykatë, që parashikonte legjislacioni i mëparshëm. Kjo pati çuar që të kishte gjykata të shkallës së parë me vetëm 4 gjyqtarë dhe gjykata apeli me vetëm 6 gjyqtarë.
Nga njëra anë, një shpërndarje e tillë gjyqtarësh dhe gjykatash solli që shpeshherë të ishte e nevojshme delegimi i gjyqtarëve nga një gjykatë në një gjykatë tjetër, për të gjykuar çështje të caktuara, për shkak të konsumimit, si rrjedhojë e parashikimeve procedurale dhe kryesisht në çështjet penale, të gjyqtarëve të një gjykate.
Më shpesh kjo ndodh në gjykatat e vogla të cilat, për shkak të numrit të kufizuar të burimeve njerëzore, detyrohen që si pasojë e papajtueshmërisë për shkaqe të ndryshme të gjyqtarëve të asaj gjykate, të kërkojë delegimin e gjyqtarëve nga gjykata të tjera.
Një fenomen i tillë sjell kosto financiare, për shkak të transportit të gjyqtarëve nga një gjykatë në një tjetër, si dhe zvarritje të proceseve si në gjykatën që shfaq nevojën e delegimit, ashtu edhe në gjykatën nga vijnë gjyqtarët e deleguar, të cilët ditën që u duhet të gjykojnë si të deleguar detyrohen të ndërpresin punën në gjykatën ku janë emëruar.
Nga ana tjetër, kjo ka sjellë edhe kosto të larta në menaxhimin e gjykatave, pasi për çdo gjykatë, qoftë kjo edhe gjykata me numrin më të vogël të gjyqtarëve, prej 4 të tillësh, ka nevojë për një staf të caktuar mbështetës, si kancelar, kryesekretar, sekretare gjyqësore të gjyqtarëve dhe në kryesekretari, ftues gjyqësor, nëpunës gjyqësor, shofer, punonjëse IT, punonjëse pastrimi, etj.
Kujtojmë se deri në momentin e fillimit të procesit të vetingut, duke qenë se mbas tij nuk mund të flitet më për të dhëna të sakta studimore, për shkak të ndryshimit drastik të numrit të gjyqtarëve, ka pasur gjykata me një ngarkesë të tillë pune që një gjyqtar i vetëm, në një vit ka gjykuar më tepër se të gjithë gjyqtarët e marrë së bashku të një gjykate tjetër. P.sh., një gjyqtar në Lezhë apo Tiranë ka gjykuar në një vit më shumë çështje se të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Përmetit apo Gjykatës së Pukës”, thekson ai.
Do të rriten tarifat për avokatët
Rishpërndarja e sistemit gjyqësor është pritur me shqetësim nga të gjithë anëtarët e Dhomës të Avokatisë së Shqipërisë. Në total, sipas të dhënave të Dhomës në kryeqytet janë të regjistruar 1,800 avokatë dhe 600 në rrethe. Për përfaqësuesit e palës mbrojtëse, ndryshimet që i bëhen hartës gjyqësore pritet të rrisin tarifat për avokatët që do të paguajnë qytetarët.
Avokat Klodian Gjermeni pohoi për “Monitor” se me rishpërndarjen e gjykatave, tarifat aktuale të përfaqësimit nga avokatët do të shënojnë rritje nga 20 deri në 30% për të gjitha shkallët e gjyqësorit, për shkak se do të rriten kostot e transportit për të ndjekur zhvillimin e seancave gjyqësore, studimet e dosjeve, etj.
“Harta e re gjyqësore, e propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, po has në kundërshtimin e komunitetit të avokatëve.
Të parët që do të penalizohen nga kjo hartë e re gjyqësore do të jenë vetë qytetarët pasi, së pari reformimi i hartës së re gjyqësore, duke shkrirë (mbyllur) disa Gjykata në rrethe të ndryshme do të cenonte rëndë të drejtat dhe liritë themelore të individit të garantuara nga Kushtetuta, si dhe e drejta ndërkombëtare, pasi do t’u vështirësonte një pjesë të tyre aksesin në drejtësi.
Së dyti, ky reformim do të shtonte gjithashtu kostot për qytetarët, pasi do të kemi një rritje edhe të tarifave të avokatëve për shërbimet që do t’u ofrojnë qytetarëve.
P.sh., një avokat nga Kavaja do të duhet të shkojë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Durrësit për të ndjekur seancat gjyqësore dhe këtë kosto transporti do ta paguajnë qytetarët për të marrë shërbimin e kërkuar prej tyre”, thotë ai.
Do të vonojë aksesi në drejtësi
Avokat Denis Mekolli parashikon se nga suprimimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Pogradecit do të rriten rastet e vetëgjyqësisë për çështjet penale, kryesisht në zonat rurale që nuk kanë mundësi financiare për të pasur akses në drejtësi, për shkak të largësisë fizike të gjykatave.
Distanca ndaj gjykatave, për avokatin Klodian Gjermeni do të shkaktojë 3 probleme. Së pari, qytetarët nuk do të mund të kenë akses në drejtësi, do të rriten kostot financiare dhe korrupsioni. “Rishpërndarja e re e gjykatave, jo vetëm që do të përkeqësonte aksesin në drejtësi për të gjithë, por përkundrazi do të shtonte edhe kostot për qytetarët.
Vlen të merret parasysh fakti që, një qytetari (ose person juridik) të skajit më jugor të Shqipërisë, Konispolit, do t’i duhet të ndjekë një proces gjyqësor administrativ në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë, ose në Gjykatën e Apelit të Tiranës, në rast të një çështje të ankimuar civile ose penale, ose një qytetar (ose person juridik) i Tropojës duhet të ndjekë një proces gjyqësor administrativ në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë ose në Gjykatën e Apelit në Tiranë, në rast të një çështje të ankimuar civile ose penale.
Pra, siç kuptojmë më sipër, jo vetëm që do të kishim kosto transporti për qytetarin, por në njëfarë mënyre do ta intimidonim atë që të kërkonte të drejtën e tij, duke hapur një proces gjyqësor civil apo administrativ. Përkundrazi, duhet të theksojmë faktin se në rastin e një procesi gjyqësor administrativ, një pjesë të kërkesës së padive marrin formë të prerë në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative, pra nuk mund të apelohen.
Mendoj se efekti distancë do t’i hapte rrugë korrupsionit, pasi qytetari (ose person juridik) do të bënte llogaritë, nëse do të shmangte marrjen e një mase administrative gjobe, duke i ofruar të holla punonjësit të administratës publike, apo të ndiqte rrugën gjyqësore për shfuqizimin e kësaj gjobe në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative të Tiranës ose të Lushnjës”.
Nënkryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve, Engert Pëllumbi, shprehet se aksesi në drejtësi nuk duhet të llogaritet në kilometra, por në kohën që i duhet një çështje për t’u gjykuar në një shkallë gjykimi, si dhe në të gjitha shkallët e gjykimit bashkë. Sipas tij, harta e re gjyqësore do të sjellë edhe rritje të kostos për qytetarët por, e vendosur në peshore, kjo në analizë të fundit nuk është më e rëndësishme se përfitimet që vijnë.
“Aksesi ka të bëjë më tepër me gjykimin brenda një afati të arsyeshëm sesa me largësinë e vendndodhjes së gjykatës. Për hir të së vërtetës, infrastruktura rrugore sot është shumë herë më e mirë se më parë dhe trendi tregon se ajo është duke u përmirësuar në vazhdimësi.
Distancat janë shkurtuar dhe udhëtimi po bëhet në kohë gjithmonë e më të shkurtër. Për dy ose tre orë tashmë mund të shkohet nga kryeqyteti në qytetin më periferik të vendit”, thotë ai.
Stoku i dosjeve të pashqyrtuara do të rritet
Sipas të dhënave të raportit të KLGJ-së, deri në fund të vitit 2021, 28 144 çështje presin të shqyrtohen nga gjykatat e apelit. Ato janë kryesisht çështje civile dhe vetëm 31% e stokut janë çështje penale.
Në raport me 2020-n, stoku i çështjeve të pashqyrtuara është rritur 23%. Të shpërndara sipas gjykatave, vërehet se ka rritje të stokut në të gjitha gjykatat e apeleve, por rritja më domethënëse reflektohet në Tiranë, me 27%.
Me reformën e re “thembra e Akilit” konsiderohet krijimi i Gjykatës së Përgjithshme të Apelit në Tiranë, që shkrin gjykatat e apeleve në rrethe. Avokatët ngrenë shqetësimin se kjo shpërndarje do të rrisë stokun e dosjeve të pashqyrtuara.
Aktualisht, Gjykata e Apelit në Tiranë është duke shqyrtuar dosjet e periudhës 2016-2017. Situata është e ngjashme edhe në Gjykatën e Apelit Administrativ. Avokatët rekomandojnë që në këtë situatë, shkrirja e gjykatave duhet të ishte graduale, të niste me 4 Gjykata Apeli dhe në vijim të merreshin masat e tjera në mungesë të kësaj rishpërndarje.
“Është normale që do të kemi stok në Gjykatat e Rretheve Gjyqësore, ky fakt normalisht do të reflektohet edhe në Gjykatën e Apelit të Përgjithshëm në Tiranë.
Jo vetëm duhet të theksojmë faktin që mungesa e Gjyqtarëve në Gjykatat e Apeleve tani ka krijuar një stok dosjesh të tepërt, pasi aktualisht në këto gjykata po gjykohen kryesisht vetëm çështje penale, kjo për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit, ndërsa për çështjen civile, ky ritëm është edhe më i ngadaltë.
Aktualisht në Gjykatën e Apelit në Tiranë, janë duke u gjykuar dosjet gjyqësore të vitit 2016-2017. Kemi një stok të konsiderueshëm të dosjeve. Po e njëjta problematikë është edhe në Gjykatat e Apeleve nëpër rrethe, ku po shqyrtohen dosje gjyqësore të po atyre viteve”, nënvizon avokat Klodian Gjermeni.
Prej vitesh, në sistemin gjyqësor është krijuar precedenti për stokun e dosjeve të pashqyrtuara me Gjykatën e Lartë. Më herët, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi se deri tani janë 35,000 dosje të pashqyrtuara.
Për të lehtësuar stokun e tyre, Ministria e Drejtësisë miratoi në fund të muajit maj udhëzimin sipas të cilit janë përcaktuar rregullat për heqjen dorë nga rekurset e depozituara në Gjykatën e Lartë dhe të pashqyrtuara ende nga administrata shtetërore në përgjegjësi të Këshillit të Ministrave, për çështje me natyrë civile dhe administrative. Udhëzimi ka të bëjë jo vetëm me administratën shtetërore, por edhe me shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, aty ku shteti ka mbi 50% të aksioneve, apo të kuotave.
Ndërsa për lehtësimin e situatës aktuale me stokun e dosjeve në apel dhe në gjykatat administrative, kreu i Dhomës së Avokatisë propozon përfshirjen në radhët e gjyqësorit për një periudhë të përkohshme të avokatëve.
“Fillimisht, ne kemi propozuar kandidaturat për disa avokatë me integritet dhe aftësi profesionale, që të dërgohen si gjyqtar pranë gjykatave të shkallës së parë në rrethe dhe në apel për një periudhë të përkohshme, për çështje administrative, si: dëmshpërblimet apo pagat, që do të lehtësonin situatën me dosjet e pashqyrtuara.
Një tjetër propozim ishte që avokatët të bëheshin këshilltarë që të ndihmonin gjyqtarët në përgatitjen e studimit të dosjeve”, thotë z. Haxhia.
Harta e re prek edhe psikologët e gjykatave
Presidentja e Urdhrit të Psikologëve, Dr. Valbona Treska, pohoi për “Monitor” se harta e re gjyqësore do të ketë ndikim edhe tek profesionistët e fushës së psikologjisë.
Treska paralajmëron edhe mbyllje të zyrave të psikologëve. “Ashtu siç edhe ndikon drejtpërdrejt tek avokatët, mendoj se do të ketë efekt domino që do të prekë edhe psikologët, të cilët njësoj si edhe avokatët janë aktorë të domosdoshëm e shumë të rëndësishëm në sistemin gjyqësor.
Jam e mendimit se ky ndryshim në hartën gjyqësore do të ndikojë negativisht edhe në punën e përditshme tek psikologët, ndaj nuk përjashtohet mundësia që nëse vijohet në këtë situatë për shumë kohë, kjo do të sjellë si pasojë që shumë psikologë të mos jenë më në gjendje të vijojnë punën normalisht, ndaj për shkak të shkrirjeve të gjykatave të shkallës së parë dhe apelit në rrethe, mund të ketë edhe mbyllje të aktivitetit të profesionistëve psikologë”.
Presidentja e Urdhrit të Psikologut shprehet se rishpërndarja e gjykatave, jo vetëm që nuk zgjidh problemin me stokun e dosjeve të pashqyrtuara, por do të vonojë në dhënien e drejtësisë për qytetarët.
“Ndoshta, rishpërndarja e gjykatave nuk do të mund të zgjidhë problemat aktuale me të cilat gjyqësori, fatkeqësisht, përballet sot. Mjafton t’ju përmend një fakt, që në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, sot çdo gjyqtar numëron rreth 1,000 çështje që vijojnë dhe mbeten në proces për gjykim.
Harta e re gjyqësore nuk do të bëjë gjë tjetër, veçse do të shtyjë edhe më shumë afatet e gjykimit dhe do të vonojë dhënien e drejtësisë në kohë te qytetarët”, tha ajo.
A përputhet harta gjyqësore me ndarjen territoriale?
Për komunitetin e avokatëve, harta e re gjyqësore nuk është në përputhje me ndarjen territoriale. Qasja është e njëjtë edhe për drejtorin ekzekutiv të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, z. Agron Haxhimali, njëkohësisht dhe njohës i reformës territoriale.
Duke u bazuar ndër vite se si ka funksionuar ndarja administrativo-territoriale e Shqipërisë, z. Haxhimali thotë se ndarja mbi bazë rajoni, rrethi dhe qarku është skema më e thjeshtë e qeverisjes së vendit, duke përfshirë edhe sistemin gjyqësor, gjykatat dhe prokuroritë.
“Ndarja administrative mbi bazë rajoni / rrethi / qarku është ndarja që i ka rezistuar historisë së reformave dhe ka krijuar perceptim mbi vendosjen dhe përqendrimin e institucioneve më së shumti qendrore. Pra vendosja e organeve të drejtësisë të nivelit të parë në bashkitë qendër qarku për mua është racionale. Organet e tjera sipas hierarkisë mund të vendosen në qarqe të veçanta.
Nëse do të kishin nivel rajonal në Shqipëri, ato mund të vendoseshin p.sh., në çdo rajon dhe pastaj në institucionet në top hierarki në kryeqytet. Nuk shikoj ndonjë lidhje aspak të fortë të kësaj ndarje territoriale të organeve të drejtësisë me bashkitë, pra me qytetet.
Madje këtu mendoj se nuk duhet të ngrihet cunam. Pse, sepse në organet e drejtësisë nga 100% e popullsisë kërkojnë shërbim nga këto organe një përqindje shumë e vogël qytetarësh. Sigurisht edhe kësaj përqindje duhet t’i përgjigjet organizimi territorial dhe administrativ.
Por “cunam” duhet të ngrihet nga qytetarë apo grupe interesi, kur politika ju largon qeverisjen vendore, ju zbeh fuqinë e votës, i largon nga ndërveprimi me të zgjedhurit dhe llogaridhënia. Me bashkinë dhe shërbimet që ajo ofron, kanë punë 100% e qytetarëve rezidentë dhe jorezidentë.
Kështu që shikoj një piramidë te hierarkitë e organeve të drejtësisë në lartësi të pranueshme. Ndërsa shtrirja e pushtetit vendor mund të duhet sa më e shtrirë horizontalisht”. Për përfaqësuesin e Shoqatës së Bashkive, disa elemente të mosfunksionimit të reformës territoriale po ndikojnë te njësitë vendore.
“Së pari, ndikimi i ulët në demokracinë lokale dhe zgjedhjet, dhe largimin e bashkëqeverisjes.
Së dyti, efektet e dëshiruara ekonomike dhe administrative nga reforma e bashkimit të njësive vendore janë gjithashtu të kontestuara.
Së treti, efektet e reformës strukturore kanë çuar në mosbesim social dhe një rënie të identitetit të komunitetit. Por më thjeshtë, nuk u arrit çfarë u pretendua dhe u propagandua nga qeveria dhe nga pritshmëritë e qytetarëve për shërbime publike në sasi dhe cilësi.
Nuk ka tregues të mirëqenies ekonomike në nivel vendor, përmirësim jetese të grupeve të ndryshme, sidomos në zonat rurale”. /Monitor/
Discussion about this post