Presidenti i Sri Lankës, Gotabaya Rajapaksa, u largua nga vendi në orët e para të 13 korrikut, një largim poshtërues për një njeri, familja e të cilit kishte qenë në pushtet për gati dy dekada.
Ditë më parë, qindra protestues kishin sulmuar rezidencën e tij zyrtare, duke kërkuar që ai të jepte dorëheqjen për shkak të krizës ekonomike të Sri Lankës, e cila nuk ka parë lehtësim prej muajsh.
Vendi është ende pa para, ndërprerjet e përditshme të energjisë elektrike janë rutinë dhe furnizimet me karburant, ushqim dhe sende të tjera thelbësore si ilaçet janë afër përfundimit, shkruan BBC.
Rritja e mprehtë e çmimeve kishte shkaktuar protesta masive në prill dhe zemërimi në rritje e detyroi kryeministrin Mahinda Rajapaksa, vëllai i madh i presidentit në largim, të largohej nga pushteti në maj.
Ai dha dorëheqjen pasi mbështetësit e tij sulmuan protestuesit antiqeveritarw, duke shkaktuar përleshje vdekjeprurëse në të gjithë vendin. Dhjetëra shtëpi politikanësh u dogjën, duke përfshirë disa në pronësi të Rajapaksas. Mahinda duhej të evakuohej nga rezidenca e tij zyrtare pasi u rrethua nga turmat e zemëruara.
Por largimi i tij nuk bëri asgjë për të lehtësuar presionin në rritje ndaj vëllait të tij më të vogël, 73-vjeçarit Gotabaya. Ai qëndroi si president, duke injoruar thirrjet për të dhënë dorëheqjen, megjithëse u detyrua të ofronte disa lëshime.
Ai transferoi disa nga pushtetet e tij ekzekutive në parlament dhe emëroi një veteran, Ranil Wickremesinghe, si kryeministër të ri që kryeson një qeveri të propozuar ndërpartiake.
Lajmi u prit me tronditje dhe zemërim – z. Wickremesinghe, i cili kishte shërbyer pesë herë si kryeministër, por kurrë nuk përfundoi një mandat të plotë, shihet si një aleat i ngushtë i Rajapaksas.
Ndërsa kriza ekonomike vazhdoi dhe njerëzit e zakonshëm luftuan për gjithçka, nga karburanti te ushqimi, protestat filluan të rriten përsëri. Ato shpërthyen më 9 korrik, kur mijëra njerëz marshuan drejt shtëpisë zyrtare të presidentit.
Ai u largua në një vend të sigurt – në të njëjtën mënyrë si vëllai i tij në maj, dhe thuhet se gjeti “një vend të shenjtë” në një bazë detare në veri-lindje.
Gotabaya fluturoi me një aeroplan ushtarak për në Maldive dhe, sipas burimeve, po përpiqej të bënte rrugën e tij drejt një destinacioni përfundimtar ende të paspecifikuar.
Por, megjithëse u largua nga vendi, ai nuk dha dorëheqjen menjëherë dhe kritikët thanë se ai po qëndronte në pushtet derisa të ishte i sigurt diku ku nuk mund të ekstradohej për t’u përballur me drejtësinë në Sri Lanka.
Si arritën që Rajapaksasit, dikur të përshëndetur nga shumë njerëz të Sri Lankas si heronj, të shaheshin si udhëheqës?
Mahinda Rajapaksa u vlerësua dikur nga shumica si një hero për t’i dhënë fund gati tre dekadave të luftës civile kur rebelët e Tigrave Tamil u goditën në vitin 2009 gjatë mandatit të tij të parë si president, shkruan BBC.
Ai u krahasua me mbretërit budist Sinhala në paradat e fitores dhe ngjarjet publike masive.
“Ai ishte udhëheqësi budist Sinhala më popullor në Sri Lankën e pas-pavarësisë. Disa madje e përshëndetën atë si Perandor Mahinda”, thotë analisti politik veteran Kusal Perera.
Në librin e tij të vitit 2017, Perera thekson rolin e familjes Rajapaksa në politikën e ishullit dhe mënyrën se si Mahinda e përgatiti veten për pushtet.
Babai i tij ishte një parlamentar dhe Mahinda gradualisht u ngrit nga lideri i opozitës në parlament në kryeministër në vitin 2004.
Kur u bë president një vit më vonë, ai e bëri Gotabaya-n sekretar të mbrojtjes. Ishte një kërcim i madh në karrierë për ish-oficerin ushtarak të Sri Lankës, i cili po bënte një jetë të qetë në SHBA pas daljes në pension.
Gotabaya u kthye për fushatën e vëllait të tij dhe u bë i njohur, duke fituar një reputacion për pamëshirshmërinë.
Së shpejti, të tjerë nga familja iu bashkuan qeverisë. Ishte Mahinda, “patriarku” i familjes, i cili ishte i rëndësishëm në themelimin e dinastisë politike Rajapaksa.
Deri në protestat e paprecedentë të këtij viti, vëllezërit kishin qëndruar gjithmonë bashkë. Por të çara filluan të shfaqen kur Gotabaya i kërkoi Mahindës të “merrte një për ekipin” dhe t’i dëgjonte thirrjet e protestuesve për të dhënë dorëheqjen.
Kërkesa ishte një mospërfillje e madhe për një njeri që solli vëllanë e tij më të vogël në qeveri – dhe sigurisht jo ashtu siç dëshironte t’i jepte fund karrierës së tij politike.
“Ai në thelb u mbështet për muri dhe u detyrua të largohej në një protestë të madhe të të rinjve, të cilën ai nuk e përballoi. Mosha e tij do të pengojë kthimin e tij”, thotë zoti Perera.
Por djali i madh i Mahindës, Namal, mohon që vëllezërit të kenë një problem.
“Patjetër që ka një ndryshim politik midis presidentit dhe [ish-kryeministrit]”, i kishte thënë ai BBC-së një javë përpara dorëheqjes së Mahinda.
Ai tha se babai i tij kishte mbështetur gjithmonë fermerët dhe të varfrit, ndërsa Gotabaya Rajapaksa kishte një qasje të ndryshme “duke shikuar më shumë në votën e luhatshme sesa në votën e masave apo SLPP [partisë qeverisëse] të fortë”.
Gotabaya Rajapaksa thuhet se u kishte thënë njerëzve të afërt të tij se ai nuk ishte i interesuar për një mandat të dytë, por dëshironte ta nxirrte vendin nga kriza aktuale ekonomike.
Por zemërimi në rritje kundër familjes – të cilin shumë njerëz të Sri Lankas e fajësojnë plotësisht për problemet ekonomike të vendit – nuk la vend për këtë.
Rajapaksas ishin jashtëzakonisht të popullarizuar në mesin e komunitetit Sinhala për vite me radhë, pavarësisht nga akuzat për abuzime serioze të të drejtave të njeriut dhe diskriminim kundër pakicave.
Ata u fajësuan edhe për sulme vrasëse ndaj mediave. Por pak sinhalezë folën kundër familjes me ndikim.
Është një histori tjetër tani pasi kriza ekonomike ka bashkuar shumë komunitete të Sri Lankës, me protestuesit sinhalezë që madje shprehin mbështetje për të drejtat e pakicave.
“Vështirësia ekonomike goditi me të vërtetë komunitetin e shumicës dhe papritmas ata u kthyen kundër. Mendoj se Rajapaksasit u befasuan kur panë këtë nivel zemërimi”, thotë Bhavani Fonseka, një avokate e të drejtave të njeriut.
Megjithatë, ngërçi i vazhdueshëm politik ka të ngjarë të përkeqësojë problemet ekonomike të vendit.
Për shembull, pa një qeveri të qëndrueshme, do të jetë e vështirë të negociosh një hua me Fondin Monetar Ndërkombëtar ose të ristrukturosh borxhin.
“Pavarësisht se kush e drejton këtë vend, ne kemi nevojë vetëm për të përmbushur nevojat tona themelore”, thotë Chandani Manel, që jeton në Colombo.
“Unë kam dy fëmijë për të ushqyer dhe një familje për t’u kujdesur. Politikanët mund të mbijetojnë me pasurinë e tyre, por jo ne”, thotë ajo.
Discussion about this post