Trafikimi i qenieve njerëzore, përfshirë fëmijët, vazhdon të jetë shqetësim në Shqipëri, më gjithë uljen e numrit të personave të trafikuar dhe shtimin e masave për parandalimin e fenomenit.
Sipas ekspertes së UNICEF-it për programin e antitrafikimit, Sonila Pema, në të gjithë vendin janë evidentuar rreth 13 mijë persona të trafikuar ose në rrezik për t’u trafikuar. Kjo ka shtyrë UNICEF-in për të ngritur katër grupe pune me ekspertë në 6 prej qarqeve të vendit, për të identifikuar situatën e trafikimit në Shqipëri.
“Kemi ngritur katër ekipe lëvizëse për identifikimin e viktimave të mundshme apo viktimave të trafikimit në Shqipëri dhe, që nga fillimi deri në momentin që jemi duke folur, përfshirë Shkodrën, janë identifikuar 144 viktima të mundshme apo viktima të trafikimit në Shqipëri”.
Pjesa më e rrezikuar për trafikim janë fëmijët, një pjesë e tyre trafikohen drejt Anglisë apo vendeve të tjera të BE nga vetë prindërit. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se, vetëm gjatë vitit të kaluar, u regjistruan 109 fëmijë si viktima të mundshme të trafikimit, tre fëmijë të tjerë të trafikuar, ndërsa 67 fëmijë kërkuan azil në vendet e BE.
Këta persona, thotë ekspertja e UNICEF-it për programin e antitrafikimit, Sonila Pema, kalojnë në një proces referimi, në mekanizmin kombëtar të referimit, për të fituar ose jo statusin e viktimës së trafikimit, gjë që u mundëson mbështetje në procesin e riintegrimit.
“Janë rreth 300 persona që kanë marrë mbështetje të drejtpërdrejtë si viktima të mundshme apo viktima të trafikimit. Pa harruar edhe fëmijët e tyre, të cilët janë mbështetur nga shërbimet drejtpërdrejtë. Kjo për të kuptuar që në vend ka organizata, ka edhe institucione shtetërore, që mbështesin dhe japin shërbime për integrimin e tyre”.
Shkodra është një nga 6 qarqet e Shqipërisë ku UNICEF-i po punon për identifikimin e viktimave të trafikimit. Drejtuesja e komitetit rajonal për luftën kundër trafikimit, Majlinda Angoni, thotë se janë një numër strukturash dhe organizatash që po bashkëpunojnë për ndërgjegjësimin e komunitetit si dhe evidentimin e viktimave, ose viktimave të mundshme të trafikimit. Ajo shton se edhe në Qarkun e Shkodrës janë evidentuar raste të trafikimit.
“Që nga viti i kaluar kemi trajtimin e 9 rasteve të viktimave të trafikimit ose viktimave të mundshme të trafikimit që, së bashku me disa organizata joqeveritare, po bëhet trajtimi dhe rehabilitimi i këtyre viktimave. Themi se rastet janë në ulje”.
Për momentin, shton zonja Angoni, shqetësues mbetet situata në dy pikat kufitare me Malin e Zi, ku grumbullohen një numër i madh qytetarësh të komunitetit rom dhe egjyptian, duke krijuar një situatë të rrezikshme për trafikim. Drejtuesja e komunitetit rajonal për luftën kundër trafikimit thotë se janë evidentuar edhe kategoritë e personave të trafikuar ose në rrezik për trafikim.
“Vijnë nga familje me probleme të theksuara jo vetëm ekonomike, vijnë nga martesa të hershme, vijnë nga kushte sociale jo të mira. Pra, që gjithmonë janë në risk për këtë fenomen”.
Sipas ekspertëve të UNICEF-it, vazhdon të jetë shqetësues numri i ulët i trafikantëve të arrestuar dhe dënuar nga drejtësia shqiptare. Ndërkohë, ekspertja për programin antitrafik në UNICEF, Sonila Pema, thotë se kjo organizatë i është drejtuar qeverisë shqiptare me kërkesën për hartimin e një ligji të veçantë për integrimin e viktimave të trafikimit, pasi një ligj i tillë mungon deri tani./VOA
Discussion about this post