Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj me anë të një postimi në Facebook, ka deklaruar se qarkullimi ekonomik i bizneseve të Hoteleri-Turizmit është rritur më 23% gjatë periudhës maj-qershor referuar deklaratave të TVSH-së, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë sipas saj është rritur edhe punësimi në këtë sektor.
“Pothuajse të gjithë aktivitetet e këtij sektori rezultuan me rritje, përkatësisht “Akomodime të tjera” me 80% dhe “Hotele dhe struktura të ngjashme” me 57%. Punësimi gjithashtu shënoi rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ose me rreth 23% krahasuar me periudhën para pandemisë (2019). Këto shifra dhe jo perceptimet që përshfaqen lart e poshtë këto ditë, tregojnë qartë për ecurinë e këtij sektori të rëndësishëm, rritjen e konsumit dhe vlerën që turizmi ka në rimëkëmbjen e ekonomisë”, shkruan Ibrahimaj.
Por sipas Rrahman Kasës, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, nga vlerësimet e tyre për fundin e korrikut dhe fillimin e gushtit, bregdeti i Durrësi-Golemit është i vetmi që ka më shumë pushues në njësitë akomoduese në krahasim me vitin e kaluar.
Ai thotë se: Bregdeti Durrës- Kavajë ka një zënie të kapaciteteve mbi 90%. Pas Durrësit, më mirë është Velipoja, me 90%. Bregdeti i Sarandes është mbi 70%; Bregdeti i Vlores 75-80%. Më dobët, sipas tij, këtë vit paraqitet bregdeti i Himarës, që ka një zënie të kapaciteteve prej 55-60%. Dobët rezulton dhe Shëngjini këtë vit, ku Kasa thotë se zënia e kapaciteteve është 70-75%.
Nga ana tjetër, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ka deklaruar se i kemi marrë Greqisë dhjetëra mijëra turistë gjatë këtij sezoni.
Por pavarësisht kësaj, Greqia ka shënuar rekorde në turizëm gjatë këtij sezoni duke i patur 80% të njësive akomoduese me rezervime 100%. Mësohet se vendi do të përfitojë rreth 15 miliard euro deri në fund të sezonit turistik duke kapur një rekord historik.
Discussion about this post