“Ping-pong”-u me dosjen e Gërdecit, që nga mbyllja në vitin 2009 dhe më pas rihapja në shkurt të vitit 2021 u shoqërua me përplasje në mesin e disa gjyqtarëve.
Të paktën 7 gjyqtarë kanë luajtur rol vendimtar në hapjen e çështjes mjaft të përfolur të “Gërdecit” ,ku humbën jetën 27 njerëz dhe u plagosën rreth 300 të tjerë, si pasojë e shpërthimit të fabrikës së demontimit të armëve në afërsi të Vorës.
Vlen të përmendim Saida Dollanin, Albana Boksin, Ilir Pandën, Sokol Binaj, Vitore Tushajn, Elsa Toskën dhe Sandër Beci. I vetmi që kundërshtoi ishte Erjon Çela, gjyqtar i GJKKO-së, vendimi i të cilit u hodh poshtë nga Saida Dollani.
“Ping-pong”-u i çështjes “Gërdeci” ndër vite
Në shtator të vitit 2009, ish anëtarët e Gjykatës së Lartë Besnik Imeraj, Ardian Nuni dhe Majlinda Andrea mbyllën me procedurë dosjen e Fatmir Mediun, i cili ishte marrë pandehur nga prokuroria si pjesë e përgjegjësisë për korrupsionin shtetëror në Gërdec, ku humbën jetën 27 njerëz, u plagosën rreth 300 të tjerë si dhe u shkatërruan qindra banesa dhe biznese.
Vendimi i diskutueshëm bazohej në ‘arsyetimin’ se Mediu ishte veshur sërish me imunitetin e deputetit pas zgjedhjeve parlamentare të 2009, dhe sipas tre gjyqtarëve nuk mund të vijonte gjykimi. Dy gjyqtaret Evjeni Sinoimeri dhe Evelina Qirjako ishin kundër dhe kërkuan që të vijonte gjyqi, me arsyetimin e Kuvendi ia kishte hequr një herë imunitetin Mediut dhe se nuk kishte kuptim që t’ia hiqte edhe një herë për të njëjtën akuzë të prokurorisë.
Në 22 korrik 2016, 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, në presionin e SHBA-BE, miratuan arkitekturën e drejtësisë së re, me ndryshimet Kushtetuese, dhe në vijim edhe ligjet bazë të reformës në drejtësi.
Gati 5 vite më vonë, në shkurt të vitit 2021, SPAK kërkoi rihapjen e dosjes së Gërdecit dhe rinisjen e hetimeve për rolin e Fatmir Mediut, në cilësinë e ish ministrit të Mbrojtjes që u kujdes për letrat e punishtes së vdekjes, që siç edhe rezultoi më pas, doli që ishte një biznes i Familjes së Sali Berishës.
Përpjekja e SPAK u pengua nga gjyqtari i GJKKO-së Shkalla e Parë, Erjon Çela, i cili në 27 korrik të vitit 2021,vendosi të rrëzonte kërkesën e SPAK për hapjen e dosjes së Gërdecit, me argumentin se prokuroria kishte pasur 10 vite kohë për të ushtruar ndjekjen penale dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Në shtator të vitit 2021, gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme të Apelit, Saida Dollani, rrëzoi vendimin e Erjon Çelës, duke pranuar kërkesën e SPAK për të rihapur hetimet kundër ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut, rreth rolit të tij në shpërthimin e Gërdecit.
Vendimi i gjyqtares Saida Dollani u ankimua nga Mediu në Gjykatën e Lartë. Por, Mediu u rrëzua nga Gjykata e Lartë në 21 dhjetor të vitit 2021, duke konfirmuar si të ligjshëm vendimin e zonjës Saida Dollani. Vendimi i Gjykatës së Lartë pro hapjes së dosjes së Gërdecit është marrë nga Albana Boksi, Ilir Panda dhe Sokol Binaj.
Ky vendim u ankimua nga Mediu dhe avokati i tij në Gjykatën Kushtetuese. Me 19 korrik të vitit 2022, Gjykata e Lartë vendosi që të rrëzonte të gjithë pretendimet e Fatmir Mediut kundër vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila linte në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, gjykatë e cila i jepte të drejtë SPAK për të nisur ndjekjen penale ndaj Mediut për Gërdecin.
Vendimi në Gjykatën e Lartë është marrë nga Vitore Tusha, Elsa Toska, Sandër Beci. Janë shtatë gjyqtarë, të cilët me vendimet e tyre, kanë mbështetur SPAK-un për të rihapur dosjen e Gërdecit, e cila konsiderohet si një dosje ‘përvëluese’ për Sali Berishën. Ata janë Saida Dollani, Albana Boksi, Ilir Panda, Sokol Binaj, Vitore Tusha, Elsa Toska dhe Sandër Beci.
Discussion about this post