Ngacmimi seksual në Shqipëri është një nga veprat më pak të denoncuara. Por jo për një amerikane të moshës 65 vjeçare , që u ka kërkuar miqve të njoftojnë policinë mbasi dikush kishte kaluar vijën e kuqe.
Sipas policisë në zonën e ish Kombinati ai që e teproi dhe e ngacmoi është kamarier, 29-vjeçar nga kryeqyteti shqiptar i cili sa herë i shërbente ushqimin e pyeste nëse ishte e kënaqur dhe nëse kishte nevoja të tjera. Deri sa një moment kur e moshuara ishte në tualet i zgjati duart duke e prekur në krahë dhe në gjoks.
Kamarieri u arrestua për ngacmim seksual, ndonëse këmbëngul se ndaj gruas “tregoi vetëm dashamirësi dhe kujdes, por as që e kishte synuar seksualisht” I riu i tha policisë, tregojnë burime për gazetën “S” se gruaja ishte në moshë të madhe dhe nuk ishte në shijet e tij dhe se për me tepër ajo ishte kliente në restorant dhe ai bisedoi me të për shkak të detyrës si kamarier.
Të kundërtën insiston 65 vjeçarja, version e të cilës policia e Kombinatit e besoi ndaj preu fletë arresti ndaj kamarierit. Gruaja me inicialet C. B , 65 vjeçe kishte ardhur në Shqipëri si e ftuar nderi në një ceremoni martesore. Dhe në restoratin në fjalë ajo po merrte pjesë në dasmë.
“Isha në këtë lokal si e ftuar në dasmë dhe isha në tavolinë me miqtë e mi. Gjatë ceremonisë më shërbeu shtetasi N. N. me të cilin u gjenda në komunikim të shpeshtë duke qenë se ai fliste spanjisht dhe të njëjtën gjuhë e flas edhe unë. “
Gjithçka sipas 65-vjeçares ka shkuar tamam si në dasmë deri në çastin që i biri rreth orës 3.30 të mesnatës i dha një lajm të hidhur.
“Djali më tha që kishte ndërruar jetë një mikesha ime. Ky ishte një lajm i trishtë dhe u ngrita nga tavolina dhe në këtë moment u drejtova drejt shkallëve ku gjendeshin tualetet e lokalit. Aty po qëndronte kamarieri.”
“Më kapi nga krahu, dhe më tërhoqi në brendësi të tualetit të femrave dhe filloi të më puthte në buzë. Më kapi nga shpatullat dhe më preku gjoksin. Unë e kam shtyrë dhe kam dalë me vrap nga lokali”.
Por kamarieri kundërshton: “Në një moment vura re se shtetasja e lartpërmendur ishte e trishtuar dhe po qëndronte në tavolinë duke qarë. Për këtë arsye kam marrë disa kartpeceta në dorë dhe i jam afruar dhe më pas e kam shoqëruar atë sepse më kërkoi ta shoqëroja në tualet. Në asnjë moment nuk e kam ngacmuar seksualisht.”
Kamarieri sipas burimeve të policisë numër 6 thotë se gruaja ishte shumë e moshuar për të dhe kjo gjë nuk është në shijet e tij. Nga ana tjetër ekzistojnë kamerat e lokalit luksoz që e tregojnë kamarierin teksa e shoqëron 65-vjeçaren në tualet. Por çfarë ka ndodhur brenda këtyre ambienteve , nuk ka kamera dhe as dëshmitarë, kështu që policia ka zgjedhur të besojë gruan.
Discussion about this post