Dy vjet pasi bleu 71 milionë euro koncesionin mbi Aeroportin e Tiranës, “Kastrati Group” kryen një transaksion që i ul vlerën kompanisë me gati 50%. Ky veprim është zbardhur në QKB, i realizuar si “shitje”, i regjitruar në orën 13.45 të ditës së djeshme. Ç’ndodhi me koncesionin që Kastrati e mori nga kompania kineze “Real Fortress Private Limited”? Kastratit me atë lëvizje futi duart edhe në një tjetër monopol në ekonominë e vendit, atë të transporti ajror. Jo vetëm kaq, por me kontratën që nënshkroi me qeverinë u zgjat afati i kontratës me 13 vjet.
Papritur mësojmë se kompanisë koncesionare të Aeroportit të Rinasit i ka “rënë” vlera gati për gjysmë.
Kontrata e dyshimtë
Në një dokument të publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se, Kastrati ia ka shitur Aeroportin vetes së tij. Duket e pabesueshme, por kështu ka ndodhur. Në dokumente thuhet se, “Kastrati Group” ka nënshkruar një kontratë shit-blerje për Aeroportin me kompaninë “KASTRATI AVIATION HOLDING” SHPK, e cila gjithashtu është në pronësi të Çetit. Shitblerja e kompanisë ku pronari pronar nuk ndryshon, nga pikëpamja ligjore është nul. Nuk dihet se si qeveria i lejon këto manovra dhe pse si QKB i regjistron këto kontrata, por “Kastrati Group” justifikohet me “sukseset”. “Është bërë gjithnjë e më evidente se realizimi i synimit për një aeroport modern e bashkëkohor, kërkon përveç kapaciteteve financiare edhe njohuri të posaçme menaxhimi e drejtimi, të lidhura ngushtësisht me industrinë e aviacionit civil, e për këtë arsye, e bën të domosdoshme që administrimi i veprimtarisë së lidhur me koncesionin e TIA, të realizohet nëpërmjet një shoqëri me objekt të posaçëm aktiviteti, të lidhur ngushtësisht dhe vetëm me fushën e aviacionit civil”.
Rregullat përcaktojnë se transferimi i pronësisë mbi një kompani brenda të njëjtit grup teorikisht mund të bëhet për arsye të ndryshme, duke filluar nga nevojat e menaxhimit, sigurimi i financimeve, ofrimi i garancive, diversifikimi i rreziqeve, etj. Po, nëse “KASTRATI AVIATION HOLDING” SHPK është i liçensuar nga qeveria mbi aftësitë për të menaxhuar aeroportin, pse duhet ky ndryshim?
Pse e bëri këtë shitje Kastrati?
Gijotina.com ka kontaktuar me një eksperte financash në lidhje me këtë çështje, e cila shpjegoi dy arsyet pse Shefqet Kastrati e ka shitur koncesionin e aeroportit te një tjetër kompani e tij. “Shkaku i parë janë detyrimet e papaguara që mund të ketë krijuar Kastrati për këtë kontratë. Sipas saj, me shitjen nga një kompani në tjetrën ai ka siguruar një tjetër NIPT për koncesionin dhe në këtë formë në kompaninë blerëse detyrimet janë në zero. Ndërsa mbeten në atë nivel “si nën hije” detyrimet që kishte “Kastrati Group”, i cili me siguri pret ndonjë lëvizje të radhës nga qeveria që këto detyrimet t’i “falen” apo reduktohen”.
Ndryshimi i NIPT-ve tregohet edhe nga vetë kontratat e shitjes. Pasi në të dhënat e kompanisë të regjistruara në QKB dhe në kontratën e vjetër është paraqitur i njëjti NIPT, ndërsa në kontratën e re të shitjes së aeroportit tek “KASTRATI AVIATION HOLDING” SHPK është regjistruar një tjetër NIPT të ri. Ky subjekt i krijuar nuk mbart mbi vete asnjë detyrim të koncesionarit.
Ndërkohë, ekspertja shpjegon se ““Kastrati Group” e ka shitur koncesionin te “KASTRATI AVIATION HOLDING” SHPK me një çmim shumë më të lirë nga sa e bleu vetë për të shmangur taksën e transaksionit. Pra, nëse koncesioni do ishte shitur me çmim më të lartë (duke reflektuar bilancin pozitiv) “Kastrati” do të duhej të paguante tatim-fitimin 15% për transaksionin e bërë.
Si po përfiton Kastrati nga Afera e aeroportit
Skandali me këtë kontratë thellohet edhe më tej, kur evidentojmë se vetë Kastrati e ka shitur aeroportin me çmim më të ulët nga se e ka blerë ai nga kinezët. Çmimi i shitjes i përcaktuar në kontratë ka vlerën e 45 milionë eurove, kur për kalimin e kësaj kontrate te Kastrati është paguar vlera 71 milionë euro. Në pamje të parë duket e pazakontë për një transferim pronësie të aksioneve mes dy shoqërive që kanë të njëjtin pronar. Në raste të ngjashme, zakonisht ndryshimi i pronësisë mbi kuotat bëhet nëpërmjet një marrëveshje transferimi të bazuar në shitjen me një çmim simbolik ose dhurimi.
Në fakt, Çeti vetëm po luan “gërvisht e fito” me këtë kontratë. Bazuar në dokumentet e publikuara nga QKB, në bilancin e fundit të dorëzuar, Kastrati Group ka raportuar se ka një vlerë të përgjithshme prej afërsisht 33 milionë euro fitime. Ndërsa kompania kineze përfitimet që merrte nga aeroporti i regjistronte deri ne 9 miliardë lekë. Pra janë 5-fishuar fitimet nga Rinasi.
Si ia arriti? Kjo gjë është e lehtë me rritjen e çmimit të shërbimeve, ndryshe nga sa ishte premtuar në fillim, me moskryerjen e investimeve infrastrukturore sipas kontratës. Duke i shtuar këtu fitimit, edhe çmimin e parashikuar në kontratë prej 45 milionë eurosh, “Kastrati Group” ka marrë tashmë mbrapsht rreth 78 milionë euro në më pak se dy vjet, rreth 7 milionë euro më shumë se çmimi i blerjes në vitin 2020.
Dy ministre i rrinë “pronto” Kastratit
Në këto kushte, përveç përfitimeve financiare të mëdha, Shefqet Kastrati bën të tilla ndryshime për të fshehur të ardhurat e kompanisë së tij. Kjo taktikë është tashmë e njohur nga Kastrati! Po pse të mos bëj Çeti lojëra, kur vetë qeveria ka miratuar shitjen e re të aksioneve të koncesionit të Rinasit? Në përgjigjen e tyre, ministret Belinda Balluku dhe Delina Ibrahimaj kanë dhënë konfirmimin e tyre për transferimin e aksioneve dhe kanë përsëritur gatishmërinë e Organit Shtetëror të Autorizuar për të vijuar bashkëpunimin në funksion të mbarëvajtjes së marrëveshjes koncesionare. Vallë, nuk e shohin ministret lojën që është bërë me shifrat! / Esmeralda Hida/
©️Copyright Gijotina.com. Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post