Tashmë që shirat kanë nisur të pushtojnë vendit dhe është e vështire të punohet, kryebashkiaku i Kamzës Rakip Suli kujtohet në kohën e shirave të nisë ndërtimin e rrugëve të Babrrusë. Emergjenca që nuk pyet për motin shkon në favor të ndërtuesit Besnik Bami, mikut të kryebashkiakut të Tiranës, Veliajt. Pra, duket si një ndërhyrje nga lart (e Veliajt) për t’i dhuruar një tender mikut të tij, Besnik Bami. Ky i fundit është pasuruar me tenderët që ka marrë nga Veliaj. Mirëpo, kohët e fundit, KPP e ka kapur disa herë në shkelje dhe iu ka prishur “bilancin”, Kështu, Veliaj “ia la porosi” Sulit dhe shlyhen tenderët e anuluar. Kryebashkiaku i Kamzës është vënë në lëvizje dhe i ka dhënë Bamit tenderin e madh 700 milionë lekë. Bëhet fjalë për prokurimin me numër reference REF-36941-07-22-2022 dhe objekt “Ndërtim rrugët Babrru, Shpat”.
Në këtë garë kanë paraqitur oferta 4 kompani, por Suli i ka skuafikuar me argumentin se nuk kanë paraqitur kopje njësuese me dokumentet origjinale. Duke lënë kështu në garë vetëm kompaninë Bami shpk, në pronësi të Besnik Bamit. Kështu, Suli ka shkelur ligjin duke cenuar konkurrencën në këtë tender dhe është shënuar me “Red Flag” nga monitoruesi Open Data. Në dokumente vërehet se Bami shpk ka pasur edhe ofertën më të shtrenjtë, por Suli e ka anashkaluar këtë fakt. 700 milionë lekë do të qarkullojë Bami për 4 muaj punë, në rrugicat që vetëm arnohen dhe kurrë nuk ndërtohen.
Aferat Veliaj-Bami
Sikur e theksuam më lart Bami dhe Veliaj kanë treguar se kanë raporte mjaft të mira me njëri-tjetrin. Sidomos, kur vjen fjala për afera në fushën e ndërtimit. Vetëm me Bami shpk, kryebashkiaku Veliaj numëron dhjetëra tenderë në shkelje të ligjit të konkurrencës. Le të marrim këtu rastin më të fundit, që fatmirësisht u anulua nga KPP pas disa denoncimeve të bëra.
Veliaj dhe Bami kishin bërë gati planin e manipulimit të tenderit 800 milionësh për ndërtim rruge në Zall-Herr. KPP konstatoi se bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj ka skualifikuar në kundërshtim me ligjin të paktën një prej operatorëve ekonomikë, duke favorizuar dukshëm shoqërinë e biznesmenit Bami. Kompania e skualifikuar i drejtohet me një ankesë KPP-së për Bashkinë e Veliajt, ku i sqaron se ligji parashikon që autoriteti kontraktor mund t’i sigurojë vetë të dhënat nëpërmjet platformave on-line ose t’i kërkojë informacione shtesë operatorit ekonomik përpara vendimmarrjes. Por, ankesa e kompanisë private nuk u mor në konsideratë, duke i hapur rrugën kompanisë “Bami” shpk. Komisioni i Prokurimit Publik pasi analizoi të dhënat e dosjes dhe shqyrtoi argumentet e palëve, konstatoi se vendimi i Bashkisë së Tiranës ishte i padrejtë.
Dhjetëra tenderë me “flamur të kuq”
Vetëm për pjesën e dytë vitit 2021 dhe muajt e parë këtij viti, Bami shpk ka përfituar 18 tendera pa garë, të cilat nga Open Dta Albania janë listuar te kontratat me “Red Flag”. Pjesa më e madhe janë nga Bashkia Tiranë.
Ndërkohë në Korrik 2019, Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime të Bashkisë së Tiranës, strukturë në varësi të Erion Veliajt shpalli kompaninë “Bami” sh.p.k. fituese të tenderit për “rikonstruksionin e rrjetit në rrugën ‘Xhanfize Keko”. Fondi limit për këtë tender ishte 543 milionë lekë të vjetra pa TVSH dhe në procedurë morën pjesë, fillimisht, dy konkurrentë: “Bami” shpk dhe “Ina”. Disa ditë para mbylljes së tenderit, kompania “Ina” i dërgoi një shkresë Ujësjellësit të Tiranës, në të cilën njoftoi tërheqjen nga gara. Në procedurë mbeti vetëm “Bami” sh.p.k., e cila u shpall fituese, në mungesë të konkurrencës.
Në Shtator 2018, Bashkia e Vorës zhvilloi tenderin për “Ndërtimin e stacionit të autobusëve, rikonstruksionin e ujërave të zeza dhe riparimin e barrierave suonore”, me fond limit mbi 200 milionë lekë të vjetra, pa TVSH.
Në tender morën pjesë 3 kompani, përfshirë “Bami” sh.p.k. Në përfundim të procedurave, autoriteti kontraktor skualifikoi nga gara dy konkurrentët e “Bami”-t, duke e lënë të vetëm në garë dhe, rrjedhimisht, duke e shpallur edhe fitues të procedurës.
Në Korrik 2018, Bashkia e Tiranës shpalli fituese kompaninë “Bami” në tenderin “Rikonstruksion i trotuarëve dhe rrugës “Hoxha Tahsim” dhe “Xhanfize Keko”, me fond limit 1 miliard lekë të vjetra pa TVSH.
Në tender morën pjesë 9 operatorë ekonomikë. Në përfundim të procedurave, Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj, vendosi skualifikimin e 8 operatorëve, duke lënë në garë vetëm “Bami” sh.p.k., e cila, natyrisht u shpall fituese.
Në Korrik 2017, Bashkia e Krujës, nëpërmjet financimit të Fondit për Zhvillimin e Rajoneve, zhvilloi tenderin për “Zgjerimin e rrugës kryesore dhe rikualifikimin e sheshit ‘Mustafa Mërlika’. Fondi limit për këtë tender ishte mbi 1 miliard lekë të vjetra bashkë me TVSH. Në procedurë morën pjesë 7 konkurrentë. Autoriteti kontraktor, Bashkia e Krujës, në përfundon të shqyrtimit të dokumentacionit, vendosi skualifikimin e 6 konkurrentëve. Në garë mbeti vetëm “Bami” shpk, e cila u shpall fituese e tenderit.
Në qershor 2016, Bashkia e Krujës zhvilloi tenderin për “Rehabilitimin e skemës ujitëse të rezervuarit Thumanë”, me fond limit 250 milionë lekë të vjetra, pa TVSH. Në tender morën pjesë 14 kompani, nga të cilat u skualifikuan 12. “Bami” sh.p.k, e cila kishte dhënë ofertën e pestë më të lartë, mbeti e para, pas skualifikimit të 4 të tjera që kishin dhënë ofertë më të ulët.
Në Maj të vitit 2016, Bashkia e Krujës hapi tenderin për “Zgjerimin e rrugës hyrëse të qytetit dhe rikualifikimin e qendrës”, në atë që konsiderohej si “Rilindje Urbane”. Vlera limit e parashikuar për këtë tender ishte mbi 3 miliardë lekë pa TVSH dhe financimi u krye nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve. Në tender morën pjesë 6 operatorë ekonomikë, ndër të cilët edhe bashkimi i kompanive “Bami” shpk dhe “ANK”. Në përfundim të procedurave, “Bami” & ‘ANK” u shpallën fitues të tenderit, pasi më parë Bashkia e Krujës kishte skualifikuar të gjithë konkurrentët e tjerë.
“Bami”, 25 mln lekë tendera në 4 vjet
Kompania “Bami” është krijuar në vitin 1999 dhe ka vendosur thuajse “hegjemoni” në tenderat për ndërtimin e rrugëve dhe punëve të tjera publike në zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës. Por megjithëse ka ruajtur një profil të ulët publik, “Bami” rezulton se ka përfituar tendera të konsiderueshëm në Bashkinë e Tiranës, së drejtuar nga Erion Veliaj, si edhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit e Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Në bazë të të dhënave të Open Data kompania “Bami” shpk ka përfituar, në total mbi 25 miliardë lekë të vjetra pa TVSH, shumë e cila përllogaritet në rreth 25 milionë euro. Gjatë mandatit të Veliajt në Bashkinë e Tiranës, kompania “Bami” shpk është shpallur fitues në disa tendera, me vlerë totale rreth 3.5 milionë euro. Nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, kompania nga Kruja ka arkëtuar rreth 1.5 milionë euro gjatë 4 viteve të fundit. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka kryer transaksione me “Bami” shpk, për një total prej mbi 7 milionë euro. Ndërkohë, Bashkia Krujë duket se është institucioni që ka ndihmuar më shumë në forcimin financiar të “Bami” shpk, me shpalljen fitues në tenderë, me një total prej rreth 7.5 milionë euro. Por, Veliaj vazhdon të mbetet financuesi kryesor i Besnik Bamit.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post