Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel është pritur sot në takim nga Olivér Várhelyi, komisionar për Fqinjësi dhe Zgjerim.
Në takim, thuhet se u bisedua për procesin e liberalizimit të vizave ndërsa shtohet se Kurti përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin sa më parë vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kreu i qeverisë në Kosovë theksoi gjithashtu angazhimin e qeverisë së tij për reforma dhe e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi.
Ai, sipas njoftimit, falënderoi Komisionin për punën që po bën për të bindur vendet anëtare skeptike për mbështetjen e një vendimi pozitiv në Këshill. Kurti ka kërkuar që shtetet e Ballkanit Perëndimor të trajtohen si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian.