Gentian Malindi, i cili qëndronte i fshehur prej tre vitesh, pasi kërkohej nga Policia si pritësi i një ngarkese me 137 kilogramë kokainë, u “tradhëtua” nga shqetësimi për bllokimin e anijes së tij, “Anyway”, e cila u sekuestrua këtë Korrik, nën dyshimet se ka kryer kontrabandimin e 70 mijë litrash naftë nga Libia.
Burime të besueshme të grupit hetimor deklaruan për “Gijotina.com” se Malindi ishte bërë “i gjallë”, duke kërkuar zgjidhje për anijen.
Kjo ndihmoi policinë dhe Prokurorinë e Posaçme që të binin në gjurmët e tij dhe të kryenin arrestimin në mesin e javës që lamë pas.
Gentian Malindi kishte arritur me sukses të fshihej në Shqipëri, pavarësisht se ndaj tij ishte lëshuar urdhër-kërkimi ndërkombëtar.
Familjarët e tij kanë kundërshtuar gjithnjë faktin se ai është përfshirë në trafik narkotikësh. Por ky variant ende nuk është besuar nga hetuesit.
Megjithatë, goditja që mori me sekuestrimin e anijes, duket se i ka ulur vigjilencës Gentian Malindit dhe ai u bë i gjurmueshëm nga receptorët e autoriteteve ligjzbatuese.
Peshkarexha “Anyway” u mbyt në rrethana të paqarta në 23 Shtator në Portin e Durrësit, ku qëndronte e sekuestruar nga Policia. Pavarësisht këtij fakti, pronari i saj, Gentian Malindi, duket se kishte lëshuar sinjalet e para, të mjaftueshmë që ai të binte në prangat e policisë.
Arrestimi
Gjykata Speciale vendosi këtë të Shtunë masën “arrest me burg” për Gentian Malindin, i dyshuar si organizator i trafikut të 137 kilogram kokainë, të kapur në Portin e Durrësit, në Shtator të vitit 2019.
Malindi u arrestua nga Policia në mes të kësaj jave, pas tre vitesh në arrati. Burime zyrtare policore shpërndanë njoftimin se Malindi u ndalua rastësisht, pas një kontrolli rutinor në automjetin e tij, në Vorë.
Por, burime nga grupi hetimor deklaruan për “Gijotina.com” se Gentian Malindi u identifikua, pas kontakteve me familjen, sidomos pas bllokimit të peshkarexhës së tij, “Anyway” në korrik të këtij viti, ku u zbuluan rreth 70 mijë litra naftë kontrabandë nga Libia.
Nga arratia, ai kishte lëshuar një prokurë për anijen, në emër të vëllait, Alban Malindi. Edhe ky i fundit është shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, pas zbulimit të naftës kontrabandë.
Babai i vëllezërve Malindi, avokati Ilir Malindi, ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj djemve të tij. Ai identifikon drejtuesin aktual të Agjenisë së Mbikqyrjes Policore (AMP), Ard Veliu, si organizator të sulmeve pa fakte ndaj Gentian dhe Alban Malindit.
Ndërkohë, autoritetet hetimore deklarojnë nga ana e tyre se ngarkesa prej 137 kilogramë kokainë që po vinte nga Ekuadori në kontenierët me banane të porositur nga kompania “Alba Exotic Fruit”, u hoq nga autoritetet greke në Portin e Pireut dhe u zëvendësua me oriz.
Dëshmitë e personave të arrestuar në atë kohë në Shqipëri identifikuan Gentian Malindin si pritësin e kokainës, e cila në Shqipëri erdhi e konvertuar në pluhur orizi.
Si u zbulua Malindi
Në 27 Tetor 2022, Policia njoftoi arrestimin e Gentian Malindit.
Në informacionin zyrtar thuhej se ai u arrestua në afërsi të Urës së Gjolës, në zonën e Vorës.
“Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 1050 euro, 11 500 lekë të rinj, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin qarkullonte 46-vjeçari. Ai qarkullonte me dokumente identifikimi kosovare, të falsifikuara. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Kuito”, tha Policia në deklaratën zyrtare.
Si u zbulua kokaina
Më 19 gusht 2019, kontenierët mbërritën nga Ekuadori, tranzit në portin e Pireut në Greqi dhe në këtë moment nisi operacioni, ku u zbuluan dhe u sekuestruan 500 kg kokainë nën koordinimin e DEA dhe autoriteteve greke të cilët më pas njoftuan edhe palën shqiptare.
Pasi kontenierët kanë qëndruar për 26 ditë në Pire, ku janë bërë disa takime me palën shqiptare greke dhe koordinimin e DEA-s zyrës kundër drogës së SHBA-ve me seli në Athinë është vendosur dorëzimi i kontrolluar e më pas lejimi për udhëtim drejt Shqipërisë në Portin e Durrësit.
Pas tre ditëve lundrim në det katër kontenierët me kokainë, të cilët dyshohej se i priste grupi i Gentian Malindit në Durrës, kanë prekur tokën shqiptare mbrëmjen e 17 shtatorit në orën 21:24 minuta.
Të përfshirët në këtë trafik nuk mbërritën që atë mbrëmje për të marrë pakot e kokainës duke i lënë atje për disa ditë.
Deri sa, mesditën e 19 shtatorit, personat që dyshohet se janë kontraktuar nga Malindi, Altin Myslikhaka dhe Ardian Bega paraqiten në terminal dhe hapin një nga kontenierët.
Sipas grupit hetimor, ata kanë hapur vetëm kontenierin me targë 313, duke hequr me një kaçavidë pllakën metalike dhe duke marrë prej atyre disa pako me çantë dore.
Pako, të cilat në vend të 137 kg kokainë kishin 136 kg oriz e gips, si dhe 1 kg kokainë në të cilën kishte të montuar pajisjen e lokalizimit satelitorë GPS duke u zbuluar.
Kontrabanda me anijen “Anyway”
“Gijotina.com” ka siguruar vendimin e plotë të Gjykatës së Durrësit, e cila paraqet në mënyrë të detajuar se si u krye vepra e dyshuar penale e kontrabandës së 70 mijë litrash naftë nga Libia drejt Shqipërisë, ngjarje e cila besohet se nxori nga arratia Gentian Malindin.
Më datë 23.07.2022 është marrë informacion në rrugë operative në lidhje me faktin se në anijen motopeshkatare “ANYWAY’’, e cila ndodhej e ankoruar në afërsi të Ish-Kantierit Detar Durrës, kishte një sasi karburanti, e cila dyshohej se ishte futur kontrabandë.
Punonjësit e policisë në Porin Detar Durrës e kanë konstatuar anijen, e cila ishte ngjitur me një motopeshkatare tjetër, me emrin Desli-n, dhe në të nuk kishte asnjë person.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se anija është në pronësi të shtetasit Gentian Malindi, i cili është në kërkim për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Nga verifikimet e kryera rezulton se kjo anije ka bërë nisjen e fundit me datë 14.07.2022 në orën 22:15 me ekuipazhin e saj, të përbërë nga shtetasit Flamur Aliu kapiten, Nuri Xheka mekanik, Kleton Sulejmani peshkatar dhe Arjan Neli peshkatar.
Nga verifikimi i bërë në Zyrën e Doganës, Dega e Akcizës në Port Durrës lidhur me furnizimin e bordit të anijes me karburant nafte rezulton se, më datë 18.12.2021, anija “ANYWAY’’ e ankoruar në Port Durrës është furnizua rme ngarkesën 20.001 litër Gasoil 10 ppm (i ngjyrosur) me deklaratën eme DAV- in, IM4, me nr.R16717, me destinacion furnizim bordi.
Është proceduar me këqyrjen e dokumenteve të furnizimit të anijes me karburant Gazoil të datës 18.12.2021, si dhe dokumenti i “konsumit i karburantit për anijen “ANYWAY’’, për datat e nisjes dhe mbërritjes nga data 14.12.2021 deri në datën 04.02.2022.
Gjithashtu është marrë për kqyrje edhe dokumenti “Prokurë e posaçme’’, e datës 26.02.2020, me nr.441 Rep dhe 83 Kol, nga ku rezulton se Gentian Malindi, si përfaqësues i shoqërisë me objekt tregtim peshku, emëron si përfaqësues për të kryer të gjitha veprimet në emër të tij shtetasin Alban Malindi, i cili është vëllai i tij.
Për nevoja të këtij hetimi është marrë një kopje e planit të tankeve të karburantit të anijes, ku nga verifikimi i këtij dokumenti rezulton se kjo anije ka kapacitet maksimal të furnizimit me naftë sipas skemës së tankeve së miratuar nga Regjistri Detar Durrës datë 04.06.2015, një sasi prej 69.022 litra naftë.
Nga kqyrja dhe marrja e dokumenteve, si drafti i zhdoganimit të sasisë së naftës së blerë nga subjekti Gentian Malindi, për furnizim me 20,001 litra naftë të anijes “ANYWAY”, në datën 18.12.2021, ku është paguar shuma për zhdoganim 274,681 lekë, duke u përjashtuar nga taksat doganore sipas ligjit për furnizimin e anijeve të peshkimit, ku sasia e naftës së marrë kakarakteristikat me përmbajtje sulfuri jo më tepër se 0,001 % ndaj peshës, gazoil 10 ppm (i ngjyrosur) densiteti në VACUM=0,8202.
Janë sekuestruar dokumentet e gjetura, në fotokopje, të tabelës së rezervave (lëndë djegëse dhe ujë) në anije, përfurnzim të bordit të anijes ANYWAY nga data 18.12.2018 dhe në vazhdim deri në datën 07.02.2022, ku nëpërmjet tabelës të përpiluar nga K/Mekaniku i anijes, jepen të dhëna për konsumin e anijes sa herë del për lundrim.
Policia ka kryer verifikimet për shtetasin Alban Malindi dhe ka rezultuar se ai është larguar nga Aeroporti i Rinasit për në Romë Itali me datë 07.07.2022 dhe nuk ka hyrje në Republikën e Shqipërisë.
Pavarësisht kërkimeve të bëra nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore për pronarët apo administratorët e kësaj anijeje, nuk është bërë e mundur gjetja e tyre.
Policia gjyqësore ka proceduar me kqyrjen e anijes dhe ka rezultuar se mbi kuvertën e saj kishte të vendosura dy depozita plastike në formë kubi me kapacitet 1000 litra, të cilat janë të mbushura me një lëndë diesel.
Po ashtu, nga verifikimi i kryer nga ana e specialistëve të Sektorit të Antikontrabandës dhe Doganës Detare Durrës, ka rezultuar se dhe tankerat e motopeshkatores janë të mbushura me lëndë të dyshuar si diesel.
Në pjesën e kuvertës, ku hyn për te kabina e anijes, është vënë re një derë mbyllur me çelës, e cila pasi është hapur, ka rezultuar një korridor ku ishin të vendosura pompa dhe kontaliter me tuba dhe zorra, si dhe disa shkallë që të çojnë poshtë.
Në një hapësirë nën kuvertë u dallua një kapak me bulona, e cila pasi u hap rezultoi e mbushur me naftë të futur në depo të mëdha, të cilat dyshohen se nuk janë sipas planit të depove, por se janë të modifikuara.
Nga ana e punonjësve të Degës së Doganës Sektori i Akcizës janë marrë mostrat në 5 vende, si dhe është kryer plumbosja e tyre me plumbçe.
Policia gjyqësore ka proceduar me sekuestrimin e anijes “ANYWAY”, si dhe të sasisë së karburantit të gjetur mbi kuvertë, e cila rezulton se është 72.000 litra dhe sasia e karburantit e gjetur në kuvertë në dhomat e modifikuara të anijes.
Versioni i kapitenit të anijes
I pyetur në cilësinë e personit nën hetim, shtetasi Flamur Aliu ka deklaruar se ka qenë hera e parë që dilte për peshkim me anijen “ANYWAY’’, pasi ka biseduar më një shtetas që quhej Nedi, të cilin e dinte si administrator të kësaj anije.
Me datë 14.07.2022 ka dalë për gjueti peshkimi së bashku me Nuri Xhekën dhe 2 peshkatarë të tjerë, Arjanin dhe një tjetër që nuk ja dinte emrin.
Kanë ikur në drejtim të detit Mesdhe, ku kanë punuar disa ditë. Duke qenë se nafta po i përfundonte, është drejtuar në Portin e Bengazit, Libi, ku, pasi ka biseduar me disa shtetas libian, ka rënë dakord që sasinë e peshkuar që kishte kapur ta shkëmbente me naftë.
Ai është shprehur se ka marrë 73 mijë litra naftë më datë 22.07.2022 dhe është kthyer rreth orës 08:30 në Portin e Durrësit. Nuk disponon asnjë faturë, as për shitjen e peshkut, as për blerjen e naftës, si dhe nuk ka pasur të ndezur GPS e anijes pasi nuk punonte.
Deklarimi i mekanikut në polici
I pyetur si person nën hetim, Nuri Xheka ka deklaruar se më datë 14.07.2022 ka takuar tek Porti i Peshkimit shtetasin Flamur Aliu, i cili ishte kapiteni dhe pronari i anijes “ANYWAY”. Flamuri i ka thënë se do dal për peshkim dhe kishte nevojë për marinar dhe ai ka pranuar.
Janë nisur për udhëtim, së bashku me 2 peshkatarë të tjerë Arjan Neli dhe një person tjetër, të cilit nuk ja kujton emrin.
Kanë lundruar për 7 ditë në ujërat ndërkombëtarë dhe Flamuri i ka thënë se po i mbaron nafta dhe do shkonin të furnizoheshin në Portin e Bengazit, Libi.
Pasi kanë mbërritur aty, Flamuri iu ka thënë se ka bërë marrëveshje me libanët dhe do shkëmbenin peshkun me naftën. Fillimisht kanë bërë shkarkimin e peshkut. Më pas është ngarkuar nafta, rreth 73,000 litra naftë. Më pas janë kthyer në Durrës.
Ai ka deklaruar se nuk ka dijeni për marrëveshjen e bërë nga Flamuri me shtetasit liban, si edhe që është thjesht peshkatar dhe ka qenë hera e parë që ka hipur në atë anije.
Discussion about this post