Ka ndryshuar ditën e djeshme plani për ndeshjen mes Partizanit dhe Bylisit, e vlefshme për javën e 12-të të Kategorisë Superiore. Ndeshja ishte planifikuar të luhej ditën e diel në orën 13:00, por gjithçka është spostuar një ditë më pas dhe lajmi i madh është se do të luhet me drita.
“Panorama Sport” mëson se ka përfunduar gjithçka sa i përket ndriçimit dhe ditën e sotme do të kryhet një provë gjenerale për të testuar kullat e ndriçimit. Në fakt një miniprovë është kryer dhe gjithçka është dukur në rregull. Kjo është arsyeja përse palët kanë vendosur që ndeshja do të luhet ditën e hënë në orën 16:00 pikërisht në stadiumin “Partizani”.
PUNIME INTENSIVE
Përveç ndriçimit, në stadium janë për t’u përfunduar edhe detaje të tjera dhe punëtorët janë shpërndarë në të katërta anët. Gjatë këtyre ditëve po punohet me orë të zgjatura, teksa ka pasur raste kur është punuar edhe deri në orët e vona të natës, pasi koha nuk premton shumë.
RRETHIMI
Ditën e djeshme ka përfunduar tërësisht rrethimi i stadiumit. Punëtorët kanë salduar hekurat e fundit dhe kanë mbyllur këtë element të rëndësishëm. Po dje në stadium ka qenë i pranishëm një nga oficerët e sigurisë nga firma e kontraktuar nga FSHF-ja për sigurinë në stadiume. Ai ka inspektuar gjithë elementet e sigurisë dhe ka dhënë dritën jeshile për përmbushjen e këtij kriteri.
DEMI
Presidenti i klubit të kuq gjatë këtyre ditëve ka qenë shumë i interesuar për punën në stadium. Ai ka vizituar disa herë në ditë impiantin për të ndjekur punimet dhe për t’u siguruar se gjithçka po bëhet me ritmin e duhur. Siç dihet, presidenti është shumë detajist dhe kërkon gjithnjë perfeksionin.
Dhomat e zhveshjes janë tërësisht gati dhe në hollin e stadiumit ka përfunduar shtrimi i një tapeti të kuq, teksa në mes të tij është stampuar një “dem” dhe viti 1946, kur është themeluar klubi.
DETAJET E FUNDIT
Ditën e djeshme ka nisur montimi i karrigeve të tribunës VIP. Gjithashtu, kanë mbërritur stolat e pankinave dhe nga dita në ditë pritet edhe struktura mbuluese e tyre. Po punohet për sektorin e improvizuar të gazetarëve, që momentalisht do të vendosen në majë të tribunës qendrore.
Shkallët janë lyer me ngjyrë të kuqe dhe do t’u vendosen dy shirita të bardhë anash për kontrastin e duhur. Kanë përfunduar të gjitha lidhjet elektrike, përfshirë edhe ato për furgonin e VAR-it. Gjithashtu, është drejt përfundimit prodhimi i banerave të reklamave, që do të vendosen anës fushës.
INAUGURIMI
Ndaj Bylisit është ndeshja e parë në Superiore, por jo ajo inauguruese e këtij stadiumi. Klubi i kuq nuk do të bëjë një ceremoni të tillë, pasi presidenti Demi kërkon që kjo të ndodhë kur gjithçka të jetë e plotësuar.
Qëllimi është që kjo të ndodhë në dhjetor të këtij viti, në ndeshjen ndaj Kukësit. Deri atëherë klubi pretendon që të ketë përfunduar edhe hoteli dhe zyrat e akademisë së klubit, ku aktualisht po punohet për instalimet elektrike dhe hidraulike.
Discussion about this post