Çet Kastrati tejkalon planin e mbledhjes së të ardhurave nga tarifa e Rrugës së Kombit. Ky lajm jepet me krenari nga Ministria e Financave në një raport mbi Monitorimin e Kontratave të Koncesioneve. Dhe më tej hidhet llokumja për publikun: Po shihet mundësia e uljes së tarifës! Por çfarë po fsheh Qeveria? Pse u vonua plot 3 muaj ky raport? Nga ana tjetër, Gijotina zbulon se raporti mungon në Projekt-Buxhetin e qeverisë për vitin 2023, dorëzuar këto ditë në Kuvend.
Arsyea është pikërisht koncesioni problematik i Rrugës së Kombit, apo siç quhet zyrtarisht Autostrada Milot-Morinë. Koncesioni i debatuar, i projektuar nga Qeveria “Berisha” dhe i vënë në jetë Qeveria “Rama” parashikonte investimin e 5.3 miliardë lekëve nga firma Albanian Highway Concession. Kjo kompani zotërohet me 50% të aksioneve nga Salillari dhe 50% nga Kastrati. Dy oligarkët e rrethit të ngushtë të qeverisë.
Autostrada, jo vetëm që nuk ka parametrat evropiane, siç u angazhuan operatorët në kontratë, por përdoret thjesht si makineri që pret para për koncesionarin. Këtë vjedhje të taksave tona e pasqyrojnë të dhënat e publikuara nga raporti i mbajtur i fshehur, mbi Performancën e Kontratave të Koncesionit dhe të Partneritetit Publik Privat.
Raporti u publikua më 9 nëntor 2022, në një cep të pavizitueshëm të faqes zyrtare të Ministrisë së Financave, pas insistimit gati 4-mujor të gazetarëve. Sipas tabelave të publikuara gjatë 2021-shit, koncesionarit i xhirohen çdo vit rreth 800 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Në bazë të kontratës, shteti subvencionon kur bie trafiku i makinave, ndërsa ndodhemi në rastin kur Kastrati i ka tejkaluar edhe objektivat që i ka vënë vetë.
Nuk ka asnjë argument nga Ministria e Financave, përse i janë dhënë këto para Çet Kastratit dhe ortakut të tij. Për shembull, vetëm për një pjesë të vitit aktual 2022, qeveria i ka dorëzuar Çetit 743 milionë lekë. Janë këto transferta që qeveria po ua fsheh deputetëve gjatë diskutimit të projektbuxhetit. Këto lekë, që u merren taksapaguesve dhe u kalohen dy oligarkëve janë transfertë e paligjshme, një vjedhje e hapur.
Fitimet nga tarifat tejkalojnë imagjinatën
Gjithashtu, në këtë raport evidentohet se, vetëm nga të ardhurat që grumbullojnë nga tarifa e rrugës, Kastrati dhe ortaku i tij fitojnë mbi 17 miliardë lekë në 1 vit. Për shembull gjatë viti 2021 raportohen 1,74 miliardë lekë të reja të ardhura, të përfituara nga tarifa e rrugës që paguajnë automjetet. Tejkalohet çdo imagjinatë!
Kujtojmë se marrjen autostradës Milot-Morinë nga Kastrati dhe Salillari, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për vendosjen e tarifave në këtë aks. Këto para dy oligarkët i mbledhin respektivisht nga tarifat e mëposhtëm:
-Tarifa për kalimin e automjeteve në autostrada Milot-Morinë është 660 lekë ( 5 euro).
-Automjete e rënda paguajnë 1490 lekë.
-Kamionë të mesëm dhe autobus të rëndë, përfshirë mjete me lartë 2.7 m paguajnë 21 40 lekë.
– Kamionë të rëndë 4 akse a më shumë, 2970 lekë.
Nuk mjaftojnë fitimet, marrin edhe subvencion!
Këto tarifa rritën pasurinë e Çetit dhe Lulzimit, por shtuan koston për transportin e linjave ndërqytetëse, por edhe transportin e mallrave dhe njerëzve mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Kështu, sipas një llogarie fare të thjeshtë nga 790,027. 000 lekë që i jepen nga buxheti i shtetit në 2021, plus 1,736,257, 000 lekë që u mblodhën nga tarifat, Kastrati dhe ortaku fusin në arkë mbi 2.5 miliardë lekë. ( 1,736,257, 000 lekë +790,027. 000 lekë= 2.526. 284 lekë).
Ministria e Financave nuk kërkon fitimin
Ministria e Financave, e drejtuar nga Delina Brahimaj, po manipulon situatën për të pasuruar Kastratin dhe Salillarin. Në raportin vjetor theksohet: “Autoriteti Kontraktues shprehet se mundësia e materializimit të tij është e mundur në uljen e tarifës së kalimit në Sheshin e pagesës”.
Autoriteti i kontraktues është Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë (MIE), e cila nuk ka bërë publik asnjë informacion mbi ecurinë e investimit në këtë koncesion as vitin e kaluar dhe as në vitin në vazhdim. Kur vjen puna për llogaridhënien, Ministrja Belinda Balluku fshihet formalisht pas Agjencisë ATRAKO që “mbikëqyrë” kontratat e koncesionit. Në fakt kjo agjenci fut në sirtar vetëm dokumente që i vijnë nga ministritë e linjës. Pra, është e qartë, se Delina Brahimaj është urdhëruar ta bëjë këtë raport “shkel dhe shko” vetëm për t’u mbyllur gojën mediave.
Nga ana tjetër, kontrata përcakton se në këtë situatë Kastrati duhet të dorëzojë gjysmën e fitimit në shtet. Këtë fakt, Ministria e Financave e fsheh dhe nuk bën asnjë analizë. Së pari, Kastrati dhe ortaku i tij akoma nuk kanë dorëzuar pasqyrat financiare të vitit 2021. Gjithsesi, Gijotina.com zbulon se kompania koncesionare ka dalë me fitim. Vitin e kaluar fitimi ishte afro 5 miliardë lekë, më konkretisht 50 484 560,00 lekë.
Së dyti, sa ka qenë fluksi i trafikut të makinave në Rrugën e Kombit? Përse Ministria e Financave e fsheh këtë informacion? Përgjigja është tek fakti tronditës i zbuluar në të dhënat e Thesarit të Shtetit.
Kastrati me duart në Thesarin e Shtetit
Më 15 shtator 2022, kompanisë Albanian Highëay Concession me urdhër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit të shtetit, i janë xhiruar 360,119,520 (mijë) lekë. Më 25 mars 2022, koncesionarit i është bërë një tjetër transfertë e madhe me vlerën 380,858,760 lekë. Edhe kjo pagesë është urdhëruar nga MIE me përshkrimin “Pagesa nr 6 subvencion Milot Morin shkresa 7/3, datë 17/3/22…”
Nuk mbaron me kaq! Oligarkët kanë vënë në rresht çdo institucion të bëjë transferta për llogari të tyre. Kështu, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka paguar 39,600 lekë për “kalim trari për automjetin, fat nr 222/2022 dt 02.02.2022”. Sa herë paska kaluar ky automjet?! Ndoshta 700 herë për dy muaj! Në një shtet normal duhej të paraqiteshin të gjitha faturat përkatëse me data dhe orën e kalimit tek trau i Kastratit.
Kurse Prefektura e Kukësit paguan parapagim! Mos u habisni! Transaksioni prej 6000 lekësh në drejtim të koncesionarit me datë 25 shkurt 2022 ka përshkrimin: “Prefektura: likuidim parapagim takse trau Viti 2022, fatura nr 272/ 2022….”. Fatura pa fund të vjela nga shteti vazhdojnë edhe në vitet paraardhëse.
Në vend që Ministria e Financave të llogarisë dhe kërkojë 50% të fitimit që kjo kompani i detyrohet shtetit, i bën transaksione subvencionimi në vlera tronditëse. Është vetë MIE, në rolin e Autoritetit kontraktor që ka konstatuar kapërcimin e planit të mbledhjes së të ardhurave nga tarifa e kalimit. Kjo do të thotë se jemi në kushtet kur fitimi ndahet me shtetin. SPAK-u duhet ta mbajë shënim këtë fakt, se do t’i duhet një ditë!
Opinioni le ta mësojë të vërtetën: Koncesioni i Rrugës së Kombit ka dalë me fitim dhe ndërkohë vazhdon të marrë subvencion nga shteti! Të paktën 2.5 miliardë lekë nga fitimi vjetor i koncesionarit në vitin 2020, duhet t’i jepen arkës së shtetit! Nga ana tjetër, “ulja e tarifës së Rrugës së Kombit” (nëse do të bëhet) nuk mund të mbulojë vjedhjen që i bëhet Thesarit të Shtetit me fatura të urdhëruara nga ministreve. Nga ulja e tarifës mund të përfitojnë direkt transportuesit, por jo të gjithë taksapaguesit shqiptarë.
Tejkalohen të ardhurat, por investimet sa gjysma e planit
Po investimet?! “Për 9-mujorin e vitit 2019, financimi nga buxheti i shtetit ka qënë në vlerën 315.6 milion lekë, me një realizim prej 46.1 përqind nga plani vjetor 2019 prej 685 milion lekë” thuhet në raportimin e Financave. Sipas këtij dokumenti, rezulton që në janar-shtator 2019, kjo kompani të ketë arkëtuar mbi 1.4 miliardë lekë. Në një kohë që parashikimi për të gjithë vitin ishte 1.3 miliardë lekë. Ndërkohë, ortaku tjetër i koncesionit, Salillari ka marrë edhe kontratën për lidhjen e aksit Milot-Morinë me Aeroportin e Kukësit, për të cilën është paguar 4.6 milionë euro
Siç kuptohet, fshehja e situatës dhe mungesa e llogaridhënies nga Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës për këtë koncesion, lë të kuptohet se paratë e buxhetit të shtetit do të vazhdojnë të xhirojnë në xhepat e dy oligarkëve. Në fakt, Buxheti i Shtetit nuk duhet të llogarisë më fonde për koncesionarin e rrugës Milot-Morinë.
Të paktën, për aq kohë sa koncesionari regjistron të ardhura të shumta nga kjo kontratë. Por, në saj të abuzimit mirëmbajtja e kësaj rruge po kushton më shumë se sa ndërtimi i saj. Dy oligarkët e bëjnë të mundur këtë përvetësim përmes ndikimit të vendimmarrjes. Pas nënshkrimit të vendimeve të qeverisë në favor të tyre, tani firmosen pa u ndalur transaksionet përmes Thesarit të Shtetit.
Lexo edhe: Mashtrim në Rinas/ Kastrati e shet pistën e kinezit e si të vetën, blof me investimin 38 mln euro!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post