“100 fshatrat janë zgjedhur mbi bazën e potencialit të tyre turistik. Dhe pritet të shndërrohet në qendra të një lloj turizmi të ri, atij rural”. Është shprehur kryeministri Edi Rama kur e prezantoi këtë projekt para investitorëve të huaj në vitin 2018. Madje ai i ftoi ata që të investojnë për këtë projekt në vendin tonë. Por, me sa duket investitorët e huaj nuk e kanë besuar lojën e pistë për të vjedhur fonde. Kështu që ky projekt po mbetet veç në letër.
Një auditim i Kontrollit të lartë të Shtetit në Fondin Shqiptar të Zhvillimit ka nxjerrë në pah të gjitha shkeljet. Dhe manovrat që janë bërë nga qeveria për të përvetësuar dhe devijuar fondet e projektit “100 fshatrat”.
Planifikohen miliarda, investohen zero lekë
Nga kontrolli konstatohet se, për këtë vit buxhetor programi “100 Fshatrat”. Megjithëse kishte parashikimin e investimeve në vlerë të konsiderueshme, paratë janë rialokuar në zëra të tjerë. Pas ndryshimeve finale të ndodhura, programit i janë zbritur fondet e plota në masën 100% të tyre. Duke e lënë këtë program pa zhvillime reale.
“Sa i përket ecurisë së tavaneve për secilin program rezulton se: Programi i Zhvillimit si program në total ka pësuar një rritje prej 635 milionë lekë ose 6% më tepër se çelja e tij”, raporton KLSH.
“Ndërsa financimi i huaj pjesë e këtij programi ka pësuar ulje në shumën 500 milionë lekë ose 9% krahasuar me çeljen e tij”, konstatohet nga audituesit.
Më tej raporti zbulon se si ka firuar ky projekt. “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale ka pësuar një ulje të tavanit buxhetor prej 2,100 milion lekë ose (-) 47% krahasuar me çeljen e tij. Programi 100 Fshatrat i çelur si fillim në vlerën 1,000 milion lekë është zvogëluar po në këtë vlerë. Pra, në masën (-)100% të tij”, thuhet në raport. Vini re në tabelën e mëposhtme ku duket qartë se si investimi për “100 fshatrat turistike” ka përfunduar në zero lekë.
Sikur përmendem më lart, kanë qenë vendimet e njëpasnjëshme të qeverisë për ndryshimin e buxhetit. Që kanë marrë nga fondet e këtij projekti, për t’i kaluar tek aferat e korrupsionit. Së pari, Ky program buxhetor i çelur në buxhet për shumën 1 miliard lekë. Është zvogëluar në masën 80 % të tij me Aktin Normativ nr. 02 datë 2 tetor 2019. Dhe me Aktin Normativ nr. 11 datë 24 dhjetor 2019 është bërë zero, pra duke zvogëluar dhe pjesën e mbetur.
Ku shkuan paratë e “100 fshatrave”?
Ajo që konstatohet në raport është se, Rama i ka marrë paratë nga fondi për projektin “100 fshatrat”, i ka shpërndarë në aferat e bëra gati nga ministrat. Një nga anëtarët e kabinetit që ka përvetësuar këtë fond është ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Përmes një vendimi me datë 26 shkurt 2020, qeveria ka marrë 620 milionë lekë nga programi “100 fshatrat”. Dhe ia ka kaluar Ministrisë së Drejtësisë për blerje pallati për një projekt specifik. Kështu, “100 fshatrat” shndërrohen në një ‘pallat”.
“Me VKM nr. 356 datë 26.02.2020 “Për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Financave dhe Ekonomisë për Ndërmarrjen Industriale nr.1 Tiranë, të pasurisë nr. 1/645, Zona Kadastrale nr. 8210, Tiranë dhe miratimin e projekt-kontratës së shitblerjes së pasurisë së paluajtshme për qëllim të zbatimit të programit të integruar të zhvillimit “Poli i Drejtësisë””, Ky është vendimi i dyshimtë që thekson auditimi.
“Referuar pikës nr.5 të këtij vendimi, pagesa e këstit të parë prej 620,200 mijë lekë do të përballohet nga fondet e FSHZH, të cilat i zbriten programit buxhetor “Programe Zhvillimi” nr. 06210 dhe atij nr. 04230 “programi 100 Fshatrat”, nënvizon raporti. Pra, shihni se si kjo sasi e madhe parash shkon gjoja për “Polin e Drejtësisë”.
Historia e aferës me “Polin e Drejtësisë”
Historiku i blerjes së godinës fillon në vitin 2013. Kur qeveria e Sali Berishës i fali Dhomës Kombëtare të Avokatisë 25 mijë metra tokë publike tek Fusha e Aviacionit. Dhoma e Avokatëve e ndërtoi me fondet e veta godinën duke e mbajtur sekret çmimin e ndërtimit. Por ajo nuk mund të mbante dot fshehur tatimin e paguar në Bashki. Sipas regjistrit të taksave në Bashki, taksa e ndikimit në infrastrukturë që është paguar për Korpusin e Avokatisë është 19.4 milionë lekë. Meqë kjo taksë është sa 8 për qind e vlerës së investimit. atëherë e gjithë ndërtesa ka kushtuar 232 milionë lekë ose më pak se 1.9 milionë euro.
Por pas përfundimit të godinës, dikujt në qeveri i lindi idea për të bërë biznes. Në prill të vitit 2019, qeveria ngriti një grup të posaçëm pune me përfaqësues nga disa ministri. Për të bërë vlerësimin e godinës dhe për të hartuar projekt-kontratën e blerjes. Grupi bëri vlerësimin, përgatiti projekt-kontratën dhe godina me vlerë 2 milionë euro e ndërtuar mbi tokë të falur shtetërore, u pagua nga taksapaguesit shqiptarë plot 12.6 milionë euro.
Për këtë lëvizje të pistë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, javën e fundit të dhjetorit 2021 ka kaluar në drejtim të Ndërmarrjes Industriale 1, shumën me vlerë 509.000.000 lekë. Ky është një nga katër transaksionet e realizuar deri tani për të mundësuar blerjen e godinës “Poli i Drejtësisë”. Deri tani nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në drejtim kanë kaluar në total 1,499,200,000 lekë, ose rreth 15 miliardë lekë të vjetra, në 4 transaksione.
Goditjen më të madhe nga kjo aferë korrupsioni mes ministrave dhe “avokatëve të djallit” e mori projekti “100 fshatrat”.
Po ç’ndodhi në vitin 2020, menjëherë pas vendimit të qeverisë? Më pas 200 milionë lekë i janë reduktuar për të shtuar fondet për “Programin e zhvillimit” dhe “Programin e rrugëve rurale”. Kjo ka bërë që fondi me financim të huaj për “100 fshatrat” të zerohet.
“Programi i Zhvillimit si program në total ka pësuar 2,172 Milion Lekë rritje, ndërsa financimi i huaj pjesë e këtij programi ka pësuar rritje me vlere 150,000 Mijë Lekë krahasuar me çeljen e tij.
-Infrastruktura Vendore dhe Rajonale ka pësuar ulje me vlerë 1,000 Milionë Lekë ose (-) 28% -Programi “100 Fshatrat” i çelur si fillim me buxhet në vlerën 200,000 Mije Lekë, në fund të vitit është bërë zero”, theksohet në raport.
Po në këtë vit fond i për këtë projekt është zvogëluar në masën 100 mijë lekë. Të cilat shkuan për Ministrinë e Drejtësisë. Kështu, nga auditimi konstatohet se, ky program edhe për vitin 2020 vijon të mos ketë ecuri. Sigurisht, të gjitha këto janë akte të aprovuara nga Rama dhe ministrja e Financave e asaj kohe Anila Denaj.
Paratë shkojnë për blerje makinash
Edhe për gjatë vitit të shkuar, qeveria ka luajtur “ping-pong” me fondet për projektin “ 100 fshatrat”. Të dhënat tregojnë se për vitin 2021, ky projekt kishte në dispozicion 500 milionë lekë. Pretendohej që këto para të shkonin për të rregulluar infrastrukturën e “100 fshatrave” .
“Me VKM-në nr. 851, datë 29 dhjetor 2021, “Miratimin e transfertës kapitale në llogari të Fondit Shqiptar Të Zhvillimit” i është pakësuar fondi prej 600.000.000 lekë. I parashikuar në “programe zhvillimi” dhe i detajuar përkatësisht 500.000.000 lekë për llogari të FSHZH-së”, thekson vendimi.
Ky fond në duart e FSHZH, të drejtuar nga Dritan Agolli u prish për makina. Në fund të vitit, Agolli e ka zbritur 400 milionë lekë për të blerë makina për nevoja të FSHZH. “Buxhetit të institucionit në programin “100 Fshatrat” i është pakësuar fondi prej 400.000.000 lekë i parashikuar për ndërhyrjen dhe përmirësime ne konektivitetit dhe rrugëve të aksit, kalohet nga zëri investime në “transfertë kapitali” për llogari të FSHZH-së, për blerje makinash. Si pjesëmarrje në kapitalin e operatorit për mirëmbajtjen dhe hapjen e rrugëve rurale dhe turistike”, theksohet në dokument
Sipas raportit të KLSH, të gjitha këto çojnë në përfundimin se është kryer një proces buxhetimi subjektiv dhe i pabazuar në analiza korrekte. Ndërsa FSHZH e quan të realizuar 100% investimin “100 fshatrat”.
“Nga auditimi u konstatua një mosrakordim në shifrat e realizimit të buxhetit total të vitit 2021. Programin “100 Fshatrat” e konsideron me realizim 0, për shkak se fondet e çelura nuk kanë shkuar në destinacionin e parashikuar. ”, përcakton Audituesi.
Në këto kushte, Audituesi shprehet me gjuhë moderuar se këto para janë shfrytëzuar pa kriter. Në shkelje të ligjit duke mos dhënë asnjë investim konkret. Në fakt, KLSH vetëm sa e ka prekur majën e ajsbergut që fshihet poshtë korrupsionit të mbuluar me banderolën “100 fshatrat”!
Lexo edhe: Gjinari, pjesë e projektit “100 fshatrat” pa investime nga bashkia
Esmeralda Hida
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post