Çdo herë nga foltorja e Parlamentit, zëvendësministrja, Belinda Balluku, vazhdon t’iu kërkojë qytetarëve të kursejnë energji dhe karburant. Sipas saj, nuk ka asgjë të keqe të shkosh në këmbë në punë apo edhe me transport publik, sepse jemi në luftë!
Por, ç’po ndodh në Kuvend?
Me firmë të Lindita Nikollës, po blihet karburant, që deputetët të kenë rezerva edhe për dy vitet e ardhshme. Edhe pse akoma nuk është hapur buxheti i vitit 2023, si dhe nuk dihet se si do të ecin çmimet e karburanteve, Kuvendi po blen naftë për vitin 2024.
Më datë 12 dhjetor Kuvendi i Shqipërisë ka publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik tenderin me numër reference REF-51825-12-02-2022 dhe objekt “BLERJE KARBURANT PËR NEVOJAT E VITEVE 2023-2024”. Sipas të dhënave, vlera e parashikuar që do të shpenzohet për karburant është 27.634.900 lekë (të reja). Ndërsa kontrata do të zgjasë deri në 31 dhjetor 2024.
Në dokument evidentohet se, 13.647.455 lekë parashikohen të shpenzohen gjatë vitit 2023. Ndërsa pjesa tjetër, 13.987.445 lekë do të furnizohet karburant përgjatë vitit 2024. Kjo nuk do të thotë se gjatë dy viteve nuk do të ketë shtesë në kontratë, sepse çmimi i naftës në dy vitet e ardhshme mund të rritet. Nga ana tjetër nuk përcaktohet cilësia e karburantit që do të furnizohet. Nga ana tjetër, Kuvendi mund të prokurojë gazoil edhe për sistemin ngrohës, pasi në njoftimin paraprak nuk është përcaktuar ende.
Shpenzim luksi
Sa litra karburant u prokuruan për dy vitet e ardhshme? Për shembull, për vitin 2023 janë lënë në dispozicion 13.647.455 lekë dhe duke e përpjesëtuar me çmimin e naftës aktualisht në treg 196 lekë/litër, rezulton se Kuvendi do të blejë afro 69 629, 89 litra naftë (afërsisht 70 mijë litra, nëse këto para do të shkojnë vetëm për gazoil) vetëm për një vit.
Ndërsa, në vitin 2024 parashikohet të blihet 71 mijë litra naftë. Gjithë këto shpenzime për makinat e Kuvendit?!! Çfarë hipokrizie, kur këto para mund të shpenzoheshin të paktën për ngrohjen në shkolla, ku nxënësit vazhdojnë të mësojnë në të ftohtë.
Lexo edhe: Lindita Nikolla bën tender 155 mln lekë për shërbime mirëmbajtje virtuale dhe e jep pa garë
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post