Nga Flutura Açka- Më lejoni të kthehem në kohë e të sjell në vëmendjen tuaj betejën epike të Rorke’s Drift, mes një grushti ushtarakësh anglezë dhe mijëra Zuluve , betejë e fiksuar në filmin ikonë “Zulu”, kushtuar kolonizimit të Afrikës së Jugut, betejë që prodhoi plot 11 “Victoria Cross”, dekorata më e lartë e ushtrisë angleze.
Tani, 150 vjet më vonë, dekoratat e asaj dite dhe të shumë nderimeve të përngjashme nëpër Europë, janë pjesë e debatit publik nëse ka ardhur koha që ato të hiqen, pasi janë marrë duke vrarë e masakruar kombe. Jua solla këtë shembull për të treguar se vlerësimet me tituj e dekorata, pavarësisht rëndësisë që kanë pasur në kohën e tyre, shoqëria ka detyrimin t’i revizionojë kur ato nuk i justifikon më asnjë kontekst human.
A do t’i revizionojnë këto dy ligje për dekoratat dhe titujt, siç i paskëshit ndarë ju, dekoratat e pinjollëve të diktaturës, të spiunëve të sigurimit që kanë çuar në gijotinë shqiptarë të ndershëm, prokurorët që nuk u lanë as varr martirëve të diktaturës, apo ata me të shkuar të dyshimtë apo të korruptuarit që kanë mbushur këta 30 vjet institucionet e larta publike, të cilët, përveç përfitimeve financiare, kanë marrë edhe një mirënjohje bujare nga shoqëria shqiptare dhe kanë qenë pjesë e të gjitha protokolleve të larta shtetërore?
Edhe pse ky ligj mëton ta rregullojë këtë, druaj se kjo nuk ka për të ndodhur kurrë, njëlloj si dekomunistizimi, njëlloj si lustrimi, njëlloj si katarsisi moral që nuk ndodhi kurrë. Sepse ju jeni këmbët e kokës që duhet t’i bini. Dyshoj, pra, e bindur, se një shtet që ligjëron ndërtimet informale, paranë informale të krimit, që ngre administratë informale të mbushur me patronazhistë, që bën zgjedhje informale dhe drejton në mënyrë informale me vullnetin e vjedhur të popullit të tij, është një shtet informal dhe nuk e ka për gjë fare të ngrejë piramidën e një morali dhe nderimi informal. Edhe nxitimi me të cilin po e kaloni këtë ligj, e shpjegon fare qartë këtë.
Ju po kujdeseni për markën e kruajtëseve të dhëmbëve të një kufome që po dekompozohet para syve tanë, pushtetit tuaj. Madje, në kushtet në të cilat erdhi me nxit dhe po miratohet shkel e shko, me gjithë kozmetikën që po i qepni, i ngjan veshjes së mbretit lakuriq dhe na bën ne të gjithëve bashkë pjesë të një parodie, e njëjtë me atë të fundit të Princ Vidit, i cili ndërsa po humbte Shqipërinë për fare në fundin e verës së vitit 1914, vazhdonte të ndante dekorata në Konakun e Durrësit, duke e kthyer edhe veten në një figure komike.
Një figurë të tillë komike do të duket shpejt edhe Kryeministri ynë sapo ta miratoni sot këtë ligj, sepse do të japë medalje në një vend të kolonizuar nga krimi, nga varfëria, nga emigrimi, nga pasiguria. Po, edhe nga uria. Madje, dëgjoja këto ditë një specialist tuajin që i vinte keq që nuk ia kishte lënë të gjitha kompetencat për titujt dhe dekoratat kryeministrit dora vetë, në mënyrë që t’i ngjanim Europës dhe të krijonim një trashëgimi të medaljeve të kinse munguar deri tani.
Pra, mëkat që nuk i ka të gjitha Kryeministri! E pra, është po i njëjti specialist, i cili pasi u lodh për trashëgiminë në opozitë, madje edhe për ferrat e thurimës së Presidencës, sapo erdhi në pushtet vetë, dhe me shpurën e tij rilindase, e fshiu nga fjalori fjalën trashëgimi kulturore. Mbase në një vend normal, do të ishte normale që e gjitha kjo procedurë t’i jepej kryeministrit, por çështja është a kemi ne kryeministër? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e kam dhënë shpeshherë në këtë foltore, ndaj nuk po merrem këtu. Në syrin tim këto dy ligje janë veshtullia e fundit e “Patronazhimit Total” që ia keni ngritur si kurth shoqërisë shqiptare.
Një kënaqje publike, një eglendisje, një skeç i radhës i kësaj parodie që ju përshkrova, mu si kostumi i bardhë i një të marri në një ditë funerali. Ju thjesht po përgatisni një rreth tjetër patronazhimi dhe përkëdheljeje për “adhuruesit e djallit”, po të përdor një shprehje të Bernard Show-t. Shpjegimi që u bëni ju këtyre ndryshimeve të nxituara është i ashtuquajturi inflacion dekoratash e titujsh që paskësh ndarë presidenti. Pra, presidentët.
Edhe mua, ç’është e vërteta më ka bërë përshtypje ndonjëherë lehtësia e të bërit foto e ndonjë mediokri me kartonin e kuq në presidencë, sikurse më ka bërë më shumë përshtypje që njerëz shumë të nderuar që tani hanë dhé, njerëz mendjendritur, por me sjellje modeste, të cilët i kanë dhënë e i japin Shqipërisë, nuk i vlerëson kush. Por çështja është se nga këtej e tutje ju do t’i zgjidhni, ju do t’i miratoni, ju do t’i ftoni, Presidenti vetëm bën dekretin.
Presidenti i vë vulën, por nderin të nderuarit dua t’ua dinë juve. Madje, ju shkelni edhe Kushtetutën për t’ia marrë nderin Presidentit dhe me këtë ligj e ktheni Presidentin në noterin tuaj. Dhe a beson njeri se këtë vjegë të koklavitur përnderimi do ta zgjidhë Kancelaria dhe Kolegji kancelarik i Urdhrave dhe i Medaljeve, që do të varet nga Kryeministri? Kush i garanton shqiptarët që kjo agjenci nuk do t’u ngjajë të gjitha agjencive të shumta që keni ngritur në qeverisjen tuaj në këta dhjetë vjet dhe do të rehatojnë në punë militantët tuaj që patronazhojnë Shqipërinë, siç bëtë një muaj më parë duke shtuar me votat e këtij Parlamenti shpejt, natën, fshehur, në heshtje të plotë 30 për qind të administratës së AMA’s, jo me moniturues e kontrollues, por me magazinierë e blerraditësa e bjerraleksa të shqiptarëve. Këto dy ligje haleluja janë qoka juaj e re elektorale.
Dhe ja që ta shpjegoj më qartë. Ngaqë sërën e patronazhistëve keni nisur ta lartësoni, pra, t’i bëni upgrate kloneve tuaj të dhe rekrutuar deri në administratën e lartë dhe mes elitës shqiptare. Edhe mes Opozitës, po të doni. Ka patronazhistë tuaj edhe mes Opozitës. Kë do të nderoni ju? Arkitektët tuaj që heshtën, ndërsa ju shkatërronit Tiranën, urbanistët tuaj që u verbuan, ndërsa ju ngufatnin qytetet shqiptare, bankierët tuaj që asgjësojnë letrat e grabitjeve tuaja, specialistët që pranuan karamelet tuaja për të mos e parë masakrën tuaj të Rilindjes urbane, shkatërrimin e natyrës, të plazheve, të lumenjve dhe parqeve tona?
Apo aktorët që bletë dje në sheshin e Teatrit Kombëtar. Dua t’ju pyes: a e dini si vdiq Fitnete Rexha? Si vdiq Violeta Manushi? Asnjë nderim nuk morën në raport me çfarë na dhanë. Do të vdesin në të njëjtën varfëri edhe të tjerë ikona e njerëz që dhanë aq shumë këtij vendi. Por edhe mes sërës më të lartë të këtij kombi i futët duart, për ndonjërin prej tyre madje gjetët të gjitha fijet që t’i patronazhoni duke ua hidroizoluar shtëpitë që u pikonin, t’ua ndërronit mobiljet e t’ua zhbllokoni lavamanët, t’u jepnin ndonjë dhuratë dhe t’i përdorni për imazhin tuaj në fushata zgjedhore. Dhe ky është një krim po aq i madh sa harrimi. Shto këtu se si me emrat e shkollave, emrat e rrugëve, emrat e institucioneve, nuk është abuzuar me shumë se në regjimin tuaj. Atyre u vutë emrat e shokëve të kafenesë suaj politike, solidarët e propagandës suaj perfide. Emrat i dini vetë, i dinë edhe shqiptarët.
Ndryshe, nuk ka si shpjegohet që një shkollë shqiptare mban emrin e një militantit tuaj, dhe jo të Robert Elsies, ambasadorit më të madh kulturor i të gjitha kohërave. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet që i jepet “Çelësi i Tiranës” Goran Bregovicit, po atij njeriu që i thurte lavde trimërisë së çetnikëve që thernin shqiptarët. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet që i jepen tituj të lartë ndonjë ushtaraku që spiunoi, burgosi dhe vrau shqiptarë dhe nuk kanë qoftë një pllakë në këtë vend për 18 oficerët holandezë të misionit të paqes së vitit 1914, të cilët krijuan telegrafinë e parë, xhandarmërinë e parë, artilerinë e parë, kavalerinë e parë, apo gardën e parë shqiptare. Si demagogë të rafinuar, ju flisni në emër të atyre që meritojnë vlerësim, dhe e vërteta është se në këtë vend ka njerëz të nderuar që meritojnë të vlerësohen. Por jo prej jush, sepse siç thotë një fjalë: “Gënjeshtarët më të rrezikshëm janë ata që ecin në zgrip të së vërtetës”. Dhe në fund, meqenëse keni propozuar Urdhrin e Lisit Akademik, mund të shtoni edhe Urdhrin e Qarrit Politik, pra, të Qarit Politik, dhe aty jam e bindur se disa prej jush janë anëtarë të denjë!
Discussion about this post