Gjykata Kushtetuese, tashmë e plotësuar me të gjithë anëtarët e saj pas një periudhe “pauze” dy-vjeçare, është tashmë përballë një prove të vërtetë integriteti. Në tavolinat e 9 gjyqtarëve gjendet kërkesa për heqjen e mandatit të Olta Xhaçkës, ministre e jashtme, deputete e Partisë Socialiste, si edhe një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit Edi Rama e familjarëve të tij.
Olta Xhaçka, prej më shumë se një viti është pjesë e një “familjeje strategjike”. Bashkëshorti i saj, Artan Gaçi, i cili më parë ka qenë në një tavolinë me bashkëshorten e tij në sallën e seancave plenare nën logon e PS-së, ka përfituar statusin e “investitorit strategjik” nga qeveria për ndërtimin e një resorti. Me vlerë investimi 5.5 milionë euro, në plazhin e lakmuar të Gjilekës, në Himarë.
Diçitura: Vendimi për “investitorin strategjik” Artan Gaçi
Ligji për “Parandalimin e konfliktit të interesave” ndalon zyrtarët e lartë dhe familjarët e tyre që të kenë përfitime qeveritare. Artan Gaçi e, rrjedhimisht edhe bashkëshortja e tij Olta Xhaçka, ka përfituar statusin e “investitorit strategjik” nga një Komitet i posaçëm shtetëror, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama. Kjo është e mjaftueshme për opozitën e djathtë, e cila kërkon nga Gjykata Kushtetuese konstatimin e papajtueshmërinë e deputetes Xhaçka me funksionin. Më thjesht, shkarkimin e saj nga funksionet publike.
Historia e “investitorit strategjik”
Maxhoranca socialiste miratoi në vitin 2015 një ligj me fuqi të përkohshme për investimet strategjike. Në bazë të këtij ligji, investitorë të ndryshëm, kryesisht të huaj, që shprehin interes për investime me vlerë të larta në fusha me interes specifik për ekonominë e vendit, përfitojnë lehtësira nga institucionet qeveritare.
Në Mars të vitit 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike, nën drejtimin e Edi Ramës, i jep statusin e “investitorit strategjik” kompanisë “AG.TCC”, për projektin e investimit “Dreamades Luxury Suites”. Kompania është në pronësi të Artan Gaçit dhe, sipas vendimit të Komitetit, ai përfitoi statusin për zhvillimin e një investimi kompleks, të përbërë nga një Hotel me 5 yje, i nivelit të lartë, i konceptuar në disa kate me tarraca dhe do të ketë një kapacitet prej 106 suita.
Vlera totale e investimit, sipas vendimit të Komitetit, përllogaritet në 5.556.192 euro dhe do të zhvillohej në tokë private. Pak muaj më pas, në Korrik 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike modifikoi vendimin e mëparshëm, duke shtuar detajin që shoqëria investuese “AG.TCC” sh.p.k. ka lidhur një marrëveshje me shoqërinë “AGTCC HOTEL MANAGEMENT” sh.p.k., për operimin e strukturave turistike në projektin Dreamades Luxury Suits, ku përfshihet edhe operimi i stacioneve të plazhit në bregun përballë hotelit.
Diçitura: Vendimi për modifikimin e statutit të “investitorit strategjik”për Artan Gaçin
Në Mars të vitit 2022, qeveria “Rama” miraton një vendim, në bazë të të cilit kompania menaxhuese, pra “AG.TCC Hotel Management”, përfiton të drejtën e shfrytëzimit të vijës bregdetare përballë resortit për një periudhë 20-vjeçare. Vija bregdetare, në bazë të ligjit, është pronë publike.
Pra, “investitori strategjik” përfitoi pronë publike.
Ndërkohë, u zbulua se pronarja e kompanisë menaxhuese është shtetasja amerikane Taëni Lin Grzych-Sutton, e cila më pas u zbulua se ishte partnerja intime e vëllait të Artan Gaçit, Drinit dhe rrjedhimisht edhe “kunata” e Olta Xhaçkës.
Diçitura: Kompania menaxhuese e resortit ka pronare “kunatën” e Artan Gaçit
Beteja parlamentare
Opozita parlamentare e vendosi çështjen e Olta Xhaçkës në axhendën e saj politike dhe parlamentare. Për deputetët e opozitës ka të paktën dy elementë që e vendosin Ministren e Jashtme në konflikt të pastër me ligjin.
Së pari, bashkëshorti i saj ka siguruar një “përfitim publik”, duke siguruar statusin e investitorit strategjik dhe, së dyti, kompania e bashkëshortit të saj, përfshirë edhe “kunatën” e saj, kanë siguruar falas për 20 vjet përdorimin e vijës bregdetare në një prej zonave më të lakmuara të vendit.
Debatet parlamentare për këtë çështje u zhvilluan në një fushë-betejë të ashpër, me dy porta. Nga njëra deputetët e opozitës vendosën në shënjestër Olta Xhaçkën. Nga ana tjetër, ministrja iu fal mbështetjes politike të kryeministrit, i cili angazhoi edhe një pjesë të mirë të qeverisë për të mbrojtur “Oltën strategjike”.
Opozita kërkoi ngritjen e një Komisioni Parlamentar. Por, kërkesa u rrëzua me forcën e kartonëve socialistë në fillim të qershorit 2022. Opozita nuk humbi kohë dhe i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, me një padi kundër Xhaçkës, në datën 20 qershor.
“Manovrat” e Artan Gaçit
Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese po merrte kohën e saj për të shqyrtuar paraprakisht materialet, Artan Gaçi nuk qëndroi duarkryq. Mesa duket, i bindur se shkelja e ligjit për konfliktin e interesit është e dukshme dhe mund t’i kushtojë pozicionin politik bashkëshortes së tij, ai merr një vendim “in extremis”.
Në Qershor 2022, Artan Gaçi vendos të kalojë aksionet e kompanisë “investitor strategjik”, në statusin “pasiv”. Gaçi emëron një “person të besuar”, i cili do të menaxhojë aktivisht aksionet e tij në shoqërinë “AG.TCC”. Në vendimin e Gaçit që mban datën 24 qershor 2022, Gaçi, i referohet dispozitave të ligjit për “Parandalimin e konfliktit të interesave”, kur vendosi të caktojë personin Festim Çela si “person të besuar”.
Diçitura: Artan Gaçi tenton të shmang konfliktin e interesave, duke emëruar një “person të besuar” në krye të kompanisë
Ligji parashikon që një prej formave për të shmangur konfliktin e interesave është kalimi i aksioneve tek një person i besuar. Por, në rastin e Artan Gaçit, duket se lëvizja është më shumë se e vonuar. Ai zotëronte në mënyrë aktive aksionet kur kompania e tij fitoi statusin e investitorit strategjik dhe kur “kunata” e tij siguroi leje qeveritare për përdorimin e vijës bregdetare.
Prova e Kushtetuteses
Tashmë, çështja pret vendimi final në Kushtetuese. Gjykata ka caktuar datën 18 Janar për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Demokratike. Gjatë dy viteve të fundit, maxhoranca ka bërë të gjitha përpjekjet dhe, në përgjithësi ia ka dalë, që të emërojë në Gjykatën Kushtetuese persona që janë të afërt me socialistët në pushtet.
Diçitura: Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e padisë kundë Olta Xhaçkës
Një pjesë e rëndësishme e vendimeve të fundit të Gjykatës Kushtetuese dëshmojnë se Edi Rama dhe maxhoranca e tij ndërhyjnë “dhunshëm” në vendimmarrjen e gjyqtarëve më të lartë në hierarikë shtetërore shqiptare.
Gjykata Kushtetuese nuk arriti të ngrihet në lartësinë e detyrës, kur shqyrtoi çështjen e prishjes skandaloze të Teatrit Kombëtar. Në atë rast, gjyqtarët u ndanë në tre fraksione, duke mos dhënë një qëndrim të qartë nëse shkatërrimi i godinës simbol ishte apo jo në përputhje me kuadrin kushtetues dhe ligjor.
Tashmë, Gjykata Kushtetuese ka në dorë fatin politik të Olta Xhaçkës, një prej bashkëpunëtoreve më të ngushta të kryeministrit Edi Rama. Mbetet për t’u parë nëse gjyqtarët zotërojnë integritetin e nevojshëm për të marrë vendime, pa u fokusuar tek pesha politike e emrave të përveçëm.
Lexo edhe: Mandati i Xhaçkës, Bylykbashi: Vendimi lidhet me nderin e gjykatës
Discussion about this post