Sali Berisha një nga figurat politike që ka dominuar me plot kuptimin e fjalës skenën politike shqiptare postkomuniste, ka marrë ditën e sotme një goditje të fortë nga vetë partia që ai themeloi dhe udhëhoqi për një kohë të gjatë.
Nën presionin e amerikanëve, Lulzim Basha e ka vrarë më në fund ‘babain e tij politik’, duke iu bindur ‘urdhërit’ të ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim, për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së.
Një moment i rëndësishëm politik jo vetëm për Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, por për gjithë Partinë Demokratike dhe simpatizantët e saj.
E ardhmja nuk mund të parashikohet, por mund të thuhet me siguri se karakteri komformist i Sali Berishës nuk do ta lejojë ta mbyllë karrierrën e tij politike i ‘syrgjynosur’ në këtë mënyrë.
Po kush është rrugëtimi jetësor i djaloshit të panjohur nga Tropoja, i cili nga koridoret e Universitetit të Mjekësisë arriti në majat më të larta të pushtetit në Shqipëri.
Një rrugëtim i mbushur me ulje ngritje dhe me një ndarje të shoqërisë me thikë në dy pjesë. Nga njëra anë të atyre që e urrejnë me gjithë shpirt dhe nga ana tjetër e atyre që e duan me gjithë zemër.
I lindur më 15 tetor 1944, Sali Berisha u diplomua me rezultate të larta në Fakultetin e Mjekësisë, në në vitin 1967 Tiranë.
Ai u specializua në degën kardiologji dhe më pas u emërua si asistent profesor mjekësie në të njëjtin Universitet dhe mjek në Spitalin e Përgjithshëm në Tiranë.
Rrugëtimi politik i Sali Berishës nis në vitin 1990, në momentin që ai u gjet në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, ku iu bashkua që në ditën e parë demonstratave të studentëve, të cilat e detyruan regjimin të lejonte sistemin shumëpartiak pluralist në Shqipëri.
Berisha u bë lideri i Partisë Demokratike, partia e parë dhe më e madhe e partive të reja opozitare..
Në shkurt të vitit 1991 ai u zgjodh kryetar i PD-së. Megjithëse PD nuk mund të krahasohej me burimet e Partisë Komuniste në pushtet, në zgjedhjet e para pluraliste, të mbajtura në mars të vitit 1991, fitoi 39 përqind të votës popullore, duke u bërë kështu partia kryesore opozitare në Kuvendin Popullor.
Zgjedhjet parlamentare të marsit të vitit 1992 rezultuan në një ndryshim dramatik të rezultateve të vitit të mëparshëm, ku Partia Demokratike fitoi 62% të votave popullore dhe 92 nga 140 vende në Kuvendin Popullor. Pas dorëheqjes së Presidentit Alia, Kuvendi Popullor i dominuar nga PD‐ja, me 8 prill 1992, zgjodhi Sali Berishën si Presidentin e parë të shtetit post‐komunist.
Në zgjedhjet e kontestuara të 26 Majit vitit 1996, Sali Berisha dhe Partia Demokratike nën presionin shtetëror arritën të fitonin 122 nga 140 vendet në parlament.
Zgjedhjet e 26 Majit u konsideruan nga ndërkombëtarët me legjitimitet të cunguar, ku sipas tyre, këto ishin më të parregulltat që ishin zhvilluar ndonjëherë pas rrëzimit të komunizmit në një vend të Europës Lindore.
Humbja e shumave të madhe të parave nga ana e qytetarëve shqiptarë në firmat piramidale, shkaktuan destabilitet në Shqipërinë e vitit-97 duke sjellë rënien e Presidentit Berisha nga pushtetit, por jo fundin politik të tij.
Sali Berisha pësoi një ulje të ndjeshme të kredibilitetit të tij politik në vitin 97-98, por që diti ta rikrijonte figurën e tij politike dhe të rikthehej në pushtet me duar të pastra në zgjedhjet e vitit 2005.
Platforma anti-korrupsion dhe sjellja e figurave të reja në kryesinë e Partisë Demokratike, bën që Berisha të fitonte zgjedhjet e vitit 2005 dhe të rikthehej si kryeministër i Shqipërisë.
Qëndrimi në zyrën e kryeministrit për Sali Berishës përfundon në vitin 2013, vit kur ai humbi zgjedhjet përballë kryeministrit aktual Edi Rama.
Ashtu si vitet e pushtetit të Sali Berishës, ashtu dhe vitet e opozitarizmit të tij, kanë qenë të mbushura me dritëhije, suksese, dhe dëshitme. Qeveria e Sali Berishës arriti të bënte heqjen e vizave për shqiptarët dhe futjen e Shqipërisë në NATO, dy nga arritjet më të mëdha deri më sot në Politikën e Jashtme të Shqipërisë, të cilat nuk do të bëheshin të mundura pa ndihmën e amerikanëve.
Amerikanë, të cilët sot po bëjnë çmos për daljen në pension politik të atij që dikur e cilësonin si ‘burrë shteti’ dhe njeriu që rrëzoi komunizmin në Shqipëri.
Krahas sukseseve, Berisha mban mbi kurriz dhe skandale të shumta të ndodhura gjatë kohës kur ai ishte në krye të ekzekutivit, ku midis të cilave mund të përmendim Gërdecin dhe 21 Janarin.
Por sot, pavarësisht gjithçkaje, Sali Beriisha është në ditën më të vështirë të jetës politike të tij, ku pas 30-vjetësh nuk është më as deputet i partisë politike që ai krijoi dhe udhëhoqi me dorë të hekurt për më shumë se 30 vite.