Pas Tom Doshit, Vangjush Dakos, Adriatik Llallës dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, “lista e zezë” e zyrtarëve të lartë të politikës shqiptare që pritet të shpallen non-grata, mund të zgjerohet. Sipas burimeve të Gijotina.com një listë tjetër me të paktën 15 emra pritet të shpallen të padëshiruar, ku përfshihen zyrtarë nga radhët e mazhorancës por edhe opozitës.
Prej ditësh, ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, ka zhvilluar një sërë takimesh me personalitete të ndryshme të vendit, ku mëngjesin e sotëm takoi 15 prokurorët e SPAK, e më pas u nis drejt Kryesisë së Kuvendit për një takim me kryetaren e parlamentit Lindita Nikolla.
Pas futjes në këtë “listë të zezë” të ish-kryeministrit dhe liderit historik të PD, Sali Berisha tog-fjalëshi “non-grata”, është kthyer në kryefjalë të lajmeve në ditët e fundit. Para disa kohësh, ambasada e SHBA tha se janë gjithsej 15 shqiptarë të shpallur “non grata”, duke mos i bërë publike emrat e tyre.
Burime diplomatike për Gijotina.com janë shprehur se lista është e përbërë nga figura politike në të dy kampet politike në vend, mes të cilëve dhe një grua. Dyshohet se persona të padëshiruar për dhe në SHBA, janë Artur Bushi, Pjerin Ndreu, Mark Frroku, Paulin Sterkaj, Shkëlqim Selami, Gjovalin Kadeli e Luan Duzha nga LSI, ndërsa Sali Berisha, Adriatik, Llalla, Vangjush Dako e Tom Doshi janë tashmë emra zyrtarë.
Ish-deputeti i PS, Aqif Rakipi që siguroi në parlament dy mandate, një për djalin, Orlando Rakipi, e një për dhëndrin, Saimir Hasalla, pritet gjithashtu të shpallet non-grata nga SHBA, ndërsa kryeministri Rama do të testohet nëse do ta mbajë në parti, në momentin që ky zhvillim do të bëhet publik.
Dorëheqja e Lefter Kokës nga posti i deputetit në Durrës, gjithashtu ngriti pikëpyetje nëse ky i fundit u “sakrifikua” për të mirën e përbashkët, para se e tërë PS të digjet për të.
Megjithatë duket se shprehja “Peshku i madh e ha të voglin”, e ish-ambasadorit të SHBA Donald Lu, tani ka marrë jetë më shumë se kurrë. Kjo ishte deklarata e famshme e Lu pak muaj përpara se DASH të shpallte “non–grata” më 14 shkurt 2018, ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.
Pak javë më pas, më 16 prill 2018, DASH do t’i ndalonte, me të njëjtin motivacion, hyrjen në SHBA, deputetit Tom Doshi, bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.
Më 30 korrik 2019, DASH, vendosi të shpallë si person të padëshiruar, duke i refuzuar hyrjen në SHBA kryetarit të Bashkisë së Durrësit asaj kohe Vangjush Dakos dhe familjes së tij. Shkak mbetej sërish përfshirja e këtij zyrtari të lartë në korrupsion.
Më 19 maj, thuajse dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi se ish-kryeministri Sali Berisha, bashkëshortja e tij Liri Berisha, si dhe djali dhe vajza, Shkëlzen e Argita Berisha, nuk do të lejohen të futen në SHBA.
Blinken në njoftimin e tij shkruante se Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët politikë si dhe anëtarët e familjes. Berisha hodhi në gjyq këtë të fundit për shpifje.
Përjashtimi i këtij të fundit nga grupi parlamentar i PD, duke se ishte sfidë personale e Yuri Kim e cila ka qenë e drejtpërdrejtë duke thënë se Berisha duhet të jepte dorëheqjen nga posti i deputetit. SHBA e vendosi me “shpatulla pas murit” Lulzim Bashën, duke e kërcënuar me sanksione, ndërsa gjithashtu thuhej se e gjithë partia mund të shpallej non-grata.
Takimi i sotëm me Lindita Nikollën, vetëm pak ditë pas emërimit si kryetare e Kuvendit, dhe pa praninë e mediave, ngrenë dyshimet, se radhën për të qenë në qendër të debateve politike e publike, këtë herë mund ta kenë zyrtarët e Partisë Socialiste. D.L/Gijotina.com