Autoriteti i Konkurrencës favorizon oligarkët dhe iu kthen shpinën qytetarëve edhe kur bëhet fjalë për bukën e gojës. Pak javë më parë furrat kudo në vend ngritën çmimin e bukës, duke u arsyetuat se kjo rritje erdhi për shkak të rritje së çmimit të miellit. Edhe pse me vonesë, Autoritetin i Konkurrencës vendosi të nisë hetimet ndaj kompanive të miellit, për të parë nëse ato kanë abuzuar me çmimin dhe nëse kanë rritur kostot pa arsyetim dhe kundër rregullave të tregut.
Mbikëqyrja filloi me 12 shtator dhe vetëm pas 10 ditësh Konkurrenca i mbylli hetimet, duke vendosur vetëm disa paralajmërime dhe rekomandime, por nuk ka marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj këtyre kompanive edhe pse u konstatuan një sërë shkeljesh. Në vendimin e publikuar me 24 shtator konkurrenca evidenton qartë se, kompanitë kanë shkelur ligjin e konkurrencës, pasi kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në çmimin e shitjes së bukës, që në të vërtet nuk e kanë këtë të drejtë.
“Nga analiza e sjelljes së ndërmarrjeve nën hetim Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, janë konstatuar shkelje të ligjit të konkurrencës, në kundërshtim me nenin 3 pika 4, dhe nenin 4 pika 1 gërma a dhe b të ligjit 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” pasi këto ndërmarrje bashkërendojnë sjelljen duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal”, thuhet në vendim.
Sipas Konkurrencës, këto kompani përfitojnë nga lehtësitë doganore në marrjen e produktit bazë, gruri, duke favorizuar veten e tyre, por nga ana tjetër rrisin çmimi për përpunimin dhe shpërndarjen e miellit.
“Ky treg paraqitet problematik duke qenë se ky produkt futet në tregun vendas si miell gruri pa përcaktuar destinacionin e tij përfundimtar të përdorimit, përqindjen e proteinës dhe rrjedhimisht cilësinë e produktit. Për këtë arsye mund të themi se çmimi i ulët i importit të miellit me përqindje proteinike të ulët, nëse është përdorur jashtë qëllimit të tij të përcaktuar, favorizon ndërmarrjet importuese, si rrjedhojë deformon tregun, duke i vendosur ndërmarrjet prodhuese në kushte të pafavorshme të konkurrencës.
Situatë e favorizuar edhe nga mos kodifikimi doganor sipas karakteristikave dhe cilësisë së produktit, pra duke mos përcaktuar destinacionin përfundimtar të produktit siç dhe rekomandohet në udhëzimin nr.207/2015 të MBZHR”, thuhet në vendim.
Por, pavarësisht këtyre shkeljeve të konstatuara, Konkurrenca i ka mbajtur sërish me hatër kompanitë e miellit dhe nuk ka vendosur gjobë për asnjërën prej tyre.
Komisioni vendosi; mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit. Detyrimin e ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK si vijon:
Të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi;
Të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet;
Të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; 4
Gjatë periudhës së monitorimit të raportojnë çdo 3 (tre) muaj pranë AK-së të dhëna mbi blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna sipas kësaj pike”, thuhet në vendim.
Pra qytetarët do vazhdojnë të vuajnë edhe për të blerë një bukë, ndërsa kompanitë mund të rrisin çmimin sipas dëshirës dhe t’ia hedhin kaq lehtë.
E.H/ gijotina.com/