Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Kosovë në kuadër të ftesës zyrtare që kryeministri Albin Kurti i bëri pas konfirmimit të mandatit të tretë në qeveri. Rama u prit me ceremoni zyrtare nga Kurti dhe anëtarët e qeverisë teksa dëgjuan himnin e flamurit.
Fillimisht të dy krerët e qeverive patën një takim rreth një orë e gjysmë më dyer të mbyllura, e më pas dolën në një konferencë të përbashkët.
Liderët e dy shteteve njoftuan se do të mbajnë Mbledhjen e Përbashkët të dy qeverive në fund të muajit nëntor në qytetin e Durrësit, ndërsa nuk munguan pyetjet për situatënn në veri të Kosovës dhe raporti me Serbinë. Rama njoftoi i prerë se qëndron në krah të Kosovës dhe i konsideroi si skena teatrale tensionet e shkaktuara nga Serbia në kufi.
Batutat mes Kurtit e Ramës dhe incidenti me gazetaren serbe
Gjatë konferencës me homologun kosovar, Kryeministri Edi Rama nuk i ka ndalur batutat me Kurtin. Rama ka zbuluar një “debat” të vjetër që ka me kryeministrin kosovar, kur tha se nuk pretendon të jetë “vëllai i madh” i Kurtit pasi ky i fundit nuk do të pranonte kurrë.
“Meqë mu drejtuat vëllai i madh, vëllai i vogël, unë kam qëlluar të jem vëllai i madh në shtëpi, kam mësuar rrugës që me vëllain e vogël ka gjithmonë një problem, kur i thua vëllait të vogël nuk të dëgjon, kurse ai të thotë gjithmonë ma zgjidh hallin. Unë nuk pretendoj se jam vëllai i madh, aq më pak vëllai i madh i Albinit që është më i ri. Nuk do e pranonte kurrë, ky është debat i vjetër mes nesh, filozofik”, tha Rama.
Në fund të konferencës, Kurti tha se një një orë e gjysmë bisedë nuk është diskutuar as për “Open Balkan” e as për Serbinë, ndërsa tha se më shumë se ai dhe Rama diskutuan ministrat.
Këtu nuk mungoi komenti i Ramës, i cili tha me batutë se tani mediet do thonë “që këta të dy nuk flasin bashkë”.
Gjithashtu konferenca u shoqërua dhe me një incident të një gazetareje serbe, e cila tentoi të bënte një pyetje, pasi kryeministri Kurti kishte shpallur mbylljen e konferencës.
Kaosi në veri, Rama mesazh Vuçiç: Çfarë do ambasadori rus në kufi?
Kryeministri Edi Rama ka mohuar që të ketë pasur kontakte me presidentin serb Alexandër Vuçiç për situatën e tensionuar në kufirin me Serbinë.
Duke ironizuar komentet në rrjetet sociale, Rama tha se nuk ka zhvilluar asnjë bisedë me “vëllaun e tij Vuçiç”, teksa tha se është në krah të Kosovës.
“Nuk kam pasur një bisedë me Vuçiç. Apo si shpesh herë shqiptarët nga Kosova në rrjetet sociale thonë “me vëllaun tim Vuçiç”. Sepse këtu nuk ka asgjë për të ndërmjetësuar sepse e drejta është me Kosovën. Ne jemi në krah të Kosovës. Leximi i Njësive Speciale si një arsye për të bërë teatër në Serbi është i gabuar. Ta përfytyrojë edhe vëllau jem atje. I takon Kurtit të marrë vendimet e duhura për të çuar përpara dialogun. Ajo tarifë u kthye në litar në këmbët e Kosovës sepse kaloi në një problem më të madh se vetë problem”.
Sipas Ramës, dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhjen e konflikteve, ndërsa e konsideroi teatër lajmin e ambasadorit rus në kufi.
“Albini dhe të gjithë kolegët këtu e kanë largpamësinë për të shmangur një gjë të tillë. Ato djegiet e institucioneve nuk i provokojnë forcat legjitime të qeverisë së Kosovës, por marrja peng e serbëve në Kosovë në kushtet e një dialogu që nuk ecën ashtu si duhet. Jam i bindur që dialogu është e vetmja rrugë. Çfarë do ambasadori rus në kufi? Imagjinoni që ambasadori amerikan të shkonte në kufi. Ky është një teatër. Është shkrepësja që ndez institucionet”, tha Rama.
Pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak, për të shtatën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara pas vendosjes së reciprocitetit të targave nga qeveria e Kosovës.
“Kosova bën konspiracione”, Rama: “Open Balkan”, rruga jonë e përbashkët
Kryeministri Rama i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e përbashkët me kryeministrin Kurti. I pyetur për deklaratat e tij në vizitën e Merkel në Tiranë se Kosova po refuzon nisëm e “Open Balkan” pasi po ulet dhe bën konspiracione, Rama tha se gazetarët e kishin cituar gabim.
“Nuk me citoni si duhet. Dua të them se kam pasur shumë mesazhe këto ditë për shkak të situatës së krijuar nga Kosova ku pavarësisht larmisë së toneve një thelb ishte: “po tani a je i bindur se nuk bëhet Ballkani i Hapur me Serbinë’. Tani jam edhe më i bindur se “Ballkani i Hapur” është rruga jonë e përbashkët. Ka një dallim sipas meje mes nacionalizmit dhe patriotizmit. Natyrisht që kemi një mosdakordësi me Albinin në këtë pikë. Kjo është mosdakordësi e natyrës politike dhe duhet ta trajtojmë si të tillë, marrëdhëniet tona nuk ndikohen në shëndetin e tyre. Ndërkohë që themeli i dakordësisë tonë është i një natyre tjetër, kombëtare dhe vëllazërore. Të jetojmë një ditë të pandarë në një Europë të bashkuar, shqiptarët, por edhe serbët e boshnjakët të jenë. Siç është e pashmangshme që Serbia do ta njohë Kosovës dhe kërkesa për faljen e krimeve jo vetëm do vijë por do vulosë paqen. Ne mund të kemi edhe arsyetime të ndryshme”, tha Rama.
Sipas Ramës, do të jetë e pashmangshme dita kur Serbia do ta njohë Kosovën dhe do të vijë kërkesa e faljes për gjenocidin në Kosovë.
Përplasja me Serbinë, Rama mban qëndrim: E drejta është me Kosovën dhe pikë
Kryeministri Edi Rama ka qëndruar i prerë në krah të Kosovës sa i përket vendimit për reciprocitetin e targave me Serbinë.
Në konferencën me kryeministrin Kurti, Rama tha se është për të ardhur keq që Serbia nuk njeh Kosovën, por bën manovra teatrale në veri të kufirit.
“Nuk ka asnjë diskutim se në radhë të parë dhe mbi të gjitha, është Serbia ajo që duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm, dhe është vërtetë për të ardhur keq, që në vend të përparimit konkret të dialogut drejt njohjes reciproke dhe çlirimit përfundimtar nga e shkuara, sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake të Serbisë, në kufirin me shtetin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë në fakt qytetarët serbë në Veriun e Kosovës, sikundër pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar, madje edhe disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur në fushën e luftës, më shumë se 20 vjet më parë, që sikur kanë dalë nga varri, me pretendimin që po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë”.
Sa i përket Mbledhjes së Përbashkët të dy qeverive, Rama tha se në koordinim me qeverinë e Kosovës, është vendosur të mbahet në Durrës.
“Këto marrëdhënie të shkojnë në një nivel tjetër, të gjithë do të zbatohen, ashtu si dhe të tjera çështje, sot kemi dakortësuar për vendosjen e një personi kyç si koordinator i kësaj përpjekje të përbashkët. Do të jetë i lidhur me zyrat tona, ka dhe pasaportën tonë, i cili gëzon besimin e plotë të të dyve ne, do jetë një ndihmë për të mos lejuar që burokracia të bëjë atë që bën gjithmonë. Unë bashkë me delegacionin, jemi këtu, kjo është vizita e parë jashtë vendit. Kjo është një mundësi për qytetarët që ta prekin jetën e përditshme realizimin konkret të të gjitha këtyre angazhimeve. Ramë dakord që në javën e fundit të nëntorit do të mbajmë mbledhjen e dy qeverive në Durrës”, tha Kurti.
Kryeministri Rama po zhvillon takimet në Kosovë në kuadër të ftesës zyrtare që kryeministri Albin Kurti i bëri pas konfirmimit të mandatit të tretë në qeveri.
Kurti pas takimit me Ramën: Biseduam për mbledhjen e dy qeverive në nëntor
Kryeministri Edi Rama së bashku me homologun e tij Albin Kurti kanë dalë në një konferencë të përbashkët pas takimit me dyer të mbyllura.
Në fjalën e tij, Kurti tha se në qendër të diskutimit ka qenë përballja me pandeminë dhe Mbledhja e Përbashkët e dy qeverive që është parashikuar të mbahet në gjysmën e dytë të nëntorit.
“Unë sot jam shumë i nderuar dhe i gëzuar me vizitën e Ramës dhe kabinetit të tij. E uroj për mandatin e ti dhe i uroj shumë suksese të arritura. Mandatet i kemi marrë në një kohë plot sfida. Përballja me pandeminë, me rimëkëmbjen, janë disa nga sfidat tona që do angazhohemi së bashku. Kosova i gëzohet progresit në Shqipëri. Qeveria e Kosovës dhe unë mbetemi në gatishmëri të plotë. Do realizojmë projektet për dy vendet. Do të punojmë së bashku që tregu të jetë sa më unik, në mënyrë që kapitali dhe mallrat të lëvizim sa më lirisht. Jo vetëm që ne e njohim njëra tjetrën, por kemi besimin e plotë. Biseduam për të gjitha fushat e qeverisjes sonë, u zotuam se e shohim si të rëndësishme koordinimn dhe siknronizimin gjithandej. Biseduam dhe për marrëveshjet ekzistuese, deri më tani janë mbajtur 16 mbledhje të dy qeverive, biseduam dhe për mbledhjen e dy qeverive, që do të jetë në gjysmën e dytë të muajit nëntor, do të kemi dhe një sekretariat koordinues, i cili do të udhëhiqet nga Gentian Sala i cili i ka të dyja pasaportat”, tha Kurti.
Pas konferencës me Kurtin, Rama do të takohet me tre liderët e opozitës, Ramush Haradinaj, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku. Po ashtu, gjatë qëndrimit në Kosovë, Rama do të dekorojë edhe akademikun, Rexhep Qosja.
Kurtit i dha “grushtin”, zyrtarëve dorën, raporti i ftohtë i Ramës me homologun
Kryeministri Edi Rama mbërriti para pak minutash në Kosovë për të zhvilluar takimin zyrtar me kryeministrin Albin Kurti. Rama u prit me ceremoni zyrtare nga Kurti dhe anëtarët e qeverisë teksa dëgjuan himnin e flamurit.
Ndryshe nga sa veproi me Kurtin, të cilin në kuadër të rregullave anti-Covid e përshëndeti me krah, me ministrat veproi ndryshe, duke u dhënë dorën zyrtarëve kosovarë. Homologu i tij nuk e bëri një veprim të tillë teksa zgjodhi që t’i drejtojë grushtin zyrtarëve të delegacionit shqiptar që shoqëronin Ramën.
Nuk dihet nëse kryeministri ynë veproi pa qëllim, apo nëse nuk donte të kishte një kontakt më miqësor me Kurtin, por prej kohesh mediat aludojnë për një marrëdhënie të ftohtë midis dy liderëve.
Për më tepër, të dy kryeministrat janë përplasur në distancë për nisëm e “Open Balkan”, ku Kurti ka thënë se kjo nismë është kundër interesave të shtetit që drejton, duke kërkuar më shumë bashkëpunim midis shteteve shqiptare. Ndërsa, shefi i qeverisë shqiptare është shprehur se Kosova nuk mund t’i japë leksione Shqipërisë dhe se duhet të respektojë vendimet e saj.
Pas takimit të zyrtarëve dhe nderimeve të ceremonisë Rama dhe Kurti duke thyer heshtjen janë drejtuar drejt Kryeministrisë së Kosovës duke diskutuar, ndërsa shihen edhe të qeshur.