“Krijon hapësira për korrupsion” AIS padit në Kushtetuese aktin normativ për rindërtimin, rendit 8 shkeljet e tij
Organizata AIS e njohur si “Open Data Albania” ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për Shfuqizim të pjesshëm të Aktit Normativ me fuqinë e Ligjit Akt “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”. Padinë e ka konfirmuar vetë “Open Data” ku tregon se, nga auditimet e kryera ka evidentuar që akti normativ për rindërtimin është hartuar në shkelje të Kushtetutës, pasi cenon lirinë e veprimtarisë ekonomike ne lidhje me kontraktorët që bëhen pjesë e projektit. Gjithashtu, AIS shprehet se akti normativ ka disa boshllëqe në përcaktimin e fondeve dhe mënyrën se si do të shpërndahen ato, duke lënë hapësira për abuzime dhe korrupsion.
Ndërsa në një pikë tjetër AIS shkruan që, akti normativ nuk lë të hapur mundësinë për garë, ku mund të ofertohen disa kompani koncesionare por ka krijuar barriera që përjashton pa të drejtë disa kompani dhe favorizon disa të tjera.
“Ky Akt Normativ me fuqinë e Ligjit, në opinionin dhe arsyetimin e Organizatës tonë, në pjesën për Prokurimet Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore pas Tërmetit të 26 Nëntorit 2019, cenon një të drejtë kushtetuese që është ajo e lirisë së veprimtarisë ekonomike, parashikuar në nenin 11 të Kushtetutës.
Duke cenuar Lirinë për Veprimtari Ekonomike krijohen hapësira për pabarazi, klientelizëm, kontraktim preferencial, favorizim dhe veprime Korrupsioni në dëm të Fondeve Publike.
Ky Akt Normativ ka vendosur me Ligj Llojin e Procedurës, Afatet për Pjesëmarrje, Afatet për Ankimim dhe Vlerësim duke anashkaluar Legjislacionin Kombëtar për Prokurimet Publike dhe duke kufizuar të drejtën për garë dhe barazi”, thuhet në padi.
8 shkeljet e aktit normativ
Më tej AIS ka përcaktuar pikat konkrete ku aktinormativ për rindërtimin shfaqet diskriminues dhe krijon hapësira për korrupsion. Konkretisht sqarohet që, duke qenë se përzgjedhja e kompanive koncesionare bëhet me mënyrën Procedurë e Prokurimit të Kufizuar, nuk garanton garë me ofertë dhe si rrjedhojë dëmton konkurrencë e operatorëve. Pasi prokurimi i kufizuar është me dy faza çka bën që procesi të dalë nga sistemi elektronik dhe zhvendoset në fazën me negocim në tryezë ku risku për klientelizëm është i lartë.
Ndër të tjera AIS thekson se, procedura e përshpejtuar aplikohet për sektor specifik ku numri i operatorëve veprues është i ulët. Në rastin konkret që kemi të bëjmë me ndërtimin e banesave ofertuesit në tregun tonë janë të bollshëm, kështu që procedurat e kufizuara nuk janë të nevojshme, sepse krijojnë diskriminim.
Sipas raportit, edhe afati 10 ditor për paraqitjen e dokumenteve është diskriminues dhe cenon konkurrencën në treg, pasi logjikisht dhe teknikisht është pothuajse e pamundur të përgatitësh një set të madh dokumentesh dhe preventivave teknik për një periudhë 10 ditore.
Paditësi vë në dukje se përmes këtij akti normativ qeveria në vend që të tërheq investitorët e huaj i largon ata. Sepse afati 10 ditor i përjashton “de facto” ofertat e operatorëve të huaj. Vlen të përmendim këtu se një operator i Huaj ka detyrimin që dokumentacion zyrtar ta paraqesë me vulë apostille.
Pika për ankimimet gjithashtu shkel të drejtat e garueseve dhe rrit mundësitë për abuzime, pasi stafi jo serioz vetëm 2 ditë për ankimin ndaj kritereve të procedurës së prokurimit, është jashtëzakonisht kufizues për operatorët ekonomikë të cilët mund të ngrejë pretendime për kritere kualifikimi jo ligjore.
Përmes padisë, AIS sugjeron që të ndryshohet edhe pika e cila përcakton afat vetëm 3 ditë për shqyrtimin e ankesave nga ana e Komisionit të prokurimit Publik. Ndërsa ligji për prokurimet përcakton një afat 30 ditor.
Ndërsa, për vlerësimin e ofertave ky aktnormativ lë në afat vetëm 5 ditë, që gjithashtu është në shkelje të ligjit, i cili kërkon 10 ditë kohë sepse dosjet për prokurimet kanë një volum të lartë dokumentesh. Sipas AIS, shkurtimi i këtij afati cenon konkurrencën dhe skualifikon pa të drejtë nga kara kompanitë që mund të jene ofertuese më të mira.
Sakaq, shkelje vërehet edhe në vlerën e sigurimit të kontratës e parashikuar në masën 5% më e lartë krahasuar me ligjin.
E.H/ gijotina.com/