Arkitekti amerikan Kris Hasler para 13 vitesh arriti në Gjirokastër si vullnetar i Korpusit të Paqes dhe vendosi të jetojë në këtë qytet. Ai herë pas here përfshihet në aktivitete vullnetar për të ndihmuar familje në nevojë. Së fundi “amerkiani i qytetit” , siç e njohin banorët, po ndihmon një familje për ngritjen e një shtëpie monumentale që u dogj nga zjarri. Krisi ndërmori një fushatë për mbledhje fondesh dhe po punon vetë për t`u ardhur në ndihmë familjarëve, për të ngritur strehën e re.
Në maj të këtij viti në Lagjen “Pazari i vjetër” në qytetin historik të Gjirokastrës që mbrohet nga UNESCO një shtëpi monumentale u përfshi nga zjarri dhe gjithçka u shkrumbua. Familja Lula me katër pjesëtarë humbi strehën e vetme, por jo shpresën.
Kris Hasler, një arkitekt amerikan që jeton prej 13 vitesh në Gjirokastër dhe kishte blerë një shtëpi të vogël fqinje me shtëpinë që u dogj thirri për ndihmë për mbledhje fondesh përmes rrjeteve sociale.
Kris thotë se gjeti mbështetjen nga shokët e tij që kishin studiuar së bashku për aktitekturë në Shtetet e Bashkuara dhe nevoja për ndihmë mbetet ende për ta përfunduar shtëpinë.
“Unë kam studiuar për arkitekturë dhe planifikim urban në Shtetet e Bashkuara dhe kam shumë shokë në këtë fushë. Ata kanë pasur dëshirë të ndihmojnë një familje që i ka ndodhur kjo fatkeqësi dhe ka pasur problem për ndërtimin e shtëpisë. Thjesht kam mbledhur disa fonde të ndihmoj”, thotë ai.
Llukan Lula, që jetonte në shtëpinë që u dogj thotë se pa ndihmën e Krisit shtëpia nuk do mundej të ngrihej sërish pasi familja e tij u përfshi asaj kohe edhe nga probleme të rënda shëndetësore të babait.
E vërteta është që nëse nuk qe Krisi pasi ne nuk ndodheshim këtu sepse na ndodhën disa probleme të rënda familjare, babai u sëmur rëndë nga zemra , kjo shtëpi nuk do ishte bërë akoma, dmth mund të qe e shkrumbuar siç qe në fillim”, thotë zoti Lula.
Llukani thotë se Kris, jo vetëm siguroi një pjesë të të hollave por rendi në Drejtorinë e Monumenteve për të siguruar miratimin e projektit dhe fuqinë punëtore dhe edhe vetë punoi fizikisht.
“Krisi ka dhënë pothuajse 100% të punës. Pasi filluan punimet me ndihmëne Krisit e dhe Drejtoria e Monumenteve na ka dhënë puëntorët që të bëhet çatia, na ka ndihmuar diçka edhe bashkia. Krisi ka punuar dhe vetë. Materialet është shumë e vështirë të vinë në këto zonë ku jemi ne, duhet të ngarkohen 500 metër larg dhe të vinë me krahë në këto rrugica të ngushta dhe Krisi i ka marrë në krahët e tija përveç ndihmës financiare që ka dhënë”, thotë ai.
Krisi thotë se ka arritur të sigurojë një pjesë të parave ndonëse priste më shumë.Por ai vetë punoi për të transportuar materialet duke thirrur edhe disa shokë që iu gjendën për ta ndihmuar.
“Projekti ka ecur. Në fakt kam menduar të marr më shumë, por është siguruar gjysma e të hollave. Është pak vështirë të vinë shqiptarët vullnetarisht të punojnë por në fakt kanë ardhur disa shokë për të ndihmuar në mbajtjen e trarëve dhe rrasave të gurit për të mbuluar çatinë” thotë arkitekti Kris Hasler.
Transporti i materialeve është majft i vështirë pasi shtëpia nuk lidhet me rrugë makine dhe gjithcka është bërë me krahë thotë Llukani.
Llukani thotë më tej se nuk është i sigurtë nëse shtëpia do të përfundojë këtë vit. Ai punon gjatë verës si kamarier në ishujt grekë për të siguruar të ardhura për pjesën tjetër të vitit ndërsa familja ka mjaft probleme ekonomike për të përballur edhe financimine e ngritjes së shtëpisë.
Lagji “Pazar i Vjetër” është një nga më të vjetrat e qytetit historik të Gjirokastrës por që rrezikon të degradojnë plotësisht nga braktisja e shumë shtëpive.
Llukani dhe Krisi e ndiejnë këtë përditë dhe sipas tyre duhet rritur vëmendja e autoriteteve shtetërore dhe vendore për mbrojtjen e monumenteve.
Llukani thotë se rreth e rrotull tij janë 4 shtëpi të rëna, imagjino ç`bëhet më tej pohon ai. Ndërsa Krisi thotë se në çdo lagje ka shtëpi të tilla që kanë probleme me çatitë nga djegia apo shirat.
“Duhet të jepet më shumë ndihmë. Gjirokastra është në UNESCO dhe qyteti ka shumë rëndësi për Shqipërinë dhe më gjerë. Turistët vijnë këtu të shohin këto shtëpi që tani janë braktisur në fakt. Ka shumë nevojë për investime këtu”, thotë ai.
Gjirokastra u pranua në vitin 2005 në Listën e Pasurive Botërore dhe qyteti përballet sidomos tani me afrimin e dimrit me ruajtjen e shtëpive qindravjeçare që mbijetuan në kohë dhe tani rrezikojnë të shemben. /VOA/