Partia Demokratike do të vendosë sot 30 minuta para mbledhjes se cili do të jetë qëndrimi i selisë blu në lidhje me nismën e Partisë Socialiste për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik.
Lidershipi i PD-së, së bashku me deputetët e Komisionit të Ligjeve, do të mblidhen sot në orën 13:30 për të diskutuar se çfarë qëndrimi do të mbajnë në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve në Kuvend, që është lajmëruar në orën 14:00, me rend dite: shqyrtimi i projektligjit për ndryshimin në Kushtetutë për zgjatjen e mandatit të dy organeve të mësipërme. Më herët Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është shprehur se nisma e PS-së për zgjatjen e mandatit të KPKsë dhe Komisionerit Publik që përfundojnë në qershor të vitit të ardhshëm nuk është prioritet, pasi sipas kreut të opozitës, procesi i vetingut në drejtësi nuk ndërpritet.
“Besoj se ajo çështje është shteruar, e para punës nuk ka vakum kushtetues, domethënë që vetingu vazhdon. Kushtetua e ka parashikuar që vetingu vazhdon deri në fund. Ajo që kërkohet është zgjatja e mandatit të 14 zyrtarëve që merren me vetingun. Para se ky vendim të merret, duhet të diskutohet se çfarë kanë bërë këta njerëz, a ka ecur procesi, a kanë qenë nën presione? Duhet të bëjmë një analizë të plotë se cila është më e mira e qytetarëve për të bërë drejtësi”, tha Basha në një konferencë për mediat pak javë më parë.