SPAK ka përfunduar hetimet për vrasjen e dyfishtë të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt ngjarja e ndodhur në 20 dhe 27 korrik 2020 në Elbasan. Dosja tashmë ka kaluar në Gjykatë, me dy të pandehur.
1. Xhulian Hoxha, i akuzuar:
Në njoftimin për shtyp nga organi i posaçëm i akuzës, theksohet se për vrasjen e Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan Xhulian Hoxha do të përballet me akuzën për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Për krimin e vrasjes së Rigels Runaj më datë 29 Korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan, ai pritet të përballet me akuzën “Vrasja me paramendim”.
Dhe në të dy krimet duke bashkëvepruar dhe me të tjerë persona nën hetim në formën e veçantë të bashkëpunimit “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
2. Euglen Halili, i akuzuar :
Për vrasjen e Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, Euglen Halili do të përballet me akuzën për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Po ashtu ai akuzohet edhe për përfshirje në vrasjen e Rigels Runajt më datë 29 Korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan, ku sipas njoftimit nga SPAk do të përballet me akuzën për veprën penale “Vrasja me paramendim”.
Dhe në të dy krimet duke bashkëvepruar dhe me të tjerë persona nën hetim në formën e veçantë të bashkëpunimit “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Ndërkohë vazhdojnë hetimet ndaj personave të tjerë të përfshirë si autorë të mundshëm në këto ngjarje kriminale.
Vrasja e Runajt dhe Ramazanit
Erion Alibej dyshohet se është porositësi i 2 vrasjeve, por ekzekutimi është bërë nga dy persona të tjerë, të identifikuar me emrat Euglen Halili dhe Xhuljano Hoxha, të dy të arrestuar. Sipas burimeve, Euglen Halili është i penduari i drejtësisë, i cili ka bashkëpunuar me prokurorinë dhe ka zbardhur të gjithë vrasjen e Runajt, mik me Emiljano Ramazanin. Referuar dëshmisë së tij Halili është shprehur se ka kryer vrasjen për të cilën është paguar disa mijëra euro. Fillimisht të dy, Halili dhe Runaj mësohet të kenë konsumuar së bashku kokainë dhe më pas janë nisur në drejtim të varrezave të qytetit. Ndërsa, udhëtimi është kryer me një motor, ku më pas Halili e ka qëlluar me thikë rreth 26 herë. Por njollat e gjakut në motorin e Halilit, kanë çuar në identifikimin dhe kapjen e tij. Ndërkohë sipas burimeve, Halili ka luajtur dhe një rol të rëndësishëm në vrasjen e Emiljano Ramazanit, i cili e ka vëzhguar dhe ka informuar vrasësit për vendndodhjen e tij, i cili mbeti i vrarë me 5 plumba një javë para se të ekzekutohej Runaj. Mësohet se organizatori dhe porositësi i dy vrasjeve në Elbasan është vëllai i Endrit Alibej, i riu i cili është ekzekutuar në sy të familjarëve të tij 2 vite më parë. Sipas burimeve, bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më 29 dhjetor të 2019, kur Endrit Alibej së bashku me Arben Dylgjerin, 56 vjeç kushëririn e tij dhe një turk Erdal Durunay, 51 vjeç janë ekzekutuar në afërsi të Kombinatit Metalurgjik, në Bradashesh ku një makinë ka qëlluar drejt 3 të vrarëve. Mësohet se tre personat kanë qenë në një makinë Range Rover me targa rumune dhe janë qëlluar në prani të familjarëve të tyre. Ndërsa Emiljano Ramazani ose siç njihej ndryshe me nofkën “Raman”, ekzekutimi i të cilit është bërë në 20 korrik të këtij viti është emër i njohur për drejtësinë. Ai është person me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikëve. Gjithashtu mësohet se “Ramani” ka qenë disa herë i arrestuar dhe dënuar. Në 2012 ai është arrestuar së bashku me 5 persona të tjerë për drogë. Pesë vite më pas ai është kapur sërish së bashku me një tjetër person, pasi iu gjet kokainë në makinë. Asokohe iu gjetën 10 doza kokainë, 50.000 lekë dhe 14 aparate celularësh. A.L /Gijotina.com
Discussion about this post