Sadetin Fishta, kreu i Sindikatës së Policisë në një intervistë për Gijotina.com foli mbi problematikat e punonjësve të policisë. Ai renditi profesionalizmin e punonjësve të policisë, pajisjet që ata përdorin si dhe trajnimet që duhet të kryejnë për situata të ndryshme gjatë operacioneve. Nga ana e kushteve të punës, Fishta tha se punonjësit e Policisë së Shtetit nuk kanë trajtimin e duhur financiar. Punë jashtë orarit, kohë pa kohë, e papaguar. Është kjo situata prej shumë vitesh me punonjësit e Policisë së Shtetit dhe deri më tani nuk është marrë asnjë masë.
Cilat janë shqetësimet që Sindikata e policisë ka ngritur dhe nuk janë marrë parasysh?
Sadetin Fishta: Të gjithë kërkesat që ne sindikata i ngremë mbi bazën e ligjit të policisë në fuqi dhe kontratës kolektive që ka firmosur me drejtuesit.
Ato përfitime që ka ligji, i ka të firmosura në kontratën kolektive, vetë sindikata ndërton marrëdhënien me drejtorin e përgjithshëm mbi bazën e kontratës. Kjo është kodi i punës i punonjësve të policisë, ku përfshihen gjithë aktet ligjore dhe nënligjore, duke nisur që nga Kushtetuta dhe aktet nënligjore më poshtë. Ne nuk kemi kërkuar asgjë si sindikatë, vetëm zbatimin e kontratës. Në qoftë se ne themi kështu, në ligj ka dhjetëra akte që nuk kanë dalë akoma, ligjore dhe nënligjore, që kanë të bëjnë me trajtimin ekonomik dhe social të punonjësve të policisë.
Trajtimi ekonomik dhe social. Këtu del një VKM për sigurimin e punonjësve të policisë, ku ligji thotë shprehimisht punonjësit i merret përsipër sigurimi i jetës dhe kjo rregullohet me VKM. Vendimi duhet të dilte në momentin kur ligji ka hyrë në fuqi. Qysh në vitin 2014, punonjësit e policisë po presin VKM-në dhe nuk ka dalë. Çuditërisht ne kemi dëgjuar nga drejtues, ish ministra që nuk kemi nxjerr VKM-në, pasi vetë shteti i merr përsipër. Po shteti si mund t’ia jap këtë siguri, kur nuk ka asnjë pikë, duke filluar nga prerja e dorës, e gishtit, thyerja e këmbës, sepse sigurimi nuk është vetëm humbja e jetës, por edhe dëmtimi fizik që i shkaktohet? Këto raste si do të trajtohen, pasi policët mund të kthehen edhe në invalidë dhe nuk janë të aftë t’i shërbejnë familjes?
Gjithë këto nuk janë parashikuar në kontratat e sigurimit të jetës dhe nga kërkesat tona nuk kanë sjellë përgjigje. Në një kohë që sigurimi i jetës doli me VKM për zjarrfikëset, por për shkak të ngjarjeve që ndodhën e fituan këtë gjë.
Edhe pse ne kemi rreth 150 punonjës të policisë të rënë në krye të detyrës, nuk e di se çfarë mund të presim më shumë se kaq!
Si veprohet në të tilla raste?
Sadetin Fishta: Në momentin që këta të fundit shpallen dëshmorë, qeveria i trajton edhe me një shpërblim pjesëtarët e familjes. Ky jepet për shkak të titullit që ka, por nuk aplikohet bazuar në sigurimin e jetës. Janë dy gjëra të ndryshme.
Rasti i dytë është tek ushqimet. Ushqimi ka kohë që është dhënë, para ’90 ka pasur dy vakte, në vitin 2000 u la vetëm me vakt, kjo u la deri në 2007, pas 2007-s e hoqën komplet, i lanë vetëm për Forcat Speciale. Tani këtë të drejtë e kanë FNSH, Akademia e Policisë, studentët dhe paraburgimi, ndërsa punonjësit e tjerë nuk kanë fare. Pra, një e drejtë që ndër vite është hequr komplet. Sot qeveria ua heq këtë. Kjo nuk është privilegj, ky vakt ka qenë i vendosur për një arsye të vetme, sepse punonjësit e policisë nuk e kanë shtëpinë ngjitur me komisariatin. Duke punuar me tre turne, ky person duhet të ushqehet diku, sepse ka ngarkesë të madhe fizike, por edhe psikologjike. Për të gjitha këto ka studime të bëra në kohë, që janë bërë për punonjësit e policisë, por veç kësaj në mes futet edhe ana ekonomike, pasi ai nuk duhet të shpenzojë nga buxheti familjar.
Ka ndonjë VKM, e cila i seleksionon punonjësit, pra që nuk i përfshin të gjitha kategoritë e policisë?
Sadetin Fishta: Ka dalë një VKM që ka nxjerrë qeveria dhe përsëri kjo është përcaktuar në mënyrë selektive, sepse i jep FNSH, por të tjerët i përjashton. Ligji e jep këtë, ndërsa VKM jo. Ka edhe një VKM tjetër, për trajtimin në natyrë, që është për të gjithë punonjësit publik që përfitojnë një pagesë prej 350 lekësh çdo ditë, por këtu është vendosur diçka, që ky përfitim jepet vetëm në qoftë se parashikohet në kontratën kolektive. Pra, duhet vendosur në kontratën e re. Ne e kemi përfshirë në kontratën e re dhe shpresojmë të realizohet për punonjësit e policisë.
Qeveria u sensibilizua pas vrasjes së efektivit Saimir Hoxha në Lezhë, për trajtimin e fëmijëve të policëve të rënë në detyrë. Paga e tyre do të jetë 170%. I çuditshëm është fakti që në këtë VKM, nuk parashikohet ajo që parashikon ligji që, përveç trajtimit financiar, përfitojnë edhe banesën falas. Flasim këtu për ata që janë të pastrehë. Sot e kësaj dite mungon, në ligj mungon, ndërsa VKM-në nuk e kanë nxjerrë akoma.
Strehimi i punonjësve të policisë, që kanë të drejtë të marrin kredi me 3%. Sot e kësaj dite, akoma qeveria nuk nxjerrë një akt nënligjor se ku do t’i marrin policët këto kredi me 3%.
Pse në të shumtën e rasteve ne jemi të zhgënjyer nga policia?
Sadetin Fishta: Nga ana tjetër, po dalin raste që tejkalojnë kufijtë e përdorimit të forcës ndaj qytetarit nga ana e punonjësve të policisë. Kjo tregon që këto punonjës policie janë në stres dhe këto studime janë bërë nga Instituti i Shëndetit Publik, ku ka dalë se policia ka stresin më e lartë, rreth 60%.
Do të thotë që gjithë këta elementë, po t’i krahasojmë, ndikojnë në performancën e policisë dhe në sigurinë e qytetarit.
Policia ka probleme me kushtet e punës? Janë të plotësuara të gjitha kushtet?
Sadetin Fishta: Kushtet e punës, ka edhe këtu probleme: Trajtimi financiar mbi kohën e punës, dhënia e dietave të jepen në kohë.
Ligji i policisë, në ndryshimin e fundit, e ndan nivelin e punonjësit zbatues në tre grada. Për dhënien e këtyre gradave, ligji ka ngarkuar qeverinë që ta zbatojë që në janar të 2018
Ndërkohë pagesat e mbartura të orëve ndër vite nuk vijnë për shkak të mungesës së fondeve, por për shkak të vullnetit të drejtuesve të policisë. Drejtori i ri i Përgjithshëm, Gledis Nano, ka nisur bashkëpunimin me sindikatën për të realizuar të gjitha problematikat. Ai mund të ndryshoj situatën dhe gangrenat e krijuara ndër vite në drejtim të trajtimit të punonjësit të policisë./ Gijotina.com
Discussion about this post