Tri organizata serbe kanë njoftuar se do të depozitojnë një kallëzim penal kundër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe katër zyrtarëve të tjerë të lartë, të cilët i akuzojnë për shpërdorim të detyrës dhe mospërmbushje të detyrimeve ligjore në lidhje me zhvillimet në Kosovë.
Sipas mediave serbe, nisma është ndërmarrë nga Këshilli Kombëtar Serb (SNV), Forumi Kombëtar Serb me seli në Graçanicë dhe lëvizja “Otadžbina”.
Përveç presidentit Vuçiç, në kallëzimin e paralajmëruar përfshihen edhe Ivica Daçiç, Ana Brnabiç, Petar Petkoviç dhe ish-kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç.
Tri organizatat pretendojnë se zyrtarët kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk kanë përmbushur përgjegjësitë e tyre ligjore në raport me politikat e Beogradit ndaj Kosovës. Akuzat lidhen veçanërisht me zhvillimet që kanë çuar në mbylljen e institucioneve serbe në territorin e Kosovës.
Sipas paralajmërimit, dokumentacioni përkatës pritet t’i dorëzohet Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, ku do të kërkohet shqyrtimi i përgjegjësisë së zyrtarëve të përmendur.










Discussion about this post