Ndërmarrja Shtetërore Albcontrol ka organizuar tender pa garë me vlerë 616 milionë lekë të vjetra pa TVSH duke shpallur fituese kompaninë R&T shpk në pronësi të Renis Tërshana, aksioneri kryesor i Bankës Credins dhe i disa bizneseve të tjera.
Fituesi i tenderit për sigurimin e kullës së kontrollit mobile në Aeroportin e Kukësit është shpallur në 1 prill 2022 ku kemi patur mungesë konkurrence, një procedurë me dyshime të forta për korrupsion dhe favorizim sipas Open Data Albania.
Por ky tender me flamur të kuq është maja e ajsbergut sepse sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, vet AlbControl rezulton me flamur të kuq pasi nuk ka kryer regjistrimin e pronarëve përfitues, një detyrim ligjor për të qënë transparent. Ligji për regjistrimin e pronarëve përfitues i miratuar që prej vitit 2020 parashikon gjobitjen me 600 mijë lekë të subjekteve që nuk kanë pasuruar regjistrin e biznesit.
Kriza e menaxhimit
Ndërmarrja shtetërore Albcontrol e cila është në varësi të Ministrisë së Financave është një karikaturë e keqmenaxhimit sepse pavarësisht se rriten të ardhurat në buxhetin e saj, kompania përsëri ka humbje të konsiderueshme. Madje vitet e fundit Albcontrol ka patur humbje të mëdha, gati 3,7 milionë euro dëm për vitin 2020 sipas të dhënave nga Qendra kombëtare e Biznesit.
Kriza e menaxhimit u bë e qartë kur në 7 Prill 2021 Aeroporti i Rinasit u bllokua pas protestës të 68 kontrollorëve të trafikut ajror të kompanisë, të cilët kërkonin rikthimin e pagave në nivelin e para pandemisë dhe ndërprerjen e procedurës së shkarkimit për dy prej kontrollorëve.
Protesta shkaktoi anulimin e 13 fluturimeve në Rinas, ndërkohë që aeroporti u bllokua deri mesditën e 8 prillit. Ministrja Balluku e quajti “grusht shteti” protestën por Albcontrol ka kohë që është në krizë.
Në radhë të parë, mjafton të shohim procedurat e prokurimit që nga viti 2018 të cilat kanë prodhuar 49 tendera me flamuj të kuq, si pasojë e mungesës së konkurrencës ose skualifikim konkurrentësh duke i derdhur fondet publike drejt operatorëve të preferuar, veprime të cilat kanë dyshime të forta për sjellje korruptive.
Nëpërmjet këtyre tenderave, Albcontrol ka shpërndarë fonde të cilat kapin vlerën e 14 milionë eurove pa TVSH ose 69% e të të gjithë shumës të tenderave që kanë qarkulluar nga 2018 e në vazhdim.
Së dyti, Albcontrol ka patur si anëtarë të bordit persona të cilat kanë qënë në poste politike për të cilët nuk ka shpjegime për rolin që kanë patur në kompani. Pjesë e këtij bordi është Besart Kadia, zëvendësministër financash në qeveri i cili u bë anëtar i kompanisë më 25 nëntor 2020. Gjithashtu anëtar bordi është edhe Viola Haxhiademi e cila mban edhe postin e sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës.
Emra të tjerë në këtë listë kanë qënë Genci Gjonçaj, sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit dhe anëtar bordi në vitin 2017 i cili u zëvendësua nga Kledia Mazniku. Anëtare bordi ka qënë edhe Albana Koçiu (drejtore e DAP) dhe Mirlinda Karçanaj, drejtore e AKSHI.
Shoqëria ka të ardhura, madje në rritje por edhe shpenzimet rriten për shpenzime zërash të papërcaktura.
Sipas kompanisë të ardhurat janë goditur nga anulimi i mbi gjysmës së fluturimeve ajrore në Shqipëri dhe në botë, për shkak të pandemisë, por problemet financiare të kompanisë kanë filluar që nga viti 2018.
Marrëveshja e anulluar midis Banka Credins dhe Unionit Shqiptar Kursim Kredi
Kompania R&t shpk nuk e ka herën e parë që merr tendera pa garë, me mungesë konkurrence apo skualifikim konkurrentësh. Ajo është një kliente e rregullt e Albcontrol ku pronari Renis Tërshana nuk ka vetëm këtë biznes por është një nga aksionerët kryesorë të Banka Credins.
Për herë të parë emri i Renis Tërshanës është lakuar në media në shtator të 2014 për marrëveshjen e Unionit Shqiptar Kursim Kredi me Bankën Credins.
Menjëherë pas lidhjes së Unionit të drejtoreshës Zana Koninit, me Credins Bank në kohën që drejtor ka qënë i ndjeri Artan Santo, “Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion”, i dërgoi dy kërkesa institucioneve të mësipërme në datën 27 janar 2014 duke kërkuar argumente sqaruese për veprimet e kryera ku në të dyja rastet në qendër të këtyre veprimeve ishte shitja e aksioneve nga Renis Tërshana kundrejt Unioni Shqiptar Kursim Kredi.
Konkretisht “Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion” kërkonte dokumentin, i cili vërtetonte se kanë qënë asetet e Unionit Shqiptar të Kursim Kredisë më datën 15 Mars 2012, kohë në të cilën është kryer edhe blerja e aksioneve, dokumentin e autorizimit në QKR, vendimin e asamblesë së ortakëve.
Kërkesën e mësipërme ia dërgoi edhe Unionit Shqiptar Kursim Kredi ku kërkohet dokumentacioni i cili qartësonte natyrën e marrëveshjes.
Për shkak të luftës dhe rezistencës së disa kryetareve të tjerë të Unionit, marrëveshja me Credins Bank u pezullua por la shumë pasoja. Sipas mediave të asaj kohe, shoqëritë e transferuara “me dhunë” pranë Bankës Credins janë disa dhe vlera e portofolit të tyre të kredisë arrin masën 6,5 milionë euro.
Lidhja me Vilma Nushin
Pronari i kompanisë R&T shpk, Renis Tërshana është bashkëpronar i firmës “Photon SH.P.K” me ortake Vilma Nushi, biznesmenia më e përfolur e qeverisë Rama e akuzuar si oligarke nga Partia Demokratike dhe si përfituese e kontratës koncensionare për kontrollin e shëndetit bazë, i njohur si “Check-Up” sepse ka marrë pagesa për shërbime të pakryera.
Kjo pasi qeveria Rama në 2014 ka firmosur një kontratë e cila i siguron kompanisë pagesat vjetore pavarësisht nëse ka apo nuk ka kërkesa për Check Up duke rënduar buxhetin e shtetit.
Tenderi për kullën e Aeroportit të Kukësit nuk është një rast i izoluar por indicie se lidhja me një nga oligarket e përfolura të qeverive të Rilindjes, emërimet pa plane brenda Albcontrol apo eleminimi i konkurrencës janë të gjithë ingredientët e duhur për të krijuar mundësi abuzimi me fondet publike.
Discussion about this post