Kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka depozituar sot në Kuvend amendamentet e tyre për ndryshimet kushtetuese që lidhen me tre çështje, reformën zgjedhore, territoriale dhe vetingun në politikë.
Në fjalën e tij, Basha sqaroi këto amendamente, duke u shprehur se së pari kanë të bëjnë me reformën zgjedhore dhe zhbërjen e ndryshimeve të 30 korrikut, që sipas kryedemokratit, u kaluan pa vullnetin e opozitës.
“PD ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë amendamentet kushtetuese në lidhje me tre prioritet për të nxjerrë shqiptarët nga kriza dhe gjendja e mjerueshme, produkt i keqqeverisjes. Ashtu siç ju kam informuar, këto çështje kryesore kanë të bëjnë me reformën zgjedhore përfshirë gjithë aspektet e saj. Zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë më një arenë për lukunitë për krimin e organizuar dhe shtetit për të trysnuar shqiptarët dhe as një fushë veprimi për patronazhistët e PS që bashkë me kreun e tyre i pret belaja. Përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kthejmë Shqipërinë në shina. Amendamentet kanë të bëjnë me zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme, që kaluan pa vullnetin e opozitës dhe depozitimin e komisionit zgjedhor që puna të nisë një orë e më parë”, ka deklaruar ai.
Amendamenti tjetër që kreu i opozitës propozoi ishte edhe reforma territoriale, që sipas tij ndarja në 370 komuna nga Partia Sociale, nuk i përgjigjet kërkesës më elementare për përfaqësim. Ndërsa propozon një ndarje më efektive.
“Amendamenti tjetër ka të bëjë me katastrofën e përditshme që përjetojnë Shqiptarët, reforma territoriale që i hoqi Shqipërisë 25 vite progres në vendosjen e decentralizimit të pushtetit lokal. Propozimi ynë është i qartë. Në kushtetutë ka një nen ku komunat akoma ekzistojnë. Ka një vullnet që unë e kam prekur në çdo takim në Shqipëri, për të patur pushtetin vendor afër qytetarëve. Të paktë janë ata që mendojnë se duhet të kthehemi te treqind e shtatëdhjetë e ca komuna, por të shumtë janë ata që mendojnë se jo vetëm kanë asgjësuar çdo shërbim, por kjo ndarje nuk i përgjigjet kërkesës me elementare për përfaqësim. Por i çon për shërbimin më të vogël dhjetëra qindra kilometra larg”, ka deklaruar ai.
Sipas Bashës, PD ka propozuar bashki rurale dhe urbane, ndërsa u shpreh se propozimet synojnë që pushteti vendor të jetë sa më afër qytetarëve.
Ne kemi paraqitur amendamentin tonë që parashikon bashki urbane dhe bashki rurale. Pak rëndësi nëse do të quhen komuna apo bashki rurale, kjo është çështje teknike. Rëndësi ka që pushteti vendor të shkojë afër qytetarëve”, tha Lulzim Basha.
Gjithashtu, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se nuk do të ketë më dialog me opozitën në praninë e të huajve. I pyetur nëse e pranon dialogun me qeverinë jo në gjuhë angleze dhe nëse amendamentet kushtetuese të PD janë të panegociueshme, Basha u shpreh se është gati të ulet në diskutim dhe të pranojë propozimet e socialistëve, nëse sipas tij, ato janë të vlefshme.
“Pa diskutim që ne ulemi për të çuar përpara plotësimin e këtyre amendamenteve kushtetuese. Nuk shkojmë aty me qarkun e pushkës për të thënë firmosni tani. Nëse kanë diçka të vlefshme për të shtuar, le ta shtojnë, nëse kanë pyetje, le të pyesin. Ama këtë do ta zhvillojmë në sytë e gjithë shqiptarëve. Për gjithçka që bën vetingun më të fortë, ne jemi gati. Edhe nëse masakra zgjedhore nuk do të kishte penguar ardhjen e PD në pushtet, mundësia që ne të ndryshonim vetëm Kushtetutën, do të ishte e vogël. Një vendi që kërkon të bëhet anëtar i BE, nuk i takon që një parti ta ndryshojë Kushtetutën, e vetme. Pra, edhe nëse do i kishim votat, prapë do të shkonim te PS, që t’iu thonim ‘ejani ta bëjmë bashkë”, ka deklaruar ai.
Në fjalën e dhënë para gazetarëve, kryetari PD-së Lulzim Basha theksoi se edhe pse SPAK është harxhimi më i madh i bërë ndonjëherë dhe meriton 0 besim PD-ja do t’i japë një shans në mënyrë që të vërë para drejtësisë të gjithë funksionarët të cilët kanë lidhje me krimin e organizuar.
“SPAK meriton 0! Është shpenzimi më i madh i parave të shqiptarëve. SPAK qilim kuqi, për shkak të paradave që bën. Që të fillojë punën për të cilën paguhet, ruhet me makina, speciale, u kanë dhënë staf mbështetës, sekretare, po ju japim një shans për të cilin janë investuar taksat e shqiptarëve, amerikanë e europianëve. Po dëshmojmë se jo vetëm që nuk u trembemi institucioneve të drejtësisë, por po i mbështesim që të vijojnë punën”, tha Basha.
Basha i pyetur nga gazetarët për emra konkretë të këtyre politikanëve të Partisë Demokratike të lidhur me krimin, Basha tha se komentet janë të tepërta por mund tu hidhet një sy të gjithë atyre që janë pasuruar pas lënies së pushtetit dhe sipas tij janë persona që kanë bashkëpunuar me Ramën dhe i kanë vënë shkelmin partisë.
“I njohin demokratët ua dinë bëmat ua dinë dhe pazaret, kështu që mendoj se komentet e mia janë të tepërta. Jam i bindur që do të ketë socialistë të ndershëm dhe në nivelin e atyre me pushtet që do ta mbështesin këtë. Ka nga të dyja anët politikanë që i tremben pastrimit të politikës. Është shteruar, edhe sot nga Rushaj. Nuk ka vakum kushtetues, Vettingu vazhdon, nuk ndalet e parashikon Kushtetuta”, ka deklaruar ai.
Sa i takon çështjes së zgjatjes së veting-ut, kryetari i opozitës Lulzim Basha ka qenë sërish i lëkundur për kërkesën e mazhorancës për zgjatjen e mandatit të anëtarëve të vettingut në drejtësi. I pyetur nga gazetarët, kreu i opozitës ka deklaruar se para se të vendoset nëse Partia Demokratike do bashkojë votat me mazhorancën për zgjatjen e vetingut në drejtësi do të bëhet një analizë e thellë për 16 të mandatuarit.
“Fillimisht do të shikohet sesi e kanë bërë punën personat e emëruar në organet e vetingut, e kanë bërë me presion apo jo, nga kush është ushtruar presion, a është bërë me ritmin e duhur, pse janë shkaktuar vonesa etj. Pra do bëhet një analizë e gjerë dhe më pas do të vendoset me konsensus brenda partisë se çfarë qëndrimi do të mbajmë”, deklaroi Basha në konferencën për mediat. Madje, ai vuri theksin dhe nga mënyra sesi Partia Socialiste ka tentuar të përçojë mesazhin me presion, duke dalë në një deklaratë nga selia e PS sesi do të procedojnë për organet e vetingut.
Pak ditë më parë, Taulant Balla deklaroi se PS do të dorëzojë në Kuvendin e Shqipërisë një amendament për zgjatjen e afatit të të zgjedhurve në organet e vetingut me tre vite të tjera për shkak të mosmbylljes së këtij procesi.