Më 30 maj 2018 përfundoi rikonstruksioni i plotë i Amfiteatrit, në dhjetor 2024 mësojmë nga Erion Veliaj u dashkan hedhur lekë të tjera se paska hyrë “lagështira” nëpër dhoma!
Tender për objektin e rindërtuar nga e para
Para 6 vjetëve u bë rikonstruksioni i plotë i arenës dhe i gjithë infrastrukturës plotësuese rreth tij. Amfiteatri u pajis edhe me skenën, podiumin, dhomat e zhveshjes së artistëve, gjithashtu edhe me sallën teknike nga ku projektohet në skenë.
Për të siguruar një gjelbërim të përhershëm është instaluar edhe një sistem automatik ujitjeje të gjelbërimit brenda territorit të amfiteatrit, në mënyrë që temperaturat e larta të verës të mos thajnë barin dhe pemët.
Punimet u bënë speciale, sepse në skenë do të performonin Inva Mila dhe artistë të tjerë me famë botërore. Ndërsa tenderi që ka bërë Erion Veliaj në dhjetor 2024 është stisur për t’i kaluar një fond para zgjedhjeve njeriut të vet të besuar.
Vini re në fotot më poshtë ambientet e brendshme të Amfiteatrit që janë në gjendje shumë të mirë. Janë pamje të marra në dhjetor 2024 nga vetë stafi që ka bërë prokurimin e fondit. Mund të ketë nevojë për ndonjë shërbim rutinë, por nuk justifikohet ky tender!
Eliminohen të gjitha ofertat më të ulëta
Erion Veliaj për të favorizuar Renido Petritajn fshin nga gara 3 kompani. Biznesmenit të ri nga Skrapari i ishin rezervuar 132 milionë lekë për bojatisjen e dy dhomave të Amfiteatrit tek Parku i Liqenit Artificial të Tiranës.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, me këtë përshkrim e veçon tenderin Open Data Albania. Dhe për të treguar riskun e korrupsionit, procedura e prokurimit është shënuar me “Flamur të kuq.
Porosia e Veliajt është çuar në vend nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit që është një nga ndërmarrjet e varësisë së Bashkisë Tiranë. Drejtoresha e agjencisë, Anisa Ruseti, të paktën sipas letrave, është marrë me organizimin e prokurimit, sidomos me justifikimin e fondit limit, preventivin, kalendarin e punimeve, për të nxjerrë këto para nga arka e bashkisë.
Bëhet fjalë për tenderin “Rikonstruksion i ambienteve të shërbimit në funksion të amfiteatrit” me fondin limit 13 257 948,00 lekë pa llogaritur TVSH.
Projekti synon rehabilitimin e ambienteve të shërbimit të cilat janë në funksion të Amfiteatrit. “Në gjendjen ekzistuese vihen re problematika të tilla si : prania e lagështirës në një pjesë të madhe të sipërfaqeve te brendshme, materiale të degraduara, ndriçuesit aktualë janë të vjetëruar, mungesa e hapësirave të nevojshme për njerëzit me aftësi të kufizuar. Rehabilitimi konsiston në riorganizim sa më funksional dhe bashkëkohor të hapësirave të brendshme”, shkruhet në argumentimin e tenderit. Shkurt punime lyerje dhe blerje dritash të reja.
Tenderi është bërë shpejt e shpejt më 11 dhjetor 2024 dhe është mbyllur më 26 dhjetor 2024. Megjithatë interesi nuk ka munguar. Katër pjesëmarrësit në tender ishin: “UDHA” SHPK; “INA” SHPK, bashkimi i operatorëve “TREND &CO” SHPK dhe “VIANTE KONSTRUKSION” SHPK, si dhe kompania “RAFIN COMPANY” SHPK.
Kjo e fundit, që është në pronësinë e Renido Petritajt u shpall oferta fituese me propozimin 11 519 652,00 lekë pa llogaritur TVSH. Dhe siç mësojmë nga Agjencia e prokurimeve, ditën e sotme ( 24 janar 2025) i është lidhur kontrata për të nisur punën 4 mujore.
Meqenëse në lojë ishte Renido Petritaj, nuk u mor në konsideratë fakti që 3 ofertat e tjera ishin më të ulëta, por u vendos për propozimin më të shtrenjtë. Konkretisht, “UDHA”shpk e kishte vlerën e ofertës: 9,297,839 lekë; “INA” shpk me 9,971,551 lekë dhe bashkimi i operatorëve “TREND &CO” SHPK dhe “VIANTE KONSTRUKSION” SHPK kishte propozuar ta bënte punën me 9,983,865 lekë.
Kush është biznesmeni që favorizohet?
Biznesmeni përfitues është një emër i njohur në aferat më të mëdha të zhvilluar nga institucionet. Të rinjtë e thjeshtë deri në 23 vjeç nuk arrijnë as të mbyllin studimet e larta, ndërsa Renido në këtë moshë krijoi kompaninë “2F CONSTRUCTION LTD” sot RAFIN COMPANY SHPK. E nis me investimin 100 lekë dhe sot luan me miliona euro që i përfiton nga tenderat e Lali Erit dhe zyrtarët e tjerë.
Edhe pse pa eksperiencë dhe pa kapital, në vitin 2017 xhiroja vjetore shkon 1 milionë USD, ndërsa në vitin 2019 dyfishon xhiron vjetore, duke shënuar kulmin në 2020, ku ka marrë miliona euro tenderë, me procedura të dyshimta dhe klienteliste, dukshëm korruptive. Tenderët e dyshimtë reflektohen edhe në rritjen e kapitalit themeltar të kompanisë nga 100 lekë që ishte në mbi 200 mijë USD në vitin 2020. Me peshqeshet që merr nga drejtorët dhe kryetarët që nga viti 2017 dhe deri më tani, Renido Petritaj ka arritur të fitojë 80 tendera publikë me një vlerë rreth 34 miliardë lekë.
Këtë vit, Erion Veliaj e ka furnizuar Petritajn me fonde duke e favorizuar hapur, Ky tender me “Flamur të kuq” më poshtë, me vlerë 624 milionë lekë i është dhënë kompanisë RAFIN COMPANY në qershor 2024, nga Erion Veliaj.
Ndërkohë që zhvillohej ky tender për Amfiteatrin, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, jepte llogari në SPAK.
Prokuroria e Posaçme sqaroi se hetimet, ende në fazë paraprake, kishin gjetur prova për të paktën katër akuza.
“Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal (korrupsioni pasiv), por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.
SPAK po ashtu bëri me dije se informacioni ishte verifikuar, ndërsa thanë se akuzat ishin regjistruar. “Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Regjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post