Pas ditësh të tëra përplasjesh, dhune policore dhe pamjesh që kanë bërë xhiron e rrjetit, duket se protestuesit kanë gjetur më në fund mënyrën për t’i vënë në vështirësi efektivët e Policisë së Shtetit: një Molto!
Rei Sulejmani, një prej të rinjve më aktivë në protestën studentore, ka publikuar në rrjetet sociale një video humoristike, ku ironizon policinë dhe episodin që i ktheu efektivët në meme, pasi u filmuan duke ngrënë Molto gjatë protestave.
Në një skeç me bashkëshorten e tij, Rei shfaqet duke zbuluar “armën sekrete” që ka përgatitur për protestën e së shtunës. Teksa ajo e pyet nëse ka sjellë Molotovë apo fishekzjarrë, ai e lë të kuptojë se ka diçka shumë më të fuqishme: Molto me fistik dhe një tjetër variant me fruta!
Sipas ironisë së tij, efektivët mund të përballojnë mburojat, gazin dhe fishekzjarrët, por përballë këtyre ëmbëlsirave nuk kanë asnjë shans. Madje, Rei tallet se policët janë mësuar vetëm me Molto me qershi dhe çokollatë, ndaj surpriza e radhës do t’i lërë pa fjalë.
Rei jeton dhe punon në Itali, por është kthyer në Shqipëri për t’iu bashkuar të rinjve që prej disa muajsh protestojnë kundër klasës politike. Videoja e tij vjen në një kohë kur reagimet ndaj dhunës policore, përdorimit të plumbave të gomës, gazit lotsjellës dhe shoqërimeve të dhunshme kanë qenë në qendër të vëmendjes.
Ndërkohë, studentët kanë thirrur një tjetër protestë kombëtare këtë të shtunë, në orën 12:00, para Ministrisë së Arsimit. Mbetet për t’u parë nëse “arma sekrete” e Reit do të bëhet pjesë e protestës, apo nëse policia do të ketë marrë masa edhe për këtë “kërcënim”!










Discussion about this post