NASA thotë se dëshiron ta bëjë eksperimentin sa më të ngjashëm me Marsin, gjë që do të thotë jo vetëm izolim, por edhe faktorë stresi shtesë si kufizimi i burimeve, defekti në pajisje dhe ngarkesat e rënda të punës. Anëtarët e ekuipazhit do të kenë një furnizim të kufizuar ushqimor, ndaj ata janë të detyruar të racionojnë me kujdes burimet
Rëra e kuqe zhvendoset nën çizmet e anëtarëve të ekuipazhit. Nga distanca duket si një varg malor shkëmbor që po ngrihet mbi horizonti marsian.
Një shtresë e hollë pluhuri të kuq mbulon panelet diellore dhe pajisjet e nevojshme për misionin 1-vjeçar.
Në fakt, ky peizazh nuk është 233 milionë km larg. Jemi në një cep të Qendrës Hapësinore Xhonson të NASA në Hjuston, Teksas, në një magazinë të madhe me ngjyrë të bardhë, pranë fushës së golfit, dhe buzë rrugës së tramvajit që përdoret për transportin e turistëve dhe grupeve të ekskursionit nga shkollat. Por duke filluar nga ky qershor, 4 vullnetarë do të kalojnë 1 vit të mbyllur brenda, duke pretenduar se jetojnë në Mars.
Studiuesit e NASA-s thonë se po bëjnë gjithçka që munden, për ta bërë atë sa më realiste që të jetë e mundur, në mënyrë që të mësojnë mbi ndikimin që ka mbi shëndetin e njeriut jetesa për 1 vit i izoluar dhe me burime të kufizuara.
“Kur udhëtojmë nga orbita e ulët e Tokës, dhe nga Hëna në Mars, do të kemi shumë më tepër kufizime burimesh sesa aktualisht në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, dhe do të jemi shumë më larg nga Toka për të kërkuar ndonjë ndihmë”, thotë dr. Grejs Dagllas, ekspertja kryesore për Eksplorimet Analoge të Ecurisë së Shëndetit të Ekuipazhit, CHAPEA.
Katër anëtarët e ekuipazhit, do të jetojnë në një njësi të vogël banimi, që u ndërtua duke përdorur një printer të madh 3D, dhe nga ky eksperiment NASA do të mësojë se si mund të krijojë në të ardhmen struktura në sipërfaqen e Marsit.
Ata do të kryejnë eksperimente, do të kultivojnë ushqime, do të stërviten, dhe do të testohen rregullisht, në mënyrë që shkencëtarët të mësojnë se çfarë mund t’i bëjë trupit dhe mendjes 1vit i kaluar në Mars. “Kjo është realisht një rrethanë ekstreme.
Ne po kërkojmë që individët të jetojnë dhe të punojnë së bashku për më shumë se një vit. Ata duhet jo vetëm të shkojnë mirëme njëri-tjetrin, por duhet gjithashtu të performojnë mirë së bashku”, shprehet Suzan Bell, drejtuese e Laboratorit të Shëndetit të Sjelljes dhe Performancës në Qendrën Hapësinore të NASA-s.
Kjo e fundit, thotë se shpreson të dërgojë njerëz në planetin e kuq duke nisur nga vitet 2030. Misioni i parë mund të jetë një udhëtim 9-mujor drejt Marsit, dhe mund t’i lërë astronautët në sipërfaqen e tij për 2 vjet e gjysmë, përpara se ata të nisin udhëtimin e gjatë për t’u kthyer në Tokë.
Përgatitjet për atë udhëtim, janë duke u zhvilluar tashmë me programin Artemis të agjencisë. Artemis po dërgon astronautët sërish në Hënë për herë të parë që nga viti 1972, përfshirë personin e parë me ngjyrë dhe një grua.
Por si pjesë e misioneve Artemis, NASA po lëshon edhe ‘Gateway’, një stacion hapësinor që do të rrotullohet rreth Hënës dhe do të shërbejë si një stacion ndihmës për misionet që do të nisen për në Mars. Të shkosh në Hënë do të thotë të shkosh në Mars, dhe të shkosh në Mars do të thotë të testosh shëndetin fizik dhe të sjelljes së një ekuipazhi në izolim. Këtu hyn CHAPEA. Misioni nuk është testi i parë i NASA-s në testet afatgjata, përpara se të dërgojë njerëzit më në thellësi të hapësirës.
Në vitin 2015, astronautët Skot Keli dhe Mikhail Kornienko, kaluan një vit në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.
Shkencëtarët e krahasuan biometrinë e tij me binjakun e tij identik, senatorin amerikan Mark Keli, për të mësuar efektet e qëndrimit të gjatë në hapësirë.
Po ashtu shkencëtarët e NASA-s po kryejnë një seri “misionesh analoge”, që synojnë të simulojnë këtu në Tokë pjesë të ndryshme të eksplorimit të hapësirës.
“Pavarësisht se sa sfiduese, e madhe apo e kushtueshme është diçka e tillë, është më e lehtë se sa në fluturimet në hapësirë. Pra, kur duam që të analizojmë humbjen e masës kockore dhe të muskujve, ne i vendosim njerëzit në shtrat.
Kur duam të shohim se çfarë ndodh me vitaminën D dhe njerëzit që nuk e shohin Diellin, shkojmë në Antarktidë. Kur analizojmë stresin oksidativ, shkojmë në fund të oqeanit.
Dhe kur duam të shohim reagimin në mjedise të mbyllura dhe pasojat e stresit, ndërtojmë dhoma të tilla”, thotë Skot Smith, që drejton Laboratorin e Biokimisë Ushqimore në Qendrën Hapësinore NASA.
Qendra nuk i ka identifikuar ende 4 anëtarët e ekuipazhit që do të futen në këtë habitat të veçantë në qershor, por theksoi se ata u përzgjodhën duke përdorur kritere të ngjashme me atë të astronautëve. Ata janë njerëz me diploma të avancuara në shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë, dhe përshtaten me një profil fizik dhe psikologjik për t’i bërë të përshtatshëm për një eksperiment të tillë.
Shtëpia prej 158 m2, ka 4 dhoma private dhe një banjë të përbashkët me dush dhe tualet. Po ashtu përmban studio pune të veçanta, një qendër shëndetësore dhe një sallë pritjeje, të kompletuara me lojëra tavoline si për shembull “Monopoly” dhe disa lojëra elektronike.
Duke përdorur serrat e brendshme, anëtarët e ekuipazhit do të kultivojnë ushqime që janë gati të hahen si domate dhe zarzavate me gjethe, të cilat do ta lejojnë NASA-n të vlerësojë cilësinë dhe efikasitetin e planit të saj për të rritur të korrat në Mars.
Po ashtu të ketë një vonesë komunikimi 22-minutëshe midis banorëve të CHAPEA dhe botës së jashtme, ashtu siç do të përjetojnë astronautët kur komunikojnë me Tokën. Karakteristika më e veçantë në habitatin CHAPEA, është oborri me rërë prej 115 m2 katrorë ngjitur me shtëpinë.
Ekuipazhi do të veshë pseudo kostume hapësinore, dhe do të kalojë nëpër një blloku të rremë me ajër për të hyrë në pjesën “natyrale” të habitatit, një flluskë e madhe e mbushur me rërë dhe një peizazh marsian të simuluar.
Atje pjesëmarrësit do të kryejnë misione të simuluara – që NASA i quan “Marswalks” (ecjet në Mars) – të cilat do të kryhen në çifte, të kompletuara me teknologjinë e realitetit virtual, për ta bërë të duket sikur po përshkojnë në të vërtetë sipërfaqen e planetit të kuq.
NASA thotë se dëshiron ta bëjë eksperimentin sa më të ngjashëm me Marsin, gjë që do të thotë jo vetëm izolim, por edhe faktorë stresi shtesë si kufizimi i burimeve, defekti në pajisje dhe ngarkesat e rënda të punës. Anëtarët e ekuipazhit do të kenë një furnizim të kufizuar ushqimor, ndaj ata janë të detyruar të racionojnë me kujdes burimet./The Guardian
Discussion about this post