Asnjë gjurmë nga autorët për ekzekutimin e dyfishtë në Elbasan. Policia ka shoqëruar sot disa persona të dyshuar me precedentë penale, por nuk ka ende asnjë gjurmë nga autorët për vrasjen e Lulzim Bitrit dhe Ardian Çollakut në qendër të Elbasanit. Policia dyshon se kemi të bëjmë me vrasës me pagesë pasi janë treguar shumë “profesionistë” në atentat. Kjo duke marrë shkas edhe nga djegia e makinës së përdorur në ngjarje, veprim i cili ka bërë që të mos ketë shpresa për shenja gishtash apo gjurmë ADN. Edhe pse kishin dijeni për kamerat e sigurisë në vendin e ngjarjes, autorët janë kamufluar duke e bërë të vështirë identifikimin. Ardian Çollaku dhe Lulzim Bitri janë monitoruar prej disa ditësh dhe atentati ka qenë shumë i planifikuar. Ata lëviznin me makina të blinduara dhe atentatorët gjetën momentin kur ndodheshin në këmbë, për t’i ekzekutuar më pas me breshëri plumbash kallashnikovi.
Dinamika e ngjarjes
Të shënjestruarit, Lulzim Bitri 35 vjeç dhe Ardian Çollaku 50 vjeç u ekzekutuan me mbi 17 plumba, pranë një pike karburanti në qendër të qytetit të Elbasanit. Viktimat kanë qenë duke ecur në këmbë ndërsa, pak metra larg tyre është afruar një makinë ku dyshohet të kenë qenë 3 persona dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash drejt tyre. Si pasojë e breshërisë, Bitri humbi jetën në vendin e ngjarjes ndërsa Çollaku u plagos rëndë. Ky i fundit pasi u transportua të trauma pësoi vdekje klinike ndërsa mëngjesin e sotëm ndërroi jetë. Theksojmë se pak metra larg ngjarjes u gjet një makinë e djegur tip “Volvo” në zonën Balldre, e cila dyshohet të ketë qenë e autorëve, skenar i cili dëshmon se kemi të bëjmë me një atentat të mirë organizuar mafioz dhe vrasës më pagesë. Këta të fundit “profesionistë” të armës, sigurohen që të mos lenë asnjë provë materiale që do të çojë në zbulimin e krimit. Sakaq një element që vërteton se kemi të bëjmë me përplasje bandash kriminale është edhe koha e vendi ku është kryer atentati mafioz. Jo më kot dy të inkriminuarit Lulzim Bitri dhe Ardian Çollaku u qëlluan për vdekje në errësirë totale, në një zonë ku nuk ka patur kalimtarë. Ngrihen dyshime se të shënjestruarit, janë ndjekur “këmba këmbës” nga atentatorët deri në ekzekutimin me sukses të tyre. Megjithatë në tryezën e hetimeve, janë kryesisht kamerat e sigurisë që pritet të zbardhin të plotë çdo lëvizje të atentatorëve.
E shkuara kriminale e viktimave dhe pistat e hetimit
Dy të shënjestruarit janë persona me precedent penal dhe se kanë lidhje me persona të tjerë nga bota e krimit në këtë qytet. Ndaj pistat kryesore ku po hetohet ngjarja, është larje hesapesh dhe përfshirje në banda kriminale.
Ardian Çollaku (Subashi) është hetuar për vrasjen e Everest Çakaj që ndodhi më 11 maj të këtij viti, në të cilën dyshohet se ka pasur lidhje direkte. Nga hetimet ka rezultuar që pas dënimit në Itali, Çollaku vidhte automjete dhe ua shiste grupeve kriminale për të kryer vrasje.
Çollaku dyshohet se është personi që ka bashkëpunuar me grupin e Dubait dhe të Erion Alibejt, i cili është vëllai i Endrit Alibejt, që mbeti i vrarë në “Masakrën e Bradasheshit” në vitin 2018. Erjon Alibej nga ana tjetër dyshohet se është porositësi i dy vrasjeve që ndodhën vitin e kaluar në Elbasan.
Nga ana tjetër, viktima tjetër Lulzim Bitri rezulton lidhje e fortë e Talo Çelës, një nga miqtë më të afërt të tij.
Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”. A.L / gijotina.com