Nënkryetarja e Bashkisë Elbasan, Aulona Bylykbashi ka krijuar një qark të mbyllur njerëzish të besuar për të realizuar abuzimet me paratë e tenderëve. Kryesori është biznesmeni Nazif Bajrami, pronar i firmës “Bajrami N” shpk. Besimi ndaj tij është krijuar dhe forcuar edhe nga e shoqja, Anduena Prifti, e cila ka qenë nënkryetare e bashkisë qysh në kohën e Qazim Sejdinit.
Më pas vijnë firmat e mbikëqyrjes dhe kolaudimit të punimeve. Disa prej tyre janë të përzgjedhura nga nënkryetarja, ku më e favorizuara duket se është Valbona Dauti, pronarja e DEA-N CONSULTING STUDIO SHPK. Kjo e fundit, herë pas here paraqitet në tendera bashkë kompaninë “ALB SUPERVIZION – D.S.” sh.p.k. që ka pronar Premtim Dautin. Në rrethin tjetër të të besuarve janë disa nëpunës të bashkisë që nënkryetarja i aktivizon në komisionet e tenderave me “spec”.
Shkolla e pambaruar dhe roli i Valbonës
Kujtojmë se gijotina.com/ më parë ka raportuar mbi tenderin korruptiv të vitit 2022 me vlerë 1.4 miliardë lekë, që e mori kompania e Nazif Bajramit, për rikonstruksionin e gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi”.
Bajrami nuk ka mbaruar akoma punimet, megjithëse kontrata ishte për 8 muaj. Për të mbyllur punët me letrat duhen firmat e dy studiove të Dautit që paguhen për mbikëqyrjen. Prandaj, nënkryetarja që mendon për gjithçka në detaje, ka zgjedhur Valbona Dautin. Jo më kot ia dha tenderin e mbikëqyrjes duke e favorizuar.
Në dokumentin e mëposhtëm vihet re se në tenderin e datës 13 shtator 2022, “Mbikëqyrje e objektit “Rikonstruksion i shkollës mesme “Kostandin Kristoforidhi (rikonstruksion + shtesë anësore 4-kat dhe palestër” kanë marrë pjesë 10 kompani Ato janë skualifikuar të gjitha, përveç bashkimit “DEA-N CONSULTING STUDIO” sh.p.k. & “ALB SUPERVIZION – D.S. sh.p.k të përfaqësuar nga Valbona Dauti/ Ajo përfitoi mbi 12 milionë lekë për këtë kontratë (përfshirë TVSH).
Open Data Albania e ka vlerësuar tenderin me “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut te korrupsionit. Kjo na shtyu të dyshojmë se ky favor i firmosur nga nënkryetarja Bylykbashi, nuk është i rastësishëm.
Pra, duke qenë se Nazif Bajrami ka “probleme” me realizimin e kontratave në terren, i vjen në ndihmë Valbona Dauti që i mbyll letrat para se të firmosë çekun nënkryetarja për likuidimin e faturave.
Nazif Bajramit i jepet asfaltimi, merr rol edhe Valbona Dauti
Paralelisht me tenderin e Shkollës së Mesme “Kostandin Kristoforidhi”, Nazif Bajrami gostitet me një tjetër kontratë. Bëhet fjalë për tenderin me objekt : “Sistemim asfaltim i rrugëve “Grigor Nosi”, “Xhaferr Duhanxhiu”, “Hasan Kopili”, në lagjen 5 Maji”.
Objekti i mësipërm është kryer sipas kontratës së sipërmarrjes datë 10 qershor 2022 lidhur midis Bashkisë Elbasan, të përfaqësuar nga zëvendëskryetarja Aulona Bylykbashi dhe “Bajrami N” sh.p.k. Vlera e kontratës është 52,362,845 lekë me TVSH, ndërsa financimi do të jetë për 3 vite, ku për vitin 2022 ishte 18,793,767 lekë me tvsh. Kjo punë duhej kryer për 3 muaj.
Ndërkaq, nënkryetarja i besoi sërish Valbona Dautit mbikëqyrjen e punimeve të Nazif Bajramit. Duhen njerëz të bindur që të firmosin gjithçka. Më poshtë është tabela e realizmit të kontratës e vitit 2022, ku dallohet se sa lekë ka marrë studioja e Valbona Dautit për mbikëqyrjen e asfaltimit nga “Bajrami N”.
Po ç’ndodhi me punimet? Filluan zvarritjet. Titullarja Aulona Bylykbashi, më 18 prill 2023 ka urdhëruar miratimin e kërkesës për shtyrje afati të përfundimit të punimeve. Për mbikëqyrjen e punimeve të ndërtimit, është lidhur kontrata më 10.06.2022, me vlerë 565,188 lekë me tvsh. Për kolaudimin e punimeve është lidhur kontrata me vlerë 76,200 lekë me tvsh , me një subjekt tjetër. Eh, sikur të funksiononin gjithë këto hallka kontrolli.
Nga dokumentacioni i vënë në dispozicion rezulton se dorëzimi i sheshit të ndërtimit dhe fillimi i punimeve, është bërë në datën 20.07.2022. Mbikëqyrësi i punimeve dhe “Bajrami N” i kanë drejtuar Bashkisë Elbasan me shkresat e datës 10 tetor 2022, , me kërkesat për lirimin e sheshit, duke kërkuar dhe pezullimin e punimeve deri në zgjidhjen e “problematikës”.
Më datë 18.04.2023, studioja e Valbona Dautit ka dorëzuar njoftimin për rifillim punimesh pas “lirimit” të sheshit të ndërtimit. Në fakt mbikëqyrësja nuk monitoron asgjë, por vetëm firmos letra.
Vjedhje me faturat e punimeve
Valbona përmes përfaqësuesit të saj me shkresën përcjellëse nr. Ex. prot., datë 12.04.2023, i ka dorëzuar bashkisë kërkesën për përdorimin e fondit rezervë, preventivin dhe procesverbalin. Pra, ende pa mbaruar puna “Bajrami N” futi në dorë fondin rezervë,
Nga auditimi i kryer nga KLSH u zbuluan pasaktësi në hartimin e zërave të preventivit. Kështu, zëri spërkatje me bitum ngatërrohej me shtresën e stabilizant dhe zërin e transportit te zërave të prishjes të shtresave të betonit, të cilat janë të përfshirë respektivisht në analizat e çmimeve të shtresave asfaltike dhe prishjet e shtresave betonit. Këto veprime bien në kundërshtim me VKM nr.629, datë 15.07.2015 “Për miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe të analizave teknike të tyre”.
Ndërsa nga auditimi i dosjes teknike të zbatimit u konstatua mungesa e dokumenteve kryesorë që vërtetojnë kontrollin e cilësisë së punimeve, si certifikatat e cilësisë së materialeve të ndërtimit dhe testet laboratorike, mix design për betonet.
Për këto veprime dhe mosveprime që shmangin verifikimin e cilësinë e materialeve e të produkteve të përdorura, KLSH ngarkon me përgjegjësi “Mbikëqyrësin e punimeve”.
Më tej, zëvendëskryetarja Aulona Bylykbashi, me urdhrin nr. datë 19.04.2023, shkresa nr. 2597/1 prot., ka miratuar përdorimin e fondit rezervë me vlerë 1,058,430 lekë pa tvsh.
Preventivi i ripunuar me vlerë 52,361,854 lekë me tvsh, i miratuar nga bashkia dhe mbikëqyrësi i punimeve u vendosën në kontratën e amenduar.
Njoftimi i përfundimit të punimeve i “Bajrami N” dhe mbikëqyrësit të punimeve DEA-N CONSULTING STUDIO u bë më datë 25 prill 2023. Ndërsa akt Kolaudimi është mbajtur më datë 26.04.2023. Akti i marrjes në dorëzim i objektit është mbajtur më datë 29 maj 2023, afërsisht 1 vit me vonesë.
Ndërkohë auditimi ka zbuluar diferenca në volume për punime të deklaruara të kryera në objektin “Sistemim asfaltim i rrugëve “Grigor Nosi”, “Xhaferr Duhanxhiu”, “Hasan Kopili”, në lagjen 5 Maji”. Tabela më poshtë tregon vlerat e punimeve për çdo zë sipas realizimit faktik dhe çmimeve.
Më konkretisht, zëri “Transport dheu me auto deri 5.0 km”, me vlerë prej 138,154 lekë me tvsh, është përfituar padrejtësisht nga sipërmarrësi i punimeve. Zëri “Spërkatje me bitum 1kg/m2 në stabilizant” me vlerën prej 406,310 lekë me tvsh është përfituar padrejtësisht nga |Bajrami N”.
Zëri “F.V. Përcjellës PV-500 Ø4mm2, për tokëzimin nga shtylla në shtyllë”, me vlerë prej 46,360 lekë me tvsh është pa u kryer punimet nga firma. Po ashtu, zëri “Vijëzim i rrugës anësore dhe i aksit me bojë bikomponente me gjerësi 15 cm” me vlerë prej 123,804 lekë me tvsh nuk ekzistonte në terren. Audituesit nuk gjetën të vendosur as “Parmak ure kolona b/a” që ishin vlerësuar 63,592 lekë me tvsh.
Si pasojë e mangësive të mësipërme, sipas KLSH, është shkaktuar dëm ekonomik me vlerë prej 778,220 lekë me tvsh në fondet e buxhetit të shtetit. Shkaku është mungesa e kontrollit të punimeve nga ana e mbikëqyrësit të punimeve.
Nga ana tjetër, urdhërohet Bashkia Elbasan të marrë masa për arkëtimin e vlerës prej 778,220 lekë me tvsh nga Operatori Ekonomik “Bajrami N” shpk. Pra, me ndihmën e Aulonës, Nazifi, jo vetëm që xhiroi paratë e tenderit 523 milionë lekë, por mashtroi me faturat dhe mori para të tjera. Lidhur me këtë, KLSH thotë me butësi se janë marrë “padrejtësisht” këto lekë, por këtu ka disa vepra penale dhe dokumente për tu hetuar nga SPAK.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post