Me fillimin e Kupës së Botës për Femra të FIFA-s në Australi dhe Zelandën e Re, ka pritshmëri të mëdha rreth asaj se çfarë mund të arrihet për të nxitur më tej futbollin e femrave. Në Australi, ka shpresë se kampionati do të ndihmojë në arritjen e barazisë gjinore në sport, duke rritur pjesëmarrjen e grave dhe vajzave dhe gjithashtu do të ofrojë objekte dhe struktura më të mira dhe më gjithëpërfshirëse.
Nëse pyet dikë në Australi për lojtaren më të njohur të ekipit kombëtar të futbollit për femra, që njihet me emrin ‘Matildas’, shumica do të përmendin sulmuesen e tyre të suksesshme Sam Kerr.
Por kjo mund të ndryshojë së shpejti.
Për herë të parë në historinë e saj, Australia do të jetë mikëpritëse e një Kupe Botërore të futbollit.
Dhe ndodh të jetë Kupa e Futbollit të Grave.
Në një vend ku sportet mbizotëruese janë regbi, futbolli australian dhe kriket, ky Botëror mund të sjellë një ndryshim.
Aq më tepër për vajzat dhe gratë.
“Padyshim që nuk është vetëm sport për djemtë. Për shembull, shumë vajza e luajnë dhe ju pëlqen. Po, mendoj se duhet të jetë një lojë për të gjithë” , thotë Alexis Hudson, lojtare e Klubit të Futbollit për moshat nën 14 vjeç të Universitetit të Sydney-t.
Federata Australiane e futbollit, beson shumë në Kupën e Botës për të transformuar futbollin e femrave në fusha kyçe.
Prioritetet janë të rritet në mënyrë dramatike numri i pjesëmarrëseve femra për të arritur përfundimisht barazinë gjinore deri në vitin 2027 dhe gjithashtu të përmirësohen mjediset bazë për t’i bërë ato më gjithëpërfshirëse për lojtaret femra.
Sipas federatës australiane, vendi numëron 1.9 milionë lojtarë, 26% e të cilëve janë femra.
Një ikonë si Sam Kerr, e pranishme kudo në publik, përmes marrëveshjeve të saj të sponsorizimit, gjithashtu ndihmon në tërheqjen e vajzave të reja në sport, që e shohin atë si një shembull të asaj që mund të arrijnë.
Por krahasuar me vende të tjera si Anglia dhe vende të tjera evropiane, Australia ka ende një rrugë të gjatë për të bërë për ta bërë futbollin e grave një sport të sajin.
“Të gjithë e njohin ekiopet si Chelsea, Arsenali, apo Manchester United. Të gjithë e dinë se ata kanë skuadrën e tyre për meshkuj, por tani njerëzit po interesohen për skuadrën e tyre për femra, veçanërisht me Anglinë që fitoi Kampionatin Evropian të Femrave vitin e kaluar. Pra, e gjithë kjo po krijon kushte të përsosura, që loja e femrave atje të përshpejtohet, ndërsa këtu, me gjithë respektin për Ligën-A, nuk jam i sigurt se sa njerëz jashtë vendit njohin ndonjë nga lojtaret e Klubit të Sydney-t” thotë Stefano Brocch, drejtor dhe i Akademisë së Futbollit “Sydney Lions”.
Por ndërsa anëtarët më të vjetër të komunitetit ende e shohin futbollin më shumë si një sport për meshkujt, për brezin e ri, dallimi midis vajzave dhe djemve tashmë është inekzistent.
“Jo, jo, vajzat mund të luajnë njësoj,” thotë 7-vjeçarja Elise Rosenov, e cila ka luajtur në Akademinë e Futbollit të Sydney Lions që kur ishte dy vjeç e gjysmë.
“Nuk është si në kohët e mëparshme, kur djemtë duhej të bënin gjërat e tyre dhe vajzat duhej të bënin diçka tjetër,” shton Rosenov.
Akademia i vë djemtë dhe vajzat të luajnë së bashku deri në moshën 13 vjeç, moshë kur fillojnë të zhvillohen fizikisht në drejtime të ndryshme.
Amy Shepherd, e cila ka qënë trajnere futbolli në Angli dhe në SHBA, është Drejtore Teknike e Ligës Rinore të Vajzave që nga viti 2020.
Ajo ka një ide shumë të qartë se çfarë duhet bërë në Australi.
“Pjesëmarrja është aty. Mendoj se duhet të ngushtojmë hendekun mes tyre. Duhet të investojmë në një shkallë shumë më të madhe, duke krijuar kushtet dhe terrenet e nevojshme sportive për t’u kujdesur për të gjitha këto lojtare që duan të luajnë”.
Në vitin 2019, ‘Matildas’ arritën një marrëveshje pagash të barabarta me homologët e tyre meshkuj, ‘Socceroos’, duke hapur rrugën për më shumë barazi gjinore në sport.
Në prag të Kupës Botërore të FIFA-s për Femra, 2 milionë dollarë janë shpenzuar për objektet e reja dhe përmirësimet e atyre ekzistuese. Janë siguruar gjithashtu fonde shtesë për shpenzime të mëtejshme për objektet, infrastrukturat dhe programet e futbollit për femra./VOA
Discussion about this post