Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ngritur akuza të forta ndaj biznesmenit Ergys Agasi, duke pretenduar se ai ka ndikim mbi një sërë institucionesh shtetërore. Në intervistën në “Minuta e Parë”, Këlliçi deklaroi se Agasi nuk do të kishte ndikimin që, sipas tij, ka sot pa mbështetjen e kryeministrit Edi Rama. Këlliçi e lidhi emrin e Agasit me AKSHI-n, Policinë e Shtetit dhe Kadastrën, duke pretenduar se përmes këtyre institucioneve është krijuar një mekanizëm që prek edhe sigurinë kibernetike dhe pronat. Po ashtu ai tha se Ballukut do t’i dalin të tjera vila brend dhe jashtë vendit.
“Mos harroni që emri i Ergys Agasit, në gjykimin tim, edhe në këtë rast është prapë i parëndësishëm, sepse Ergys Agasi nuk ka një funksion. Ergys Agasi është një shtetas privat, i cili po… i gjithë funksioni, ja ju them unë, është një biznesmen. Por Ergys Agasi, pa mbështetjen e Edi Ramës, është askushi. Është Edi Rama ai që i ka dhënë këtë mbulesë dhe këtë imunitet të jashtëzakonshëm Ergys Agasit dhe ka bërë të mundur që Ergys Agasi të ketë nën kontroll AKSHI-n, Mirlinda Karçanajn, të bëjë çfarë të dojë me tenderat e AKSHI-t. Mos harroni, flasim për institucionin që garanton sigurinë e të dhënave kibernetike të vendit tonë. Mos harroni sulmet që janë pretenduar se janë bërë nga Irani, mos harroni vjedhjen e të dhënave, nxjerrjen e të dhënave, nxjerrjen e pagave, nxjerrjen e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë dhe vjedhjen e tregtimin e tyre në treg të zi.
Ky individ ka në kontroll absolut Shërbimin Informativ Shtetëror. Ky individ ka në kontroll absolut Policinë e Shtetit. Ilir Proda. Ne e kemi denoncuar. Unë këtu, në studion tuaj, u bënë dy vite që denoncojmë që Ilir Proda është ushtar i krimit të organizuar, ushtar i grupeve kriminale dhe raportonte te grupet kriminale. Me kohë na e faktoi dhe kam përshtypjen që në ditët në vijim do të shihni edhe skandalin e radhës te Kadastra, që është sërish nën varësinë e këtij individi dhe që mbyll ciklin e plotë në raport me vjedhjen e pronave, fshirjen dhe zhdukjen e titujve të pronësisë, dhënien e titujve të pronësisë së personave të tretë, nxjerrjen e lejeve të ndërtimit për të vijuar për të pastruar paratë e krimit të organizuar.
Pika ndërlidhëse në të gjitha këto raste është Ergys Agasi, i cili në fakt thjesht ka emrin Ergys Agasi, pasi është Edi Rama. Nga informacionet që ne kemi, gjithçka është bërë me direktivën, dirigjimin dhe miratimin e Edi Ramës.”, tha ai.
Këlliçi e vijoi argumentin duke e lidhur këtë pretendim me mënyrën se si është emëruar Vlora Hyseni dhe me funksionimin e SHISH-it. “Edi Rama është personi që ka propozuar në këtë detyrë Vlora Hysenin. Mos harroni si ka ardhur Vlora Hyseni, t’ua kujtojmë pak qytetarëve. Vlora Hyseni fillimisht ka qenë drejtuese e Shërbimit Informativ në Kosovë. Është shkarkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Menjëherë, muajin pasardhës, është marrë në punë si këshilltare në Kryeministrinë e Edi Ramës për çështjet e sigurisë kombëtare dhe, pa u bërë viti, është katapultuar në pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Informativ të Shtetit. Me një veçori ndryshe nga drejtorët në 36 vite, zonja në fjalë është e vetmja që, që nga muaji shtator i vitit 2023, kur Bajram Begaj, me propozim të Ramës, ka liruar nga detyra Olsian Kallushin, mos gaboj, që ishte zëvendësi i saj.
Kjo nuk ka një zëvendësdrejtor. Për herë të parë në historinë e Shërbimit Informativ Shtetëror në periudhën postkomuniste, ky institucion kaq i rëndësishëm nuk ka sistemin e ‘checks and balances’, sepse mund të çmendet një moment drejtori i përgjithshëm, mund t’i rrëshqasë këmba, por ka një mekanizëm kontrolli, ka një zëvendësdrejtor. Sikundër të njëjtën gjë mund të bëjë zëvendësdrejtori, por ka një drejtor që e kontrollon. Çfarë nënkupton? Që ka qenë një plan i qartë. Zonja në fjalë, që kur ka ardhur në detyrë, është lënë e vetme dhe i janë varur në qafë çelësat e sigurisë sonë kombëtare.
Por jo vetëm. I janë varur në qafë çelësat e sigurisë kombëtare të një vendi anëtar të NATO-s. Mos harroni që, për shkak të detyrës dhe për shkak se ne jemi vend anëtar i NATO-s, zonja në fjalë ka marrëdhënie dhe shkëmbim të dhënash sekrete me të gjitha agjencitë ligjzbatuese që janë pjesë e NATO-s. Këtu flitet për teknologji, këtu flitet për armatim, këtu flitet për pajisjet më të fundit, këtu flitet për trafikun e drogës, këtu flitet për gjithçka që mund të jetë pjesë e diskutimit të këtyre tryezave dhe që kanë qenë në dorën e një grupi të strukturuar kriminal.”, shtoi ai.
Këlliçi tha se, sipas tij, kjo situatë përbën një problem më të gjerë për shtetin shqiptar. “Po ne kemi të bëjmë me rënien e shtetit. Kanë rënë kolonat e shtetit. Në momentin që të bie Policia e Shtetit, të del drejtori i Policisë së Shtetit, njeri që i raporton krimit të organizuar dhe bandave. Në momentin që bie drejtorja e Shërbimit Informativ Shtetëror, personi që garanton sigurinë e të dhënave të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe garanton sigurinë e atdheut, e kanë edhe në faqe ata, kjo që duhet të garantonte sigurinë e atdheut. Në momentin që ty të bie siguria kibernetike e vendit, të bie AKSHI dhe është trajtuar zyrtarisht tashmë si një strukturë që është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Në momentin që do të bjerë shumë shpejt edhe Kadastra, dhe po e paralajmëroj këtu te ju, sepse do të dalë se çfarë është bërë edhe në Kadastër… Në momentin që në zyrën e këtij individi, kjo është në kuadrin e hetimeve që po zhvillohen, në kuadrin e gjithë atyre të dhënave dhe informacioneve që ne i dimë, që të gjithë i dinë, këto shkelje i kemi thënë në media, i kemi denoncuar dhe, për fat të keq, do të duhen vite derisa Prokuroria e Posaçme të ngrejë zyrtarisht akuzë dhe të nxjerrë një masë sigurie për zyrtarët në fjalë.
Do ta shihni në ditët në vijim, por unë dua të mbetem te thelbi. Në momentin që kanë rënë gjithë shtyllat dhe kolonat kryesore të shtetit, këtu kemi të bëjmë me një rrënim të shtetit shqiptar.”, pohoi demokrati.










Discussion about this post