Ardhja e Erion Veliaj në krye të bashkisë së Tiranës ishte një zhgënjim për qytetarët sepse premtoi 0 ndërtime duke provokuar aspiratat për një kryeqytet europian. Veliaj jo vetëm që nuk ndali ndërtimet por vazhdoi në gjurmët e paraardhësit të tij Edi Rama me ndërtime të panumërta pa plane dhe pa hapësira të gjelbra.
Tirana u përkeqësua më shumë me Veliajn dhe sinjalet e para erdhën nga procedurat e prokurimit publik ku prej fillimit janë realizuar 987 tendera me flamur të kuq me vlerë gati 168 milionë euro duke e bërë kryeqytetin kampion të tenderave të dyshimtë në nivel bashkish. Brenda tenderave me flamur të kuq janë një pjesë e kompanive të cilat ndotin Tiranën me ndërtimet e tyre, nuk menaxhojnë si duhet plehrat dhe në majë gjendet dhe Inceneratori i Tiranës, një vepër imagjinare e cila djeg “lekë” dhe kursen plehra.
Pas Tiranës, renditet bashkia e Shkodrës me 305 tendera me flamur të kuq, 3 herë më pak se kryeqyteti dhe pas tyre bashkia e Elbasanit me 242 tendera të dyshimtë.
Tenderat me flamur të kuq sipas bashkive
Burimi: Openprocurement.al
Por çfarë është flamuri i kuq ose redflag?
Me flamur të kuq shënohet një procedurë prokurimi që tregon një ekspozim apo rrezik të mundshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin ose jo-etike të biznesit, kryesisht në lidhje me mos-respektimin e ligjeve anti-korrupsion sipas “openprocurement.al”.
Ndotja e ajrit
Kryeqyteti i sotëm është një qendër urbane ku kaosi në trafik, pallatet e panumërta njëra pas tjetrës, mungesa e hapësirave të gjelbra dhe ajri i ndotur përveçse janë pararoja e një pushteti të korruptuar, ato janë katalizatorët e një shoqërie urbane që ecën drejt shkatërrimit.
Të dhënat e matjes së cilësisë së ajrit në Tiranë për vitin 2020 tregojnë se niveli i ndotjes ishte mbi normën e lejuar sipas raportit të “GreenLungs”.
Shkaqet kryesore janë transporti dhe kantierët e ndërtimit ku ndotësit kryesorë janë grimcat PM10 dhe PM2,5 të cilat vijnë kryesisht nga shkarkimi i gazrave të automjeteve dhe kantierëve të ndërtimit.
Vetëm pak ditë më parë, Veliaj vendosi një rekord të ri i cili e rendiste Tiranën si kryeqyteti më i ndotur dhe me cilësinë më të keqe për të jetuar në Europë sipas Numbeo-s, sistemi më i madh i të dhënave për koston dhe cilësinë e jetesës.
Rekord lejesh ndërtimi, 280 vetëm në 2019
Veliaj nuk ka përgjegjësi për makinat e vjetra por për lejet e ndërtimit pasi ai ka rritur numrin e lejeve në mënyrë eksponenciale sepse pas rekordit të kryeqytetit më të ndotur në Europë, fshihet rekordi për lejet e ndërtimit duke e kthyer kryeqytetin në një kantier gjigand.
Lejet e ndërtimit (2016-2021)
Burimi: Bashkia Tiranë
“Sa të jem unë kryetar i Bashkisë së Tiranës, nuk do të ketë leje ndërtimi tek qendra e Don Boskos dhe çdo komunitet, duhet të kuptojnë se në datën 21 qershor i largohet kërcenimi i betonit. Tek Diga e Liqenit nuk do të ketë më leje ndërtimi, pikë!”– deklaroi Erion Veliaj gjatë fushatës elektorale në 2015.
Jo vetëm që nuk e mbajti premtimin por për periudhën 2016-2021 Veliaj ka dhënë mbi 800 leje ndërtimi duke qënë nxitësi kryesor i ndotjes së Tiranës, ku betonierët shëtisin në ditë me diell duke injoruar urdhrin e kryetarit të bashkisë dhe kryeministrit Rama për oraret e lëvizjes.
Shkollat dhe parqet rekreative
Për të rritur standartet e jetesës në kryeqytet nuk mjaftojnë vetëm pemë dhe video por shkolla, kopshte, çerdhe dhe parqe rekreative për fëmijët të cilat janë thelbësore në edukimin e brezave të rinj. Por tenderat e dyshimtë dhe me shkelje shkërrmoqin propagandën e Veliajt dhe një ndër to është procedura e tenderimit të projektit të PPP-së, “Ndërtimi i Shkollave” i fituar nga bashkimi i shoqërive Alba Konstruksionshpk & Fusha shpk & Ed Konstruksioni shpk & A&E Engineering shpk & Son Engineering and Construcion shpk dhe Erzeni/N shpk.
Si pasojë e një analizë të pasaktë të kostove, në të dyja rastet e shkollave dhe të kopshteve, preventivat e punimeve kanë të njëjtat zëra të punimeve. Ka patur konflikt interesi ndërmjet koncesionarit, mbikqyrësit dhe kolaudatorit në shkelje të plotë të ligjit. Mbikqyrësi dhe kolaudatori i punimeve janë konfliktuar në interesa për të realizuar punën për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve, pasi investitori në këtë rast është shoqëria Koncesionare dhe jo bashkia Tiranë sipas raportit nga institucionet audituese.
Prej vitit 2016 në Tiranë janë ndërtuar 26 kënde lojërash të rinj, një pjesë e të cilave nuk plotësojnë kushtet plotësisht. Gjithashtu ka kënde lojërash ekzistues të cilat janë plotësisht të shkatërruara dhe prej Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit nuk është marrë asnjë iniciativë për riparimin dhe kthimin e tyre në gjendje funksionale.
Shpenzimi të tejfryra për pastrimin dhe Inceneratorin
Pastrimi i plehrave është problematikë më vete për Tiranën dhe shpeshherë është vendosur në qendër të vëmendjes për klientët e saj të përhershëm që merren me pastrimin e kryeqytetit.
ALKO-IMPEX General Construcion SHPK është një nga kompanitë e tenderave fitues me flamur të kuq ku janë skualifikuar të gjithë ofertuesit për tenderin e Shërbimit të Pastrimit të Zonës Tirana III.
FUSHA SHPK ka marrë Shërbimin e Pastrimit të Zonës Tirana IV me flamur të kuq dhe ka marrë 22 tendera me flamur të kuq nga Lali Eri. Një kompani tjetër është dhe ANTE-GROUP SHPK që ka marrë 6 tendera me flamuj të kuq (redflags) për pastrimin e pjesës Lindore – 1 të Tiranës.
Korsel shpk nuk ngelet mbrapa kompanive simotra pasi 5 tendera që ka marrë për pastrimin e qytetit janë me flamur të kuq duke përforcuar dyshimet për praktika korruptive.
ECOtirana është kompania tjetër që merret me pastrimin mbetjeve në zonën e kuqe, 51 % të aksioneve të saj janë të bashkisë Tiranë ndërsa pjesa tjetër nga “AGSM Holding ALBANIA” që është një shoqëri me seli në Verona.
Por kostoja e tejfryrë e Inceneratorit të Tiranës është një nga skandalet më të mëdha të qeverive të Rilindjes, përgjegjësi për të cilin ka dhe Erion Veliaj pasi bashkia që ai drejton ka bërë pagesa për një incenerator që nuk është përfunduar si objekt për djegien e mbetjeve urbane.
Kontratat e operatorëve ekonomikë për pastrimin e qytetit ne vitet 2015-2017 janë kontraktuar për këtë shërbim si edhe për depozitimin ne landfill me një vlerë mesatare vjetore prej 1,1 miliardë lekësh, ndërkohë që për vitet 2018-2020 ndërsa është rritur kosto mesatare vjetore e pastrimit ne 1,2 miliardë lekë kësaj vlere i shtohet edhe kosto e tarifës koncesionare prej 3,2 miliardë lekësh, duke shkuar ne shpenzime mesatare për 2018-2020 në 2,3 miliardë lekë sipas raportit nga institucioni auditues.
Për shërbimin e depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve, vihet re se si pasojë e mos përfundimit të ndërtimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve, Koncensionari ende sot nuk ka trajtuar dhe asgjësuar asnjë sasi mbetjesh të marra në dorëzim. Pavarësisht mos kryerjes të procesit të trajtimit të mbetjeve, Bashkia Tiranë ka vijuar të kryejë pagesat e plota të tarifës për këtë shërbim sipas raportit paraprak të KLSH-së.
Erion Veliaj nuk është fajtori i vetëm për gjendjen aktuale të Tiranës. Por ai është kontribuesi kryesor në ndotjen e ajrit prej ndërtimeve, përgjegjës për keqmenaxhimin e taksave të qytetarëve duke prokuruar tendera të cilët janë dyshimtë dhe shkojnë përherë tek të njëjtat kompani, tek të njëjtët individë për një qytet që zgjohet nën renë e smogut.
Discussion about this post