Lumë parash në Rrugën e Arbrit për tri kompani të tjera, ndërkohë që koncesionari nuk arrin të përfundojë punimet. Shpenzimet janë marramendëse dhe procedura është e paligjshme! Nuk shpjegohet se si me datë 5 dhjetor 2022, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka mbyllur një kontratë me vlerë 1,375,800,000 lekë, kur kjo rrugë është në përgjegjësi të koncesionarit “Gjoka Konstruksion”. Nuk mjaftojnë paratë që merr kjo kompani tani po bëhen tendera marramendës për firma që do të mbjellin me bar skarpatet e rrugës në një fshat. Siç dihet, ndërtimi dhe operimi i kësaj rruge është dhënë me koncesion ku parashikohen të gjitha investimet. Pra, ky tender është thela mbi bisht!
Ky tender ka si objekt “Sistemimi dhe rivitalizimi i skarpateve në Planhttps://www.app.gov.al/i i Bardhë”. Fshati Plan i Bardhë është në anë të rrugës së Arbrit dhe rregullimet për këtë segment janë përfshirë në projektin e plotë.
Më pas vazhdon abuzimi me fondin e caktuar për këtë investim. Fillimisht për këtë prokurim është vënë në dispozicion fondi 1,170,234,457.52 lekë. Por, pas shpalljes së tri kompanive fituese BOE “SELAMI” SHPK + “COMPANY RIVIERA 2008” + “GARDEN LINE”, vlera e kontratës ka ndryshuar. Si justifikim është shkruar se punimet e skarpateve do të bëhen në disa lote dhe ARRSH ka rritur me 200 milionë lekë vlerën për këtë kontratë. Lekë për bar kur rruga nuk ka mbaruar. Dhe me ato para mund të strehoheshin ata që kanë mbetur pa shtëpi nga tërmeti. Kështu në total fondi i hedhur për bar dhe shkurre anës rrugës në këtë fshat shkon në 1.3 miliardë lekë të reja. Indirekt përfiton edhe koncesionari “Gjoka Konstruksion”, e cila vazhdon merr paratë e buxhetit dhe nuk e përfundoi akoma atë rrugë. Por ‘meritat’ i takojnë edhe drejtorit të ARRSH-së, Berberi që i “qeth” këto kontrata miliarda lekëshe.
Rruga që thith fondet
Rruga e Arbrit do t’iu kushtojë taksapaguesve shqiptarë 5.5 herë më shumë nga se ishte plani fillestar. Vlera e shpallur fillimisht për ndërtimin e autostradës ishte 33.4 miliardë lekë. Pasi kaq ishte e oferta e prezantuar nga Gjoka Konstruksion në 2017, kontratë që do të zgjasë deri në 2031
“Vepra do të zgjasë 46 muaj dhe do të financohet përmes një skemë të përbashkët mes kompanisë private dhe buxhetit të shtetit. Më saktësisht, kompania do të financojë rreth 190 milionë euro nga paratë e veta. Ndërkohë që shteti do të paguajë 60 milionë euro të tjera nga buxheti, gjatë periudhës së ndërtimit. Pasi të ketë përfunduar plotësisht ndërtimin, kompania do të paguhet me këste nga buxheti për një periudhë që mund të shkojë deri në 15 vjet. Sipas programit 1 miliardë euro të rindërtimit që është lancuar nga Qeveria”, thuhet në kontratën fillestare për dhënien me koncesion të Rrugës së Arbrit.
Por, përveç kësaj shifre prej 1 miliard eurosh, me të cilat si kompani koncesionare “Gjoka Konstruksion” duhet të bëjë mirëmbajtjen e rrugës në çdo aspekt, tashmë ARRSH po i shton dhe miliarda lekë.
53 milionë euro vetëm fondet fillestare
Edhe para se të jepej me koncesion për këtë rrugë janë derdhur miliona euro. Të dhënat e siguruara nga Thesari i Shtetit tregojnë se qeveritë ndër vite kanë paguar rreth 6,5 miliardë lekë, ose 53 milionë euro fatura për ndërtimin e disa segmenteve në Rrugën e Arbrit. Konkretisht, thesari i shtetit ka paguar 6 fatura të ndara në lote të cilat janë paguar gjatë periudhës 2015-2017.
Rruga e Arbrit është e gjatë rreth 73 kilometra, rreth 20 kilometra u ndërtuan me 6,5 miliardë lekë që u dhanë deri në vitin 2017. Ndërsa 52 kilometrat e tjera që u dhanë me koncesion kushtuan 36 miliardë lekë sipas të dhënave të përditësuara nga Ministria e Financave.
Para se të jepej me koncesion një kilometër në Rrugën e Arbrit kushtoi mesatarisht 2,6 milionë euro. Ndërsa me koncesionin rreth 6 milionë euro.
Ashtu si edhe për koncesionet e tjera, fatura për Rrugën e Arbrit. Sidomos për koncesionin PPP nuk është ende e qartë.
Pasi Ministria e Financave raporton vlera të ndryshme vit pas viti. Në raportin vjetor të koncesioneve 2020, që u hartua nga Ministria e Financave, vlera e investimit për ndërtimin e Rrugës së Arbrit raportohet 26 miliardë lekë. Ndërsa Drejtoria e Thesarit për arsye të pagesave e ka kontabilizuar kontratën e Rrugës së Arbrit me 39 miliardë lekë në vitin 2020. Në buxhetin e vitit 2019 Ministria e Financave e kishte raportuar financimin e Rrugës së Arbrit në 58 miliardë lekë.
Rruga e Arbrit ka një historik të gjatë zvarritjeje që nga koha e qeverisë “Berisha”. Kur nisi koncesioni ishin përfunduar plotësisht 20.12 kilometra të saj. Me 15.1 kilometra shtesë të përfunduara pjesërisht dhe 26.3 kilometra të tjera për t’u ndërtuar sipas projektit ekzistues. Pra, “Gjoka Konstruksion” merr para për punime që nuk kryhen. Ndërsa në skenë kanë dalë kompani të tjera të lidhura me Berberin e ARRSH-së.
Esmeralda Hida
Lexo edhe:Sherri për 60 milionë lekë/ Berberi i ARRSH-së mes KPP-së që i kthen tenderin Luan Kaprit
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post