Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi ‘live’ me ndjekësit është shprehur se vendi po kalon një periudhë të vështirë politike, duke e krahasuar situatën në vend me zhvillimet e fundit në Serbi.
Gjatë fjalës së tij, ai akuzoi kryeministrin Rama se po përjeton krizën më të rëndë të qeverisjes së tij, ndërsa e cilësoi situatën aktuale si shenjë të dobësimit të pushtetit.
Kreu i demokratëve u ndal edhe te protestat e studentëve në Tiranë, duke akuzuar policinë për përdorim të dhunës dhe armëve ndaj demonstruesve.
Berisha përmendi 16 protestues të plagosur, mes tyre edhe të riun Erion Vishkulli, dhe shprehu urimin që operacioni i tij të ketë dhënë rezultat pozitiv.
BERISHA: Java ishte javë ndryshimesh të mëdha. Ndryshime të cilat sjellin ndërmend Pranverën Arabe, pasi në Beograd një autokrat i lidhur me krime lufte, gjenocid, me vrasje, u përmbys në Serbi dhe një elitë e re politike erdhi në pushtet, erdhi në fuqi. Le të urojmë që kjo elitë e dalë nga zgjedhjet e ditës së diel të kaluar t’i përmbahet një vizioni në interesin më të mirë të kombit serb, vizionit euroatlantik dhe të fqinjësisë së mirë.
Kjo përmbysje e padronit në Beograd ka sjellë tronditje të mëdha të argatit të tij në Tiranë, i cili po përjeton grahmat më të vështira të regjimit të tij narkodiktatorial, Edi Ramës. Java u karakterizua nga dhuna më e egër që Tirana në rrugët dhe sheshet e saj ka parë ndoshta në tërë historinë. U karakterizua nga breshëritë me plumba goma dhe saçme derrash mbi protestuesit paqësorë.
16 prej tyre u plagosën me këto armë, shumica e tyre në pjesët e trupit të ndaluara me ligj për t’u qëlluar me këto armë.
I riu Erion Vishkulli mori një saçme në njërën sy dhe urojmë nga zemra që rezultati i operacionit të jetë ai që dëshiron.
Komisariatet u mbushën plot me studentë, protestues, por ajo që spikat, spikati solidarizimi i madh me studentët në revoltën e tyre. Spikat një vendosmëri e zakonshme e studentëve, gjimnazistëve për t’u përballur me këtë regjim dhe PD, siç ka deklaruar në krye të radhës, do mbështesë dhe ka mbështetur me gjithë potenciali e saj revoltën studentore dhe ka bërë gjithçka për mbrojtjen e tyre.










Discussion about this post