Sali Berisha ka ngritur dyshime se Belinda Balluku e ka diplomën të falsifikuar dhe sipas tij, për këtë gjë e kanë paditur në Prokurori, pa dhënë detaje se nga kush. Ai shtoi më tej se kjo është edhe arsyeja pse merren me diplomën e Belind Këlliçit, që ta përdorin si justifikim.
Gjatë fjalës në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, Berisha deklaroi se ka një luftë të egër mes socialistëve dhe sipas tij, nuk ka në histori njeri që të ketë vjedhur më shumë se Rama dhe Lubia, duke iu referuar Ballukut.
“Lufta mes tyre është lufta më e egër që mund të ketë shpërthyer brenda llojit. Edi Rama u mor me diplomën e Belind Këlliçit, i cili së bashku me Etion Kapedanin janë dy shqiptarët që dolën me rezultatet më maksimale ndër 1 mijë studentë që kishte shkolla e tyre në Nju Jork. Po tani ku është halli i diplomës. Halli i saj është tek Lubia, se Lubinë e paskan çuar në prokurori se ka diplomë false. E merrni vesh. Ajo nuk ka diplomë, e ka falsifikuar diplomën. E kanë paditur në prokurori dhe tani kur të dëgjojnë socialistët se Lubia ka falsifikuar diplomën të thonë se edhe Belindi e ka falsifikuar. Nuk është gjë kjo punë e tyre. Është një përleshje shumë e egër mes tyre. Këta njerëz kanë patur si moto; erdhëm, vodhëm, ikëm. Do të ikin, por nuk do të ikin. Absolutisht do të përballen me ligjin duke filluar nga Edi Rama tek secili që ka vjedhur. Nuk ka në historinë e vendit njeri që mund të ketë vjedhur si Rama dhe Lubi Balluku së bashku. Rama sigurisht më shumë. Por edhe Lubia me 12 miliardë euro tendera, qindra e qindra milionë mos miliarda ka vjedhur me Ramën dhe i kanë shpërdoruar”, u shpreh Berisha.
Discussion about this post